Piramida kthehet në kinema, kremton 10-vjetorin e “DokuFest”
Një javë para se të nisë zyrtarisht festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër, “Dokufest” do të udhëtojë për në Tiranë. Përmes instalimit të një kinemaje të hapur në qendër të kryeqytetit shqiptar, pikërisht te Piramida që kohët e fundit është në qendër të polemikave, do të shfaqen shtatë filma nga programi i sivjetshëm i “Dokufest”. Këtë të shtunë organizatorët e festivalit do të shfaqin filmat si thirrje e publikut shqiptar që të vijnë në Prizren prej 23 deri 31 korrik në jubileun e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të shkurtër. “Të Tiranë do të prezantojmë një copë nga festivali i këtij viti”, shpjegojnë organizatorët. Arsyeja e spostimit të disa prej filmave të këtij festivali në Tiranë është që publiku i atjeshëm të dijë se çfarë do të shfaqet në “Dokufest” këtë vit. Sipas zyrës së marrëdhënieve me shtypin e “DokuFest”-it, përveç shfaqjes së filmave publiku do të ketë mundësi të informohet edhe rreth programit dhe surprizave të edicionit të këtij viti. Filmat që janë përzgjedhur të shfaqen në Tiranë vijnë nga shumë vende të botës. Kështu në kinemanë verore të improvizuar te Piramida të shtunën do të shfaqen këta filma: “10 Minuta” me regji të Ahmed Imamoviq nga Bosnja e Hercegovina; “Yuri Lenon Landing on Aplha”, nga Anthony Vouardoux; ”Something Left, Something Taken” me regji të Max Porter, që është një komedi e errët e animuar, që rrëfen takimin e një çifti që kanë shkuar me pushime me një burrë që ata mendojnë të jetë Vrasësi Zodiak, si dhe shumë filma të tjerë… Përzgjedhja e filmave është bërë nga drejtori artistik i “Dokufest”, Veton Nurkollari dhe Samir Karahoda, që janë përgjegjës të programit të filmave të shkurtër. Gjatë një ore që do të shfaqen këta filma dhe dokumentarë të shkurtër, shpresohet që shikuesit të gjejnë një arsye për të udhëtuar drejt Prizrenit për të ndjekur Festivalin e Filmit me metrazh të shkurtër. Ndërkohë që surprizat nuk do të mungojnë në këtë festival. Duke qenë edicioni i 10-të, organizatorët e DokuFest kanë përzgjedhur 15 filma nga nëntë vitet e kaluara, duke evidentuar në këtë mënyrë disa nga filmat më të mirë të shfaqur. Gjithashtu, një mbrëmje e veçantë do t’i kushtohet regjisorit Richard Leacock, me një projektim të veçantë të filmit të tij “The Stravinsky portrait” (Portreti i Stravinskit). Regjisori britanik Leacock ndihmoi krijimin e një lëvizjeje në fushën e dokumentarëve, ai gjithashtu njihet si kamera direkte apo “cinéma vérité” dhe krijoi disa nga dokumentarët më novatorë të 60-ve. Ai ndërroi jetë në mars të këtij viti në moshën 89-vjeçare. Dokumentari i Leacock-ut, që do të jepet për nder të tij, do të projektohet më 25 korrik. Ky dokumentar përcjell kompozitorin e njohur botëror Igor Stravinsky në shtëpinë e tij në Kaliforni, në Londër dhe në Hamburg, ku ai udhëheq provat e orkestrës. Dokumentari përfshin bisedat me shokë të ndryshëm dhe bashkëpunëtorët muzikorë.