Shatë shekuj të mbushur me kriza Monetare e Financiare
Libri: Iluzionet monetare, mashtrimet e mëdha
Autori: Adrian Civici
Shtëpia botuese Ombra GVG
Iluzionet monetare nuk janë një dukuri e re dhe as e panjohur. Gjatë pesë apo gjashtë shekujve të fundit ato janë shfaqur valë-valë, njëra pas tjetrës, duke krijuar përshtypjen se askush nuk ka dashur të mësojë e të nxjerrë konkluzionet e duhura, si për shkaqet e lindjes së tyre ashtu edhe për pasojat, shpesh katastrofike, për shtete, kontinente apo mbarë globin. Duket sikur krizat monetare e financiare kanë qenë e do të jenë bashkudhëtaret e përhershme të zhvillimit dhe kapitalizmit.
Në të gjitha rastet, konkluzioni mbi shkaqet e tyre ishte pothuajse i njëjtë: neglizhimi i fenomenit të spekulimit financiar si pasojë e euforisë prej mundësisë pa limit që të krijon paraja dhe tregu financiar. Aq e vërtetë është kjo, sa në shumicën e librave apo studimeve në këtë fushë, fjalia e fundit është pothuajse e njëjtë në formën e pyetjes lakonike: cila pritet të jetë kriza e radhës?
Kësaj tabloje i shtohet edhe një dukuri tjetër tejet negative dhe po kaq interesante: individë të ndryshëm, që duke shfrytëzuar dëshirën pa limit të njerëzve për të fituar lehtësisht para dhe për t’u bërë shumë shpejt të pasur, kanë ndërtuar me dhjetëra skema financiare mashtruese. Shumë prej tyre tashmë kanë zënë vend në analet e historisë njerëzore, nganjëherë edhe si krijesa me inteligjencë gjeniale, megjithëse në sensin e gabuar. Personazhe si Therese Humbert, Marthe Hanau, Charles Ponzi, Ivar Kreuger, Alexnadër Stavisky etj. kanë hyrë tashmë në listën e “mashtruesve të mëdhenj”…Megjithëse lista e “mashtruesve të mëdhenj” është shumë e gjatë, përsëri të krijon përshtypjen e një historie pa mbarim, e një historie që duket se askush nuk do ta mësojë apo të mësojë prej saj…!