Telefoni, do paralajmërojë se si ndryshon shëndeti
“Dukesh shumë i stresuar në këtë moment, çfarë nuk shkon?” “Punon shumë në fundjavë, bëj kujdes”. Këto janë tipet e mesazheve që mund të vijnë në celularin tuaj nëse ju do ta pajisni me një dispozitif, i cili është konceptuar nga i mirënjohuri Massachusets Institute of Technology.
Principi është i thjeshtë: Daily Data analizon automatikisht frekuencën e telefonatave tuaja dhe nëse ndodh ndonjë ndryshim, atëherë ai ju paralajmëron. Mbajtja e gjithë telefonatave që do të bëni gjatë kësaj kohe mund të përbëjë një lloj ditari të shëndetit. “Kur njerëzit janë të shqetësuar, ata mbyllen në vetvete dhe flasin më pak në telefon”, shpjegon Karan Singh, një nga krijuesit e kësaj ideje. Ai nuk pretendon se ky sistem mund të bëjë dhe diagnostikimin nga ana mjekësore. Por lejon të ketë një kujdes të vazhdueshëm, i mjaftueshëm për të marrë sinjalet e para për ndonjë problem. Disa teste të tilla janë duke u bërë në një spital në Sinsinati me disa fëmijë që kanë probleme me tretjen. Personat e prekur mund të paralajmërohen nga një krizë e mundshme. Sigurisht që mund të ketë dhe gabime të interpretimeve, ndërsa mjeku Singh pohon se “sa më shumë të dhëna të ketë, aq më mirë përmirësohen mjetet e përdorura”.