Piramida, qendra më e madhe për të rinjtë në Evropë
Nëse doni të mësoni se çfarë po ndodh brenda mureve të ftohta të ndërtesës së muzeut të ish-diktatorit komunist, duhet të keni një fantazi ekstreme për artet. Kryeqyteti shqiptar më së fundi po hedh hapin e madh drejt epokës kulturore, duke krijuar brenda një tempulli prej mermeri dhe xhami atë që quhet si industri krijuese, e cila e shndërron Piramidën në qendrën më të madhe kulturore për të rinjtë në Evropë.
Prej disa muajsh një investim i rëndësishëm i qeverisë shqiptare po shndërron ish-muzeun në një nga shtëpitë me të mëdha evropiane për organizimin e veprimtarive të arteve, e cila synon të mirëpresë mijëra spektatorë, kryesisht të rinj. Një investim, jo vetëm i performancës, po kryhet në kryeqytet me synimin për t’i dhënë një tjetër pamje hartës së institucioneve kulturore në Tiranë, me dy teatro, dy salla galerish për artet vizuale, me dy kinema, me disa salla koncertesh, salla baleti, konferencash, debatesh, me dy librari, biblioteka, salla interneti, prodhimi të krijimtarisë dhe menaxhimi perfekt. Pas një boshllëku të krijuar nga zhveshja prej institucioneve kulturore të metropolit shqiptar, privatizimeve të dyshimta dhe kthimit të kinemave në shumëkatëshe, tashmë po kryhet investimi me serioz për kulturën kombëtare gjatë 20 vjetëve të fundit.
Në kuotën zero (hapësira e odeonit dhe rrotull saj), ka përfunduar montimi i strukturës metalike të teatrit të madh dramatik me 500 vende, si dhe konstrukti i teatrit variete me 250 vende. Të gjithë aksesorët ndihmës që lidhen me teatrin, janë thuajse të përfunduar, ndërsa njëra nga dy galeritë e arteve thuajse ka marrë formë, bashkë me dy sallat moderne të kinemasë. Sido që moslirimi në kohë i ambienteve të okupuara nga biznesi privat ka krijuar vështirësi në kalendarin kohor dhe në zbatim, projekti ndërkombëtar i Qendrës së Arteve “Arbnori” është më moderni sot në Evropë. Ndërtimi i kësaj qendre do t’i japë fund mediokritetit të mërzitshëm, monotonisë së produktit tradicional dhe menaxhimit përtac që ka shoqëruar dilemat e artit në këtë tranzicion. Ish-muzeu me stenda standarde të luftës së klasave dhe eliminimeve ideologjike që shoqëruan regjimin e kaluar, po merr më së fundi tjetër formë, duke i dhënë një pamje që meriton vizioni i të rinjve shqiptarë për artet, por edhe nevojës së tyre të edukimit me artet e përforcuara në atë nivel që mund të ofrojë çdo qendër e ngjashme në Paris, Barcelonë apo Uashington e Nju Jork.
Qendra “Arbnori” do t’i përkushtohet rritjes së mundësive që të gjithë njerëzit dhe sidomos të rinjtë të jenë pjesëmarrës në të dhe të kuptojnë artet, për të përmbushur misionin. Ky është një zotim i shpallur i qeverisë demokratike për të rinjtë e kryeqytetit dhe të të gjithë kombit, si pjesë e politikës së saj kulturore, për një Shqipëri që ndryshon me themele. Qendra “Arbnori”, duke besuar se artet janë një nga domethëniet më shprehëse të njerëzimit në kuptimin e botës, po përgatitet të përmbushë këtë mision, në mënyrë që kur ndërtesa të ketë përfunduar rindërtimin, ajo të fillojë funksionimin me kapacitet të plotë. Ajo do të përmbushë aspiratat e të rinjve për të pasur një oaz të nivelit evropian. Ne shpresojmë që brenda pak muajsh Qendra të jetë e hapur si një institucion i ri. Përmes artit, të rinjtë do të ndajnë sukseset më të larta të çdo kulture dhe zbulojmë një gjuhë universale e cila lejon komunikimin me botën dhe e përsos atë. Si e tillë, kjo qendër shumëfunksionale artesh do të jetë një nga komponentët më të rëndësishëm të edukimit të plotë. Qendra “Arbnori” do të jetë nga qendrat më të mëdha të performimit të arteve në Evropë, e dedikuar kryesisht për të rinjtë. Ajo do të marrë rolin e udhëheqjes në politikat e edukimit të arteve me programet më bashkëkohore për të punuar si partner me institucione të tjera të artit, me shkolla, mësues, prindër dhe legjislatorë, si dhe udhëheqës nga komuniteti dhe biznesi. Qendra e arteve “Arbnori” është duke përgatitur një program të gjerë të arteve të përforcuara të cilat synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës dhe pasurimin e përvojave mësimore dhe arsimore të të rinjve që çojnë tek ndryshimi vetëvlerësues dhe frymëzimi krijues, që i ndihmon të rinjtë të vendosin qëllime dhe t’i arrijnë ato. Njohuria për artin i bën mësuesit më të përsosur dhe e bën frekuentimin e shkollave më tërheqës, zbulon vende sfiduese për fëmijët, ku ata të nxiten për të zbuluar, krijuar dhe për të arritur plotësinë e tyre.