Sherri midis të rinjve, vritet me thikë 18-vjeçari
Një sherr midis të rinjve për një vajzë ka degjeneruar në përleshje me thika, duke i kushtuar jetën një 18-vjeçari. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në Tiranë. Sipas burimeve nga policia, viktima është Jeton Ferhati. Viktima është qëlluar dy herë me thikë në qafë, ku ka gjetur më pas vdekjen, ndërsa ishte duke u transportuar në spital. Sipas burimeve zyrtare nga policia, është bërë i mundur dokumentimi ligjor i kësaj vepre penale, si dhe identifikimi i autorëve, të cilët janë vëllezërit Elvis Meta, 24 vjeç dhe Ervin Meta, 22 vjeç dhe strukturat e hetimit të krimit po punojnë intensivisht për gjetjen dhe arrestimin e tyre. Sipas dëshmitarëve që kanë parë skenën e sherrit që degjeneroi më pas në krim, 18-vjeçari ka qenë në një lokal në Laprakë së bashku me shokët e tij, ndërsa më pas është konfliktuar me tre persona. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje dhe ngriti një grup hetimor për hetimin e saj. Në lidhje me këtë ngjarje u shoqëruan në komisariat 3 persona, ndërkohë që janë shoqëruar edhe një numër i madh dëshmitarësh.
Ngjarja
Rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, 18-vjeçari Jeton Ferhati kishte shkuar së bashku me shokët e tij në një lokal tek pallatet “Hawai” në zonën e Laprakës. Ai ka qenë duke qëndruar aty për disa kohë, përkatësisht në një lokal në kat të parë, kur jashtë derës së lokalit, dy persona i kanë thirrur për të dalë jashtë. 18-vjeçari është ngritur nga tavolina ku qëndronte me miqtë e tij, ka zbritur shkallët dhe i është afruar vrasësit të tij dhe dy shokëve të tjerë. Sipas burimeve nga policia, dyshohet se midis të rinjve mund të ketë pasur përplasje për shkak të një vajze. Dëshmitarët tregojnë se nga biseda e të dyve janë dëgjuar fjalët: “Çfarë ke që më shikon ti mua, jo ti pse më shef?” dhe të tjera fjalë të tilla adoleshentësh. Më pas gjakrat janë nxehur së tepërmi dhe midis tyre kanë nisur të sharat. Grupi i të rinjve ka vazhduar për disa minuta jashtë, ndërsa pas debatit, agresori ka nxjerrë një thikë që e mbante me vete dhe ka sulmuar 18-vjeçarin. Ai e ka qëlluar dy herë në qafë, ku viktima më pas është rrëzuar i gjakosur në tokë. Dy të rinjtë e tjerë janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë që ndaj viktimës është dhënë ndihma e parë, duke e dërguar atë në spital. 18-vjeçari kishte marrë plagë të thella, të cilat e kishin plagosur rëndë atë dhe ka humbur më pas jetën gjatë rrugës për në spital, ndonëse ai ishte vetëm disa metra larg tij. Në vendngjarje shkuan menjëherë forcat e policisë të komisariatit numër dy të kryeqytetit. Nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve Ndaj Jetës dhe Shëndetit u ngrit një grup pune për hetimin e kësaj vrasjeje, si dhe u krye këqyrja e vendit të ngjarjes. Gjithashtu, u morën dëshmitë në lidhje me vrasjen nga dëshmitarët, të cilët kishin parë skenën. I riu ishte banues në Bathore, por kishte shkuar në Laprakë për të takuar shokët e tij. Gjithashtu, në komisariat u shoqëruan tre persona, të cilët dyshohen se kanë lidhje me ngjarjen.
Nga puna hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është bërë i mundur dokumentimi ligjor i kësaj vepre penale, si dhe identifikimi i autorëve, të cilët janë vëllezërit Elvis dhe Ervin Meta dhe po punohet për arrestimin e tyre.