Fratini: Pranoni vendimin e gjykatës, respektoni ligjin
Gjatë punimeve të takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Iniciativës së Europës Qendrore, që u mbajt në Trieste, zv.kryeministri Edmond Haxhinasto, pati një takim dypalësh me ministrin italian të Punëve të Jashtme, Franko Fratini. Gjatë bashkëbisedimit u diskutua mbi situatën e krijuar nga zgjedhjet vendore në Shqipëri. Haxhinasto iu përgjigj interesimit të Fratinit për situatën paszgjedhore në vendin tonë. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm Fratini u shpreh se në këtë rast duhet që ligji të zbatohet dhe të lihen gjykatat që të vendosin. “Vendimet e gjykatës duhet të pranohen nga të gjitha palët dhe rezultati duhet të respektohet”, tha ai. Ministri Fratini theksoi se respekti ndaj ligjit dhe zbatimi i tij, siç përcaktohet në legjislacionin vendas, është një provë që e kualifikon Shqipërinë drejt integrimit në Bashkimin Europian.