Pirandelo sjell dramën e një familje në Teatrin Kombëtar
Izaura Ndoj
Një komedi është premiera që Teatri Kombëtar ka rezervuar për publikun e kryeqytetit në këtë fundjavë. E titulluar “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, nga shkrimtari me famë botërore Luixhi Pirandelo, kjo pjesë vjen e realizuar dhe e zgjedhur nga regjisori Mehmet Xhelili. Ky i fundit ka përzgjedhur gjithashtu për rolet përkatëse një kastë aktorësh, ndër më të mirët e skenës shqiptare. Kështu në datat 9, 10 dhe 11 Prill ngjitet në skenë një komedi interesante, nën lojën e Fatos Selës, Eftjola Laçkajt, Marjeta Ljarjas, Dritan Boriçit, Olta Dakos, Fadil Kujovskës e Olta Gixharit. Skenografia vjen nga Genc Shkodrani e kostumografia i është besuar Anila Zajmit. Ndërkohë që mesditën e djeshme me këtë rast është zhvilluar një konferencë për shtyp, në të cilën ishin të pranishëm para mediave, regjisori Xhelili e stafi i aktorëve. “Kur ndodhesh në momentin final të një shfaqjeje, një regjisori si të thuash i pakësohen fjalët, në kuptimin që ato ia ka marrë vepra dhe fjalët në fund i thotë publiku. Porsa i takon realizimit mund të them se është bërë një punë e jashtëzakonshme nga një trupë profesioniste aktorësh, talentesh, pasionesh e mbi të gjitha gjithçka është bërë me një dashuri e pasion- është shprehur dje për mediat regjisori Xhelili. Gjithashtu ai theksoi veçantinë e kësaj vepre për sa i takon mesazheve që ajo sjell në realitetin shqiptar, dhe rëndësinë e çdo personazhi në këtë pjesë. “Kam bindjen se në këtë vepër ka realizime figurash tepër të spikatura, duke përmendur këtu atë të babait sjellë nga Fatos Sela; thjeshtrën nga Eftjola Laçkaj; regjisoren nga Olta Daku; nënën nga Marjeta Ljarja; birin nga Dritan Boriçi; Madam Paçejnë nga Suela Konjari e kështu me radhë të gjithë aktorët në skenë, me rolin e tyre përkatës. Një vepër e tillë i shërben së pari vetë Teatrit Kombëtar dhe në të njëjtën kohë sjell për publikun një vepër të pavdekshme, siç është “Gjashtë personazhe kërkojnë një autor” e Pirandelos. Në kemi punuar me seriozitet, dashuri, pasion, energji për t`i sjellë në këtë mënyrë gjithë admiruesve të skenës teatrore një shfaqje të paharrueshme”- ka vijuar Xhelili.
Subjekti
“Gjashtë personazhe kërkojnë autor” (1921), është një nga veprat më të rëndësishme të dramaturgjisë botërore të shekullit të njëzet. Në të është përmbledhur gjithë gjenia krijuese dhe pasioni i madh për teatrin i një prej fituesve të çmimit Nobel, shkrimtarit dhe dramaturgut italian Luixhi Pirandelo. Subjekti i saj mbështetet në një gjetje të mrekullueshme, sa të çuditshme e spektakolare, aq edhe tronditëse e emocionante, sa tragjike, aq edhe komike. Në të trajtohet një gamë e gjerë problemesh të karakterit psikologjik, social, filozofik dhe universal. Subjekti është tejet interesant, ku në skenën e një teatri ku një trupë aktorësh janë duke bërë prova në një ditë të zakonshme, shfaqen nga kushedi se ku, gjashtë personazhe. Kur regjisorja i pyet se përse kanë ardhur, ata i përgjigjen se kërkojnë një autor, sepse, një autor tjetër, pasi i ka krijuar në fantazinë e tij , i ka refuzuar dhe nuk i ka futur në botën e artit. Natyrisht, një përgjigje e tillë shkakton të qeshura të papërmbajtura tek aktorët dhe regjisorja. Pas këtij reagimi, personazhet përgjigjen të fyer dhe të prekur se ata mbartin një dramë tepër të dhimbshme që ata e kanë brenda vetes dhe e vuajnë, një dramë që merr frymë, flet, lëviz vetë dhe prandaj këmbëngulin që të shfaqet në skenë. Drama e tyre ka në qendër një familje e cila përbëhet nga babai, thjeshtra, nëna, biri, vogëlushja dhe djaloshi; është një familje e ngatërruar në një histori tepër interesante dhe tronditëse. Pas rrëfimit të kësaj historie, regjisorja, e emocionuar dhe e ngacmuar artistikisht, vendos që trupa ta luajë dramën në skenë edhe pse mungon autori. Rezultati që përftohet në përpjekje për të vënë në skenë këtë dramë është një përzierje e tragjikes me komiken, e fantastikes me realisten, një situatë humoristike, tepër e veçantë dhe komplekse. Dramën e përmban historia që rrëfehet nga vetë personazhet pjesëmarrës, kurse, komedia vjen nga përpjekja e kotë që kjo dramë të mund të realizohet në skenë sepse personazhet nuk bien dakord me aktorët dhe, madje përfshihen në një konflikt me kthesa humoristike se kush janë më të rëndësishëm, ata, personazhet, apo njerëzit e gjallë. “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” mbart një gjuhë sa të pasur intelektuale, aq edhe të ngjeshur me veprim e dramaticitet; ajo ka një mënyrë tepër origjinale të servirjes së subjektit: në fillim e çuditshme dhe pastaj e hapur dhe sugjestionuese. Mbart një lëndë të kondensuar, të ngjeshur, intensive, të gjerë. Ajo ka personazhe të larmishme, të pushtuar nga nevoja ulëritëse për komunikim dhe vet konfirmim. Larmi ka edhe në potencialitetet emocionale dhe ideore: thellësi mendimi, përplasje tragjike, kundrapunkte komike, kulme të fuqishme, hera herës poetike, por edhe spektakolare. “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” është një vepër që pasqyron fuqishëm natyrën tragji-komike të ekzistencës sonë dhe dhimbjen e të ekzistuarit. Por ajo është edhe një dramë e fuqishme sociale që ve gishtin në plagë të tilla si degradimi i familjes, varfëria, prostitucioni, incesti, etj. Ajo është gjithashtu një dramë që pasqyron poetikën e teatrit, e këtij tempulli të shenjtë, i kësaj kutie magjike ku buron pasioni dhe dashuria, ku zbulohet misteri i ekzistencës, por edhe zbavitja dhe spektakli. Realizimi i pjesës “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” në Teatrin tonë Kombëtar, i ka të gjitha gjasat të kthehet, jo vetëm në një ngjarje të rëndësishme kulturore kombëtare, por edhe në një diskutim të hapur artistik, në kohën dhe vendin e duhur, mbi problemet që kalon prej shumë dekadash, shoqëria jonë, por edhe teatri dhe publiku shqiptar.
Bukuria 2400-vjeçare e Beratit në 37 vepra arti në Prishtinë
Hasan Nallbani, Arben Golemi, Agron Polovina, Kastriot Dervishi dhe skulptori Nezir Ago, janë pesëshja e artistëve beratas, të cilët me vepra arti kanë sjellë në Prishtinë një pjesë të bukurisë së qytetit 2400-vjeçar. Ekspozita është hapur të mërkurën në mbrëmje në Galerinë e Arteve të Kosovës. Pesë artistët sipas kritikut të artit Mustafa Ferizi, me qasje të ndryshme në qasje, shprehje dhe trajtimin e përmbajtjeve, kanë të përbashkët dëshirën për të komunikuar sa më qartë. “Në këtë aspekt, përdorin figurën dhe figuracionin, zhanre të ndryshme artistike, portrete, nudo, e peizazhe”, ka thënë Ferizi.
Piktori Arben Golemi, pikturat e të cilit kishin zënë gjithë hapësirën e katit të parë të GAK-ut, veprat e tij dhe kolegëve të tij i ka quajtur punë modeste, të cilat flasin për qytetin dhe pikturën e tyre. “Në krijimtarinë time ruaj strukturën arkitektonike të veprave të mia gjithmonë brenda vlerave”, ka thënë Golemi. Ndërkaq piktori Hasan Nallbani, për të cilin ekspozita e së mërkurës ishte e dyta në Prishtinë, ka thënë se është kënaqësi e veçantë që rishtas të ekspozojë në një vend, i cili ndonëse ka emër tjetër është një me Shqipërinë. Drejtori i Galerisë së Arteve të Kosovës, Fahredin Spahija, ka thënë se brenda mandatit të tij, kjo është ekspozita e parë si fryt i bashkëpunimit me artistë nga Shqipëria. “Besoj se në të ardhmen këto bashkëpunime do të intensifikohen”, ka thënë Spahija, teksa ka shpallur të hapur ekspozitën. Zëvendësministrja e Kulturës, Lirije Kajtazi, ka thënë se janë artistët ata të cilët nuk presin nga politika, por gjithnjë punojnë për ta forcuar më shumë këtë bashkëpunim mes dy shteteve. “Ministritë e Kulturës do të jenë aty që ta mbështesin këtë bashkëpunim”, ka thënë Kajtazi.
9 Prill 2010