E Diel, 1 Nëntor 2026

Mafiozi plak i bandës së Sardës masakron familjen shqiptare



ITALI – Një shtetas italian, i njohur si një nga ish-drejtuesit e të ashtëquajturës Banda e Sardës në vitet ‘60 ka masakruar një familje shqiptare në Olbia të Italisë. Burime nga mediat italiane bëjnë të ditur se janë ekzekutuar dy shqiptarë dhe janë plagosur dy të tjerë, ku njëri prej tyre është një foshnje pesë muajsh, thuajse të gjithë anëtarë të një familje. Viktimat janë shtetasit Kasem Memaj, Gazmend Peka, ndërsa të lënduarit janë Ariana Zelo dhe foshnja e saj. Policia vendase arrestoi autorin e krimit, Nino Cherchin, 69 vjeç, i cili iu kishte dhënë me qira pronën e tij emigrantëve nga Shqipëria. Sipas të dhënave të para, shkak i krimit ka qenë një konflikt banal mes fqinjësh. Mediat lokale nuk përjashtojnë as mundësinë që konflikti të kishte lindur për shkak të pagesës së qirasë. Autori i vrasjes kishte një dyqan mishi fare pranë banesës ku jetonte me qira familja shqiptare. Ende nuk ka të dhëna për emrin e foshnjës, ndërsa 31-vjeçarja Zela, bashkëshortja e Gazmend Pekës, ka marrë dy plumba, njërin në kraharor dhe tjetrin në shpatull.

Përplasja
Qyteza Olbia në Itali është tronditur ditën e djeshme nga një krim i ndodhur mes një shtetasi italian dhe një familje shqiptare. Gazmend Peka dhe familja e tij, me origjinë nga veriu i Shqipërisë, emigrantë me letra të rregullta në vendin fqinj, prej disa kohësh është përfshirë në konflikt me Nino Cherchin. Ata banonin në një apartament, pronë e plakut nga Olbia, i cili kishte një dyqan mish në ndërtesën ku ishin edhe shqiptarët. Ai ishte në profesion kasap. As mediat vendase nuk japin shkaqet e vërteta, por mjaftohen me një sqarim të tillë: “Familjet janë konfliktuar për motive të dobëta”.
Por, askush prej shqiptarëve të atyshëm nuk e ka njohur historinë e mistershme të plakut Cherchi. Duke iu referuar të dhënave, 69-vjeçari ka qenë numri dy i bandës me emrin Sarda, e cila ishte kthyer në tmerrin e gjithë zonës gjatë viteve 60-70. Si për çudi, Nino nuk e ka harruar zanatin dhe ka vendosur të hakmerret ndaj shqiptarëve pas mosmarrëveshjeve që kishin lindur.

Vrasja
Kasapi Nino Cherchi ka lënë punën në dyqanin e tij, duke marrë armën që e mbante në shtëpi, një pistoletë tip bereta, të kalibrit 7,65 dhe ka hyrë në shtëpinë që iu kishte dhënë shqiptarëve. Brenda saj ndodhej Gazmend Peka me bashkëshorten dhe fëmijën që kishte ardhur në jetë pak muaj më parë. Nën shoqërinë e tyre ishte edhe bashkëkombasi i tyre, emigrant në Itali, Kasem Memaj. Të gjithë janë gjetur të papërgatitur për të reaguar. Pa thënë asnjë fjalë, plaku ka zbrazur karikatorin që kishte në folenë e pistoletës, duke hapur zjarr. Më pas ka futur edhe një karikatore tjetër, duke përgjakur gjithë shtëpinë. Për pasojë, gjetën vdekjen Gazmend Peka dhe Kasem Mema. Ata kanë marrë nga dy plumba në kokë. Po ashtu, u plagos Ariana Zelo, e cila ka marrë dy plumba në trup. Plumbat kanë kapur edhe foshnjën e vogël, por që plumbat nuk rrezikojnë jetën e saj. Nino ka dalë i qetë nga banesa, por më pas është arrestuar. 69-vjeçari, i cili kishte pak vite që kishte mbyllur dosjen e kriminalizuar me drejtësinë italiane, rihapi një kapitull të ri, pasi tashmë akuzohet për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve.
Sipas informacioneve që japin mediat e vendit fqinj, ngjarja mund të ketë ndodhur pas një grindje lidhur me pagesën e qirasë së banesës ku jetonin shqiptarët e cila ishte në pronësinë e autorit të krimit.
Kjo ngjarje ka sjellë tensione në jetën e qytetit të Olbias. Krime të tilla rikthejnë në vëmendjen e shoqërisë italiane raportet konfliktuale me ekstrakomunitarët, por kësaj radhe autor i krimit është një vendas.

EMRAT E SHQIPTARËVE
Kasem Memaj, 32 vjeç, - i vdekur
Gazmend Peka, 30 vjeç, i vdekur
Ariana Zelo, 31 vjeç, e plagosur
Foshnja 5 muajshe, e plagosur
Nino Cherchi, 69 vjeç, autori i krimit

Avokatët e protestës nisin të gjejnë provat për të ruajtur licencën

Avokatët që u ka shkuar emri në shkresat e gjykatës si më problematikët për mungesat e shumta nëpër seanca kanë nisur grumbullimin e provave për të ruajtur licencën. Pas shumë ankesave nga gjykatat, por edhe nga Ministria e Drejtësisë, ata duhet të justifikojnë punën e tyre si dhe mungesat e vazhdueshme në disa seanca pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Disa prej tyre shpjegojnë se u ka mbetur pak kohë për të tërhequr të gjitha procesverbalet e seancave, ku kanë të shënuar emrin dhe shkakun e mungesës. Secili nga 12 avokatët që ka emrin në listë do të paraqitet para këshillit që shqyrton ankesat dhe më pas pretendimet e ngritura do të dërgohen në Ministrinë e Drejtësiësë. Një pjesë e avokatëve rrezikojnë licencën dhe një pjesë e tyre gjobë. Nga ana e tyre avokatët pretendojnë se kanë vepruar në mbështetje të ligjit, pa cënuar aspak seancat dhe solemnitetit në gjyq. Shkresa nga ministri mbërriti në Dhomën Kombëtare të Avokatisë më 19 mars, ndërkohë që secilit avokat që është propozuar për masë disiplinore i është vënë në dijeni përmbajtja e saj dhe numrat e shkresave-ankesë të ardhura në ministri nga gjyqtarët. Dymbëdhjetë avokatët duhet të justifikojnë para Këshillit shkaqet që i kanë detyruar të braktisin gjyqet dhe të shndërrohen në një problem të madh. Sipas shkresës që mban numrin 2268, e datës 19.03.2010, ministri Nishani i drejtohet Dhomës Kombëtare të Avokatisë se “duke vlerësuar shqetësimet e vazhdueshme të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, kërkoj procedimin disiplinor të 12 avokatëve”.

Lista e avokatëve të propozuar për procedim

Dritan Trifka
Riza Hicka
Detar Hysi
Jalldyz Kastrati
Donata Selmanaj
Vjollca Pustina
Petraq Semani
Sajmir Vishaj
Ferdinand Doja
Pal Prekperaj
Erind Gërmenji
Vladimir Gërmenji

Tregtia e paligjshme e celularëve ndalon 7 persona

DURRËS – Shtatë tregtarë ambulantë celularësh janë ndaluar nga policia e Durrësit për aktivitet të paligjshme. Agjentët e Krimit Ekonomiko-Financiar organizuan dje një operacion për të goditur fenomenin e kontrabandës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ka nisur hetimi në gjendje të lirë ndaj shtetasve: E.E, 33 vjeç, banues në lagjen Nr. 14, A.N., 33 vjeç, banues në lagjen Nr. 15, R. H., 23 vjeç, banues në lagjen Nr. 9, D. H., 28 vjeç, banues në lagjen Nr. 17, F. G., 36 vjeç, banues në lagjen 13, K. K., 26 vjeç, banues në lagjen 14 dhe A. D., 34 vjeç, banues në lagjen Nr. 9. Sipas njoftimit zyrtar, janë sekuestruar rreth 235 aparate celulare të llojeve të ndryshme. Policia njofton se tregtarët nuk kishin asnjë dokument origjine për aparatet që tregtonin. Ato janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe materialet në ngarkim të shtatë shtetasve iu kaluan për hetime të mëtejshme prokurorisë, pasi ata akuzohen për veprën penale të “tregtimit të mallrave kontrabandë”.

Arrestohet shoferi, aksidentoi për vdekje 60-vjeçarin

KRUJË – Një drejtues mjeti është arrestuar pasi ka aksidentuar me pasojë vdekje një 60 –vjeçar. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 18.30, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Fran Vathi, 45 vjeç, banues në fshatin Murqin Bubq të rrethit të Krujës. Sipas tyre, “dy ditë më parë, rreth orës 10.30, në afërsi të Urës së Gjolës, në kohën kur drejtonte automjetin furgon tip Ford me targa DR 8339 B, ka aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasin Zenel Xheka, rreth 60 vjec, banues ne Fushë Krujë, i cili po udhëtonte me një biçikletë”. Menjëherë pas aksidentit drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes dhe Komisariati i Policisë Krujë ka bërë shpalljen në kërkim të tij. Brenda një kohe të shkurtër, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen e këtij shtetasi.

Vdes 50-vjeçari, bie nga skelat e pallatit në ndërtim

LEZHË – Kadri Çoba ka gjetur vdekjen në një aksident të ndodhur dje teksa po kryente punimet në një pallat të ri në qytetin e Lezhës. Burimet policore bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 10.00 në ndërtesën që po ngrihet pranë Ndërmarrjes Elektrike Lezhë. Viktima, në moshën 50 vjeç, u rrëzua nga skela teksa po kryente punime në pallatin e ri. Çoba banonte në Tirane dhe udhëtonte çdo ditë në Lezhë. Burimet policore bëjnë të ditur se kanë nisur hetimet për këtë ngjarje dhe po shihet nëse kompania private i respektonte rregullat e sigurimit teknik.

Prangoset autori i plagosjes së dyfishtë

SHKODËR – Një person, autor i plagosjes së dy të rinjve është prangosur nga policia. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se mbrëmjen e së mërkurës arrestuan shtetasin Helidon Sokoli (Marku), i dënuar më parë për trafikim mjetesh motorike. Sipas tyre, dy ditë më parë, rreth orës 21.45, në lagjen “3 Herojtë” në qytetin e Shkodrës, pikërisht tek vendi i quajtur “Kryqëzimi i plepit” pas një konflikti të çastit, ka qëlluar me armë zjarri tip pistoletë, shtetasit Gj. Marashi, 21 vjeç dhe A.Vatnikaj, 24 vjeç, të dy këta banues në lagjen “Skenderbeg”. Të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës. “Autori i krimit është larguar nga vendi i ngjarjes, dhe shërbimet policore janë venë menjëherë në ndjekje të tij, duke bërë kështu të mundur kapjen pas disa orësh të Helidon Markut në një banesë të të afërmve të tij”, - thotë burimet policore.

Çarku 4 prangos 6 vetë në Elbasan

ELBASAN – Një operacion policor i koduar me emrin “Çarku 4” ka çuar në pranga 6 persona të kërkuar nga drejtësia. Policia e Elbasanit bëri të ditur dje se janë arrestuar shtetasit Pëllumb Tafani, Eris Bashkim Skënderi, Vjollca Hoxha, Hektor Kamberaj, Fatos Kurmaku dhe Luan Vekollari. Ndaj tyre rëndonin akuza të ndryshme si “plagosje”, “mashtrim” “trafikim”, etj. Burimet policore bëjnë të ditur se Vjolla Hoxha ishte shpallur në kërkim për braktisjen e fëmijës së saj. Ndaj personave të ndaluar po kryhen procedurat ligjore.

9 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›