E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Durrësit, Tafaj propozon hapjen e dy degëve të reja



Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, propozon hapjen e dy degëve të reja në Fakultetin e Studimeve të Integruara me Praktikën të Universitetit të Durrësit. I pranishëm në tryezën e rrumbullakët “Integrimi i teorisë me praktikën, sukses i garantuar”, të zhvilluar dje në Fakultetin e Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP), ministri Tafaj ftoi të pranishmit për të diskutuar mbi mundësitë e hapjes së dy drejtimeve të tjera të studimeve si: Menaxhimi i Turizmit dhe Menaxhimi i Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme. Duke e vlerësuar si krejt të re përvojën tre vjeçare, të studimeve të integruara me praktikën, Tafaj e cilësoi filozofinë e studimeve sipas këtij modeli, si thelbin e një përgatitjeje solide, jo vetëm teorike, por edhe praktike gjatë kohës së studimeve. Në fund, ministri i Arsimit, falënderoi partnerët e biznesit, GTZ dhe qeverinë gjermane për këtë mbështetje konstante të projektit nga i cili vitin tjetër diplomohen studentët e parë.

UT nënshkruan kontrata pune, për tre të doktoruar në perëndim

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka vendosur dje nënshkrimin e kontratave të punës për tre të doktoruar në universitete perëndimore, pa kaluar procedura të mëtejshme. “Tre kolegët e rinj, që prej ditës së sotshme janë pjesë e Universitetit të Tiranës kanë treguar aftësi të veçanta akademike. Ata kanë përfunduar studimet në universitete prestigjioze të huaja, prej nga kanë marrë edhe PHD. Për këtë arsye, unë kam vendosur, në shenjë mbështetjeje për ekselencën shqiptare, punësimin e tyre të menjëhershëm dhe pa procedura të mëtejshme në stafin pedagogjik të Universitetit të Tiranës”,- deklaroi rektori Kule. Mbështetjen për tre pedagogët e rinj e shprehën edhe përgjegjësit e departamenteve të Kirurgjisë, të Drejtës Penale dhe Sëmundjeve të Zemrës, ku do të punojnë tre doktorët. Doktorët e sapoemëruar në radhët e Universitetit të Tiranës janë Arvin Dibra, Alban Dibra dhe Sokol Mëngjesi.

Dje, Dita Ndërkombëtare e Romëve, Rama në ceremoni festive me komunitetin

Bashkia e Tiranës kujtoi “Ditën Ndërkombëtare të Romëve” me një iniciativë paqeje, të hapur për të gjithë, duke organizuar një aktivitet në rrugën “Ded Gjo Luli”. Pas përshëndetjes në gjuhën rome si dhe duke e cilësuar komunitetin rom si një popullsi me vlera të padiskutueshme dhe një pasuri të madhe të kulturës së qytetit tonë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, u shpreh ndër të tjera se është një kënaqësi gjithmonë të jesh mes tingujve dhe muzikës rome. Në aktivitet u paraqit në formën e një ekspozimi të hapur në dy çadra, “Panairi i artizanëve romë” ku u prezantuan punime artistike në dru, bakër, baltë, informacion e literaturë nga jeta e kultura rome si dhe vizatime e piktura të fëmijëve, që frekuentojnë qendrat ditore të organizatave pjesëmarrëse në aktivitet dhe që kanë për qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve në lidhje me të drejtat e tyre.

9 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›