E Shtunë, 31 Tetor 2026

ZRPP kontratë me danezët për 50 zona të reja kadastrale në të gjithë vendin



Ervin KOÇI

Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP) dhe kompania daneze “BlomInfo A/S” nënshkruan dje kontratën për Regjistrimin Fillestar të 50 zonave të tjera kadastrale, në mbarë vendin. Regjistrimi Fillestar në këto 50 Zona Kadastrale, përfshin Regjistrimin Fillestar të rreth 190 mijë pasurive, në zonat urbane, në disa qytete të Shqipërisë. Kontrata ka një afat 2-vjeçar dhe përfundon në prill të vitit 2012. Për ZQRPP-në kontrata u nënshkrua nga Kryeregjistruesi i Republikës, Arben Qirjako, ndërsa për palën daneze kjo kontratë u nënshkrua nga Kristian Skak-Nielsen, Drejtori i kompanisë, “BlomInfo A/S”.

Tenderi
Përzgjedhja e kompanisë daneze, si fituese për regjistrimin e 50 Zonave Kadastrale, u bë pas një tenderi ndërkombëtar, të organizuar nga ZQRPP, me miratimin e Bankës Botërore. Ndërsa përzgjedhja e zonave, që do ti nënshtrohen projektit të Regjistrimit të tyre Fillestar, u përzgjodhën nga një grup ndërministror, i kryesuar nga Ministri i Drejtësisë. Organizimi i këtij tenderi është pjesë e Projektit për Administrimin dhe Menaxhimin e Tokës, i iniciuar nga Qeveria Shqiptare dhe i financuar nga Banka Botërore. Ndërkohë, si pjesë e këtij projekti të financuar nga Banka Botërore, një tjetër kompani është duke punuar për Regjistrimin Fillestar të rreth 120 mijë pasurive të tjera, në 22 Zona Kadastrale, përfundimi i të cilave pritet të ndodh në maj të vitit 2011.

Regjistrimi
Në Shqipëri po ndërtohet Sistemi i ri i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bazuar në Ligjin Nr. 7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” (i ndryshuar). Baza e këtij sistemi krijohet nëpërmjet procedurës së Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme nën drejtimin e Kryeregjistruesit të Shqipërisë. Për të mbështetur ndërgjegjësimin publik dhe pjesëmarrjen e pronarëve, paralel me këtë projekt, financuar po nga Banka Botërore po zhvillohet edhe Projekti “Fushata e Ndërgjegjësimit Publik për të mbështetur regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.

9 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›