Ndryshojnë rregullat për hapjen e një farmacie të re
Jonida Tashi
Ndryshojnë sërish rregullat për hapjen e një farmacie të re në vend. Strukturat e Urdhrit të Farmacistit, që nga momenti që licencat për hapjen e farmacive filluan të jepen nga Qendra Kombëtare e Licencimit (QKL), kanë evidentuar një shkelje sistematike të nenit 30, pika 2 të ligjit “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” që rregullon largësinë 100-150 metra midis farmacive të reja dhe atyre ekzistuese. Të ndodhur në këtë situatë dhe në bazë të ligjshmërisë që rregullon profesionin dhe shërbimin farmaceutik, në bazë të vendimit nr.9 datë 29.01.2010 “Për një kriter shtesë në procedurën e aplikimit për drejtues teknik në një farmaci të re” të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Farmacistit të Shqipërisë (UFSH), çdo farmacist që aplikon për drejtues teknik të një farmacie të re duhet të paraqesë pranë Urdhrit planvendosjen e farmacisë së re, ku largësia nga farmacia ekzistuese më e afërt të jetë mbi 100 metra. Planvendosja duhet të jetë e firmosur dhe e vulosur nga një inxhinier i licencuar dhe nga presidenti i këshillit rajonal përkatës. Sipas Urdhrit të Farmacistit, arsyeja kryesore që e bëri të nevojshëm këtë vendim është se Urdhri nuk mund të lejojë një farmacist të ushtrojë profesionin e farmacistit, në këtë rast në funksionin e drejtuesit teknik, në një aktivitet që thyen hapur ligjet që rregullojnë profesionin.
Udhëzimi
Çdo farmacist që aplikon si drejtues teknik për hapjen e një farmacie të re duhet të paraqesë pranë këshillit rajonal përkatës planvendosjen e farmacisë së re, të
nënshkruar nga një inxhinier i licencuar, ku të jetë e përcaktuar se distanca nga farmacitë ekzistuese të mos jetë më e vogël se 100 metra. Sipas urdhrit të firmosur së fundi nga Presidenti i Urdhrit të Farmacistit, Arian Jaupllari, nuk do të pranohen për shqyrtim planvendosje që kanë të përcaktuar distanca më të vogla se 100 metra nga farmacitë ekzistuese. Planvendosja i dorëzohet presidentit, zëvendëspresidentit ose sekretarit të këshillit rajonal ku drejtuesi teknik do të ushtrojë profesionin. Këshilli rajonal, presidenti përkatës dhe zyra e UFSH-së, brenda shtatë ditësh pune nga momenti i dorëzimit, duhet të konstatojnë vërtetësinë e planvendosjes së paraqitur, kjo në bazë të rregullores dhe procedurave përkatëse që përdor Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave (distanca më e vogël e përshkueshme nga këmbësoret, e matur aks më aks të jetë jo më e vogël se 100 metra).
Verifikimi
Menjëherë pas dorëzimit të planvendosjes për hapjen e një farmacie të re, strukturat përkatëse do të nisin verifikimin e saj. Kështu, sipas udhëzimit të ri, konstatimin faktik i vërtetësisë së planvendosjes do të kryhet nga një grup i përbërë nga sekretari i përgjithshëm, specialisti farmacist i aparatit qendror të UFSH-së, presidenti, zëvendëspresidenti (në raste të veçanta një pjesëtar tjetër i këshillit rajonal përkatës) dhe sekretari i rajonit ku do të ushtrojë profesionin drejtuesi teknik. Gjatë konstatimit duhet që të jenë prezent minimalisht tre anëtarë nga grupi i mësipërm, një prej tyre duhet të jetë detyrimisht prej aparatit qendror të UFSH-së. Realizimi i kësaj procedure që nga ngritja e grupit të punës deri në firmosje të planvendosjes është përgjegjësi e presidentit të këshillit rajonal të aplikuesit për drejtues teknik, brenda afatit kohor të përcaktuar. Në rast se konstatohet vërtetësia e planvendosjes, atëherë brenda një dite pune, duhet të nënshkruhet dhe vuloset nga presidenti i urdhrit, ku drejtuesi teknik do të ushtrojë profesionin dhe të vihet në dispozicion të aplikuesit për drejtues teknik. Në rast konstatimi të pavërtetësisë së planvendosjes, kjo e fundit nuk firmoset dhe çështja çohet për gjykim disiplinor në këshillin rajonal përkatës, gjithashtu mbahen shënim gjeneralitetet e inxhinierit i cili ka nënshkruar planvendosjen në fjalë.
9 Prill 2010