E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pirandelo sukses në Teatrin Kombëtar



Pas një suksesi që pati në Teatrin Kombëtar këtë fundjavë për publikun kryeqytetas në data 23, 24 dhe 25 prill u rikthye komedia “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, nga shkrimtari me famë botërore Luixhi Pirandelo. Kjo pjesë erdhi e realizuar dhe e zgjedhur nga regjisori Mehmet Xhelili, nën lojën e Fatos Selës, Eftjola Laçkajt, Marjeta Ljarjas, Dritan Boriçit, Olta Dakos, Fadil Kujovskës e Olta Gixharit. “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” (1921), është një nga veprat më të rëndësishme të dramaturgjisë botërore të shekullit të njëzet. Në të është përmbledhur gjithë gjenia krijuese dhe pasioni i madh për teatrin i një prej fituesve të çmimit Nobel, shkrimtarit dhe dramaturgut italian Luixhi Pirandelo. Subjekti i saj mbështetet në një gjetje të mrekullueshme, sa të çuditshme e spektakolare, aq edhe tronditëse e emocionante, sa tragjike, aq edhe komike. Në të trajtohet një gamë e gjerë problemesh të karakterit psikologjik, social, filozofik dhe universal. Subjekti është tejet interesant, ku në skenën e një teatri ku një trupë aktorësh janë duke bërë prova në një ditë të zakonshme, shfaqen nga kushedi se ku, gjashtë personazhe. Kur regjisorja i pyet se përse kanë ardhur, ata i përgjigjen se kërkojnë një autor, sepse, një autor tjetër, pasi i ka krijuar në fantazinë e tij , i ka refuzuar dhe nuk i ka futur në botën e artit. Natyrisht, një përgjigje e tillë shkakton të qeshura të papërmbajtura tek aktorët dhe regjisorja. Pas këtij reagimi, personazhet përgjigjen të fyer dhe të prekur se ata mbartin një dramë tepër të dhimbshme që ata e kanë brenda vetes dhe e vuajnë, një dramë që merr frymë, flet, lëviz vetë dhe prandaj këmbëngulin që të shfaqet në skenë. Drama e tyre ka në qendër një familje e cila përbëhet nga babai, thjeshtra, nëna, biri, vogëlushja dhe djaloshi; është një familje e ngatërruar në një histori tepër interesante dhe tronditëse. Pas rrëfimit të kësaj historie, regjisorja, e emocionuar dhe e ngacmuar artistikisht, vendos që trupa ta luajë dramën në skenë edhe pse mungon autori. Rezultati që përftohet në përpjekje për të vënë në skenë këtë dramë është një përzierje e tragjikes me komiken, e fantastikes me realisten, një situatë humoristike, tepër e veçantë dhe komplekse. Dramën e përmban historia që rrëfehet nga vetë personazhet pjesëmarrës, kurse, komedia vjen nga përpjekja e kotë që kjo dramë të mund të realizohet në skenë sepse personazhet nuk bien dakord me aktorët dhe, madje përfshihen në një konflikt me kthesa humoristike se kush janë më të rëndësishëm, ata, personazhet, apo njerëzit e gjallë.
Realizimi i pjesës “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” në Teatrin tonë Kombëtar, është kthyer, jo vetëm në një ngjarje të rëndësishme kulturore kombëtare, por edhe në një diskutim të hapur artistik, në kohën dhe vendin e duhur, mbi problemet që kalon prej shumë dekadash, shoqëria jonë, por edhe teatri dhe publiku shqiptar.

Babai i presidentit francez Sarkozi hap një ekspozitë pikture
Pal Sarkozy, babai i presidentit francez, Nikola Sarkozi, ka hapur një ekspozitë me punimet e tij. Ekspozita ësht hapur në Espace Cardin në Paris. Babai 82 vjeçar i presidentit francez, i ka krijuar pikturat e tij në bashkëpunim me artistin gjerman të kompiuterave, Ëerner Hornung. Një portret i Karla Bruni -Sarkozi, të cilin ai e ka bërë pasi ajo u martua me të birin pritet që të shfaqet në ekspozitë, por portreti i presidentit francez, nuk do të jetë mes veprave të ekspozuara. Pak javë më parë, Pol Sarkozy, botoi librin e tij me titull “Kaq shumë jetë”. Ai tregon se si ka mbërritur nga Hungaria në Francë në vitin 1948, dhe tregon që natën e parë ka fjetur në një stol në shëtitoren Shans Elize. Këto momente të vështira të jetës së tij, janë hedhur në tablonë me të njëjtin titull me librin “Kaq shumë jetë”. Kjo tablo do të ekspozohet në ekspozitën e tij, e cila do të jetë e hapur deri në 9 maj.

Nis audicioni “Shqipëria është kulturë”
Audicioni i evenimentit “Shqipëria është kulturë” ka vijuar me promovimin e talenteve të reja në të gjitha zhanret artistike në sallën Cehov të Teatrit të Metropolit me nxënësit e shkollave të rrethit të Tiranës dhe Kurbinit. Juria me përfaqësues poetin e këngëve Agim Doçi si dhe rektori i Universitetit Europian të Turizmit Salvatore Mesina shprehin pjesëmarrjen e lartë të të rinjve edhe nga trojet. Të rinj nga mbarë Shqipëria po garojnë në muzikë, pikturë, kërcim apo aktrim për të konkurruar nga datat 6-9 Maj në parkun Arkeologjik të Apolonisë dhe për të fituar Çmimin e Madh si dhe për tu bërë pjesë e një turneu në disa kryeqytete të Evropës me destinacion Brukselin në javën e kulturës evropiane. Fituesit kryesor në mënyrë simbolike do të emërtohen “Ambasadorët e Kulturës Bashkëkohore Shqiptare”.

MTKRS, prezantohet më dy projekte kulturore në Mal të Zi
Në datat 23 dhe 24 prill 2010, një delegacion i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kryesuar nga Ministri, Ferdinand Xhaferaj i cili mori pjesë në dy Konferencat e Ministrave të Kulturës të vendeve të Europës Jug Lindore, që u mbajtën në Cetinjë të Malit të Zi, vend i cili mbante presidencën e radhës të Këshillit të Ministrave të Kulturës të vendeve të Europës Jug Lindore si dhe të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit.
Në këto dy Konferenca morën pjesë Ministriat e Kulturës të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje – Hercegovinës, Kroacisë, Rumanisë, Serbisë, Moldavisë, Zv Ministri i Kulturës i Bullgarisë, Ministri i Shtetit i Rumanisë. Shtetet si Greqia dhe Turqia u përfaqësuan me Ambasadorët respetivë të akredituar në Mal të Zi. Më 23 prill 2010, pas takimit të grupit Ndërkombëtar të Punës, ku morën pjesë ekspertë të MTKRS, u zhvillua Konferenca e 6-të Ministrore mbi Trashëgiminë Kulturore në Europën Jug Lindore në kuadër të nismës rajonale “Trashëgimia Kulturore – Një Urë drejt të Ardhmes së Përbashkët” e mbështetur nga UNESCO nëpërmjet Zyrës së UNESCOs në Venecia, si vazhdim i bashkëpunimit rajonal të filluar me Konferencën në Mostar (2004), e ndjekur nga Konferenca e Venecias (2005), Ohrit (2006), Zadarit (2007) dhe Bukureshtit(2008). Konferenca e 6 Ministrore përfaqësoi një pikë kthese në bashkëpunimin e deritanishëm pesëvjeçar. Me dëshirën e përbashkët për të patur një vështrim strategjik rajonal për ruajtjen dhe promovimin e trashigimisë kulturore, objektivi dhe programi i Konferencës u frymëzohen nga “Rekomandimet e Sofies” miratuar nga Grupi Ndërkombëtar i Punës, të cilat synojnë përcaktimin e një Plani të ri Veprimi për shtimin dhe përmirësimin e trashëgimisë kulturore të Europës Jug Lindore si burim i përbashkët për dialog dhe zhvillim të qëndrueshëm, për t’u paraqitur dhe miratuar nga Konferenca. Në fund të këtij takimi u inaugurua dhe ekspozita ‘Ecja përpara: Arti Kontemporan i Europës Jug Lindore, ku morën pjesë dhe tre artistë të rinj shqiptarë: Heldi Pema,Dorina Arapi dhe Ilir Kaso, pjesëmarrja e të cilave u mbështet nga MTKRS. Ta tre artistet shqiptare treguan me figura dhe mënyra krejt individuale këndvështrimet e tyre mbi realitetin dhe mbi fenomenet urbane qe i përkasin njeriut. Krijimtaria e tyre u përzgjodh për të shprehur urët lidhëse midis kulturave në rajon dhe për të bashkëbiseduar me anë të krijimtarisë artistike. Ministria e TKRS prezantoi dy projekte madhore: Festivalin Europian të Koreve, i cili do të organizohet në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, me 16 – 18 tetor 2010, si dhe projektin për krijimin e një filarmonie ballkanike me pjesëmarrjen e artisteve instrumentiste të rinj nga të gjithë vendet e rajonit. Ky projekt do të marrë formën e vet gjatë presidencës rumune të Këshillit të Ministrave të Kulturës të vendeve të Evropës Jug Lindore, e cila do të jetë nga prilli 2010 – prilli 2011.

27 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›