Piraniqi u arratis për së dyti nga komisariati
31-vjeçari u prangos tek ish-stacioni i trenit në Durrës, ndërsa me vete iu gjet edhe një sasi e vogël droge
Dy policët që duhet ta ruanin, janë pezulluar ndërsa ndaj tyre është ngritur akuza e "shpërdorimit të detyrës"
KAVAJË - I arratisuri për të dytën herë nga Komisariati i Kavajës, 31-vjeçari, Edmond (Pezaku) Piraniqi, kapet tek ish-stacioni i trenit në Durrës.
Ai ka ndjekur të njëjtën skemë arratisjeje me atë të 5 viteve më parë, duke u hedhur nga tarraca e komisariatit pa u vënë re nga askush.
Por "shfaqja" dhe aventura e arratisjes nuk zgjati më shumë se 24 orë. Madje në momentin e arrestimit (për të dytën herë) atij i është gjetur me vete edhe 4 gramë lëndë narkotike e llojit heroinë.
Tashmë, përveç akuzës për "kanosje me armë zjarri" mbi Piraniqin rëndojnë edhe akuzat e "mosbindjes ndaj urdhrave të policisë" dhe "trafikim dhe mbajtje të lëndëve narkotike".
Skema e arratisjes
Piraniqi ishte person i skeduar nga forcat e rendit për "vjedhje" dhe "trafikim e mbajtje të lëndëve narkotike".
Para 5 vjetësh është bërë shoqërimi i tij për në komisariatin e Kavajës, si i dyshuar për vjedhje dhe trafikim e shpërndarje të lëndëve narkotike. Arrestimi i tij nuk u shoqërua me masa të rrepta sigurie nga ana e punonjësve të policisë, gjë që i dha mundësinë Edmondit të ndërmerrte nismën për arratisje, duke e kryer atë me sukses.
E njëjta skemë veprimi është përsëritur mëngjesin e 11 marsit rreth orës 08:30. Piraniqi duke e njohur mirë ambientin e brendshëm të godinës së Komisariatit, pasi ishte shoqëruar disa herë për t'u marrë në pyetje, ka përfituar nga një moment pakujdesie i dy "gardianëve" që ishin me shërbim në atë kohë.
Ai mbahej në dhomat e paraburgimit, në pritje të vendimit për masën e arrestit. Gjatë kësaj kohe, dera e dhomës ku mbahej Edmondi nuk ishte kyçur dhe policët nuk po e mbanin nën vëzhgim. Kështu, duke parë rrethanat lehtësuese që iu krijuan, Piraniqi ka ndjekur strategjinë e mëparshme për t'u arratisur.
Nga kati i parë i komisariatit është ngjitur në tarracën e katit të tretë nëpërmjet shkallëve, dhe që aty është hedhur në soletën e katit të dytë e më pas në tokë (nga ana e pasme e godinës së komisariatit).
Të gjitha këto veprime janë kryer brenda pak minutash dhe pa u vënë re nga punonjësit e policisë . Pasi ka kapërcyer murin rrethues të komisariatit, është larguar pa lënë gjurmë.
Ngjarja sipas policisë
Sapo është vënë re mungesa e 31-vjeçarit në ambjentet e Komisariatit të Kavajës është bërë shpallja në kërkim e Edmond Piraniqit dhe janë njoftuar të gjitha forcat e rendit në terren dhe patrullat e policisë rrugore. Janë kontrolluar mbi 30 banesa në Kavajë dhe Durrës ku dyshohej se mund të strehohej i arratisuri.
Ndërkohë u mor masa e pezullimit nga puna për dy policët që ishin në shërbim gjatë kohës së arratisjes. Gjithashtu pritet të nisë procedimi penal ndaj tyre nën akuzën "shpërdorim detyre".
Hajdarmetaj: Ndeshja vonoi në kapjen e të arratisurit
Shefi i komisariatit të Kavajës, Bajram Hajdarmetaj, bën të ditur skemën e aksionit të ndërmarrë nga forcat e rendit për kapjen e Piraniqit mëngjesin e së enjtes, ora 9:30 kur u bë riarrestimi. "Shpërndamë të gjitha grupet e punës në drejtime të ndryshme, si dhe lajmëruam të gjitha postblloqet e qyteteve përqark.
Por ndeshja Besa-Shkumbini që u zhvillua dje në qytetin e Kavajës, na shkaktoi shumë vonesa dhe avari në punën kërkimore të të arratisurit, pasi na u desh të tërhiqnim të gjithë grupet e gatshme për të ruajtur rendin në stadium.
Kjo na mori rreth 5 orë kohë, të cilat po të shfrytëzoheshin për kërkimin e Piraniqit, kapja e tij do të ishte bërë e mundur edhe më shpejt".
Gjatë mbrëmjes, policia kishte ushtruar kontrolle të gjithanshme, por vetëm në mëngjes është arritur lokalizimi i Piraniqit pranë ish-stacionit të trenit.
Vendonddhja e tij është bërë e mundur të zbulohet nga disa persona me të cilët kishte kontaktuar në telefon Piraniqi pas arratisjes. Ky i fundit kishte kaluar natën brenda një vagoni të braktisur në Durrës.