E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, myftiu: Jemi pronarë me letra, jo me prona

Kreu i myftinisë shprehet se pavarësisht fitimit të të gjitha shkallëve të gjyqësorit, gjithçka ka mbetur në letër


VLORË - "Deri tani nuk kemi prekur asgjë!" Deklarata që tashmë nuk është e panjohur për pronat e komuniteteve fetare vjen e tillë edhe nga ana e përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman të Vlorës. Kreu i myftinisë së Vlorës, Hito Shahaj, pohon se çështja e pronave jo vetëm që mbetet e pazgjidhur, por është edhe një pengesë për të operuar me çështje që kërkojnë zgjidhje nga autoritetet e këtushme. Lidhur me pronat që i përkasin këtij komuniteti fetar, Shahaj pohon se është një listë e gjatë me troje e rrënjë ullinjsh, por ndërsa këto thjesht dokumentohen, janë prona të cilat konkretisht nuk i kanë marrë ende.


Zoti Shahaj, dihet që çështja e pronave për komunitetet fetare ka hasur në shumë pengesa. Si është situata për këtë në Vlorë?
Është një çështje që vijon prej vitesh.

Ne i kemi dokumentacionet e plota për pronat që i përkasin institucionit tonë, por ende nuk i kemi këto sipërfaqe në zotërim. Janë rreth 1600 rrënjë ullinj në një zonë të afërt, të cilat i kemi të evidentuara si pronë, përveç trojeve që kemi në qytet dhe në zonat e fshatrave.

Nuk na ka ardhur përgjigje për kompensim apo për të kaluar te ne nga Zyrat e Kthimit dhe Kompensimit të pronave.
Konkretisht, keni pasur pasoja nga zvarritja e çështjes së pronave?


Një ndër problemet kryesore që vjen si pasojë e kësaj, është se ne nuk ndërhyjmë dot në zonat ku kemi troje për ndërtimin e xhamive apo objekteve të kultit në fshatrat e Vlorës. Ka fshatra, kryesisht ato të lumit të
Vlorës, ku janë thuajse 100% myslimanë dhe na vijnë shpesh kërkesa nga ata për të pasur një xhami në këto zona dhe ngërçi qëndron te çështja e pazgjidhur e pronave.


Ende nuk e dimë se kur do të zhbllokohen këto procedura, por deri tani ato nuk njohin një trajtim konkret. Në Vlorë janë dy xhami në qytet, ajo e Plumbit dhe Xhamia e Kuqe, si dhe ka dy të tjera në Panaja dhe në Fushë-Dukat.

Ne kemi troje edhe në fshatra të tilla, si në Sevaster e zona të tjera të thella, por nuk po i zgjidhim dot për të kaluar tek ne.
Kur ende nuk i keni pronat, aktualisht te cilat të ardhura bazoheni?


Të vetmet të ardhura për ne mbeten ndihmat që na vijnë nga besimtarët, por kjo nuk është ajo çka ne do të donim të mbështeteshim.
Keni procedura të hapura në gjyqësor?


Nuk ka ngecur procesi në gjyqësor, pasi ne aty i kemi të mbyllura. Vetëm nëse do të na kërkojnë që t'i rikthehemi ndonjë procedure të tillë...

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›