Lezhë, grabitje me maska në mes të ditës
Tre persona kanë ruajtur lëvizjet e punonjësve dhe kanë arritur të grabisin një shumë prej 5 milionë lekësh
Nga ana e hetuesve të çështjes dyshohet se grabitësit janë ndihmuar nga njerëz të brendshëm të postës
LEZHË - Persona të maskuar dhe të armatosur kanë mundur të grabisin 5 milionë lekë të reja, pjesë e fondit për pensionistët në qytetin e Lezhës, të cilat sapo ishin tërhequr nga punonjësit e Postës në filialin e bankës BKT.
Qytetarët lezhjanë janë bërë protagonistë të një shfaqjeje spektakolare të grabitjes së 5 milionë lekëve në mes të ditës dhe në mes të qytetit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 të së enjtes vetëm 100 metra nga qendra e qytetit në një kohë dhe vend mjaft të populluar.
Nga burime pranë komisariatit të policisë Lezhë, mësohet se ende nuk janë identifikuar autorët, si edhe nuk është gjetur mjeti me të cilin u krye grabitja.
Grabitja
Autorët e kësaj grabitjeje kanë ndaluar me mjetin e tyre përballë filialit të bankës BKT që ndodhet në bulevardin "Gjergj Fishta".
Siç mësohet nga hetimet e para policore, ata kanë qenë të informuar mbi çdo lëvizje të personave të autorizuar për të kryer këtë veprim në bankë, duke e pasur në këtë mënyrë më të lehtë të realizonin qëllimin e tyre.
Tre grabitësit kanë qëndruar brenda në makinën e tyre tip "volksvagen" me targa të huaja për gati 30 minuta, duke pritur që punonjësit të dalin nga banka.
Sapo kanë parë që punonjësit së bashku me paratë e marra po dilnin nga dera e bankës, ata janë maskuar dhe kanë bërë gati armët e tyre.
Në rrugën kryesore grabitësit kanë dalë nga mjeti i tyre dhe nën të shtënat e armëve kanë rrethuar prenë e tyre, duke i kërcënuar dhe detyruar 2 gratë e postës dhe policin të ndalojnë.
Ata janë ofruar dhe fillimisht kanë neutralizuar efektivin e policisë private që punonte pranë postës duke e shtrirë për tokë.
Pasi kanë konstatuar qesen ku ndodhej shuma e parave, e kanë marrë dhe janë futur në makinë duke qëlluar në ajër.
Në pak minuta bulevardi kryesor është boshatisur nga frika. Ata janë larguar menjëherë nga vendngjarja me mjetin e tyre në drejtim të Shkodrës.
Hetimet
Ekspertë të policisë kriminale në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë po hetojnë në lidhje me ngjarjen që bëri bujë në qytetin e vogël të Lezhës, kjo edhe për mënyrën sesi u krye grabitja.
Dyshimet e para flasin për një grabitje të mirorganizuar, ndërsa nuk shmanget mundësia e përfshirjes në të edhe e personave të tjerë.
Duke iu referuar faktit që autorët ishin në pritje të kryerjes së veprimit nga punonjësit e postës, ka dyshime të forta për një sinjalizim të tyre nga persona brenda këtij sektori. Fakti që nuk është identifikuar ende mjeti që u përdor në këtë grabitje, ka hedhur dyshime se mund të jetë vjedhur më parë nga këta persona për t'u përdorur pikërisht në këtë grabitje.