Tërhiqet uji nga Shkodra, thahen 2060 hektarë
Në periferi të qytetit uji është larguar nga lagjet, ndërkohë që vazhdojnë të mbeten të përmbytur 9340 hektarë
Në 24 orët e fundit në Shkodër uji ka lëshuar 2000 hektarë të sipërfaqeve të zëna nga përmbytjet e pak ditëve më parë dhe sipas Ministrisë së Brendshme, situata është në përmirësim e sipër. Sipas informacioneve të marra dje nga Ministria e Brendshme, vazhdojnë të mbeten nën ujë 9340 hektarë nga 11400 që ishin ditën e mërkurë. Edhe numri i shtëpive të përmbytura është ulur, tani nën ujë janë 2169 banesa. Përmirësime të dukshme ka pasur në qytetin e Shkodrës, ku në lagjet periferike të tij uji është larguar.
Situata vazhdon të paraqitet problematike në zonën e Nën-Shkodrës, ku ushtria dhe ekipet e tjera po punojnë për normalizimin e situatës. Sipas informacioneve të marra, rrugët në hyrje të qytetit dhe gjendja në lagjet periferike Bahçallëk, Ajasëm, Kiras e “Salo Halili” i janë kthyer normalitetit. Kjo ka ardhur edhe falë ndërhyrjes me anë të pompave thithëse nga ana e ushtrisë. Sipas informacioneve zyrtare, ka një përmirësim të konsiderueshëm të situatës, veçanërisht në komunat Bërdicë, Guri i Zi, Qendër M. Madhe, Bushat, Dajç.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme ka njoftuar edhe hapjen e rrugëve deri dje të bllokuara nga uji. Kështu “rruga nacionale Shkodër – Tiranë, tek Harku i Bërdicës është plotësisht e lirë dhe mund të qarkullohet me të gjitha llojet e automjeteve. Në hyrje të Urës së Bunës realizohet kalimi normalisht. Ndërsa rruga Ura e Bunës – Shirokë, megjithëse ka rënie të nivelit të ujit, ende është i vështirë qarkullimi për automjetet e vogla”.
Përmirësim të situatës ka pasur ndjeshëm edhe nga ana e Liqenit të Shkodrës. Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Brendshme, niveli i ujit në Liqenin e Shkodrës ka pasur rënie në të gjithë perimetrin e shtrirjes se tij. Ndërkohë, me përmirësimin e situatës së përmbytjeve ka filluar puna për riparimin e argjinaturave dhe grupe pune janë ngritur në të gjithë zonën për përmirësimin e argjinaturës së Çasit dhe projekti i përgatitur nga Bordi i Kullimit do të paraqitet pranë ministrisë përkatëse për miratim.
“Për argjinaturën e Reçit do të ngrihet një grup pune nga përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ekonomisë për të bërë verifikimin në vend dhe propozimet përkatëse për ndërhyrje”, - njofton Ministria e Brendshme. Ndërsa priten përfundimet e një studimi për grykëderdhjen e Vilunit nga specialistët e ushtrisë për të përcaktuar mundësitë e ndërhyrjes së Dragës dhe zgjerimin dhe thellimin e kësaj grykëderdhje. Specialistë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Transporteve ndodhen edhe në Darragjat, ku do të verifikojnë dhe do të bëjnë propozimet për të ndërhyrë në argjinaturën e kësaj zone.
Gjendja dhe ndihmat
Komuna Dajç
Në komunën e Dajçit ka 2000 hektarë ende nën ujë si dhe 1187 shtëpi të përmbytura.
Në rrugën Bërdicë - Dajç (tek Kthesa e Dajçit), niveli i ujit ka shënuar rënie të ndjeshme.
Rruga Pentar - Velipojë është e pakalueshme, ndërsa rruga Dajç - Pentar është e kalueshme nga automjetet e larta. Në komunën Dajç janë dërguar nga ushtria 15 tonë miell, 10 tonë koncentrat (ushqim për bagëtinë) e 10 tonë ujë.
Komuna Velipojë
Në komunën e Velipojës janë nën ujë 2000 hektarë tokë, ndërsa të përmbytura 50 banesa. Nga informacionet zyrtare, Ura e Gjolulit (aksi Shkodër - Velipojë) është e pakalueshme e rruga nga Mali i Jushit - Velipojë (rruga e vjetër) nga Bendi është e pakalueshme. Rrugët nga qendra e komunës me të gjitha fshatrat janë të kalueshme nga automjetet. Emergjencat civile kanë dërguar gjatë ditës së djeshme në këtë komunë 15 tonë miell, 15 tonë koncentrat, 15 tonë ujë e 800 bukë.
Komuna Bërdicë
Në këtë komunë të përmbytur janë 1600 hektarë tokë si dhe 180 banesa. Qarkullimi i automjeteve është normal. Në këtë komunë janë dërguar 5 tonë miell.
Komuna Ana e Malit
Ne këtë komunë nuk ka problem për qarkullimin i automjeteve, por vetëm aksi rrugor Ana e Malit - Obot është i pakalueshëm. Në fshatrat e kësaj komune niveli i ujit ka tendencë rënie. Në komunën Ana e Malit u dërguan 10 tonë miell, 15 tonë koncentrat të merren në Gjadër. Gjithashtu janë vënë në dispozicion të komunës 2 mjete dhe 2 fadroma të ushtrisë për ndërtimin e aksit të rrugës së Gorricës.