Pires sërish jashtë Francës

04/02/2005 Mesfushori i Arsenalit Robert Pires përsëri nuk është përfshirë në grumbullin me skuadrën përfaqësuese franceze. Bëhet fjalë për takimin miqësor që francezët do të zhvillojnë kundër Suedisë. Pas polemikave që Pires ka patur me trajnerin Rajmond Domenek në muajin tetor duket se asgjë nuk ka ndryshuar në marrëdhëniet e tyre. Ndeshja e fundit që ka zhvilluar Franca për vitin 2004 ishte ajo në miqësoren kundër Polonisë, ku Pires nuk ka qenë i përfshirë në skuadrën e drejtuar prej Domenek. Mesfushori i topçinjve londinez ishte ankuar gjatë zëvendësimit në takimin e zhvilluar kundër Qipros në muajin tetor dhe për këtë arsye marrëdhëniet e tij me trajnerin e skuadrës përfaqësuese janë tensionuar së tepërmi. Megjithatë Domenek gjithmonë ka ngulur këmbë se nuk ka patur asgjë personale lidhur me Pires. Në këtë mënyrë trajneri francez e ka justifikuar përjashtimin e tij nga skuadra përfaqësuese si probleme me formën fizike. “Unë shpresoj shumë që të thirrem në skuadrën përfaqësuese, ka thënë Pires. Do të ishtë një zhgënjim për mua nëse nuk do të merrja pjesë në listën e lojtarëve të grumbulluar. Skuadra përfaqësuese është diçka shumë e rëndësishme për mua dhe karrierën time, pavarësisht nga fjalët që unë kam thënë. Do të jetë shumë e rëndësishme për mua nëse Franca do të kualifikohej në Botërorin 2006. Unë besoj se ne kësaj radhe do të renditemi të parët në grup”. Për momentin Franca gjendet e pozicionuar në vendin e dytë të Grupit 4 me tetë pikë ashtu si dhe Irlanda pas dy fitoresh dhe dy barazimesh. Ndër të lojtarët e thirrur ka spikatur rikthimi i sulmuesit të Juventusit David Trezege, i cili është rekuperuar prej kohësh nga dëmtimi në shpatull. Po ashtu në formacionin e përzgjedhur nga Domenek do të aktivizohet edhe mesfushori i Milanit Vikash Doraso.