E Hënë, 2 Nëntor 2026

Skolari me sytë nga të rinjtë

04/02/2005  

Trajneri i përfaqësueses portugeze Luiz Felipe Skolari ka përfshirë në grumbullimin e skuadrës së tij një tjetër lojtar të ri me talent. Ai është mesfushori i Benfikës Manuel Fernandez, i cili do të aktivizohet me fanelën e skuadrës përfaqësueses në takimin miqësor kundër Irlandës që do të zhvillohet në Dublin më datën 9 shkurt. Manuel Fernandez, i cili ditën e shtunë mbush plotë 19 vjeç, ka lënë një përshtypje shumë të mirë në fillimin e këtij sezoni duke luajtur për ngjyrat e skuadrës së Xhovani Trapatonit. “Manuel Fernandez e meriton këtë mundësi të rëndësishme në karrierën e tij për atë çfarë ka bërë me skuadrën e Benfikës, ka thënë Skolari. Sigurisht ky është një shans i shkëlqyer për lojtarë të tillë kaq të rinj dhe me talent të veçantë, të cilët asnjëherë nuk janë mësuar për të qëndruar në pankinë”. Përveç Manuel Fernandez, trajneri brazilian ka thirrur edhe disa lojtarë të tjerë të rinj si Hugo Viana i Sporting Lisbonës, Fernando Meira i Shtutgartit dhe Roxherio Matias i Vitoria Setubal. E megjithatë të shumtë kanë qenë edhe lojtarët e dëmtuar, ku përveç Miguel dhe Rikardo Karvajo, listës së mungesave i janë shtuar edhe Horge Ribiero, Manike, Helder Postiga dhe Hugo Almeida. Ndeshja e radhës për Portugalinë në eliminatoret e Botërorit 2006 do të jetë ajo kundër Sllovakisë në datën 30 mars. “Takimi miqësor kundër Irlandës ka për të qenë tepër e ngarkuar emocionalisht ashtu si edhe ajo përballë Sllovakisë”. Aktualisht Portugalia gjendet e pozicionuar në vendin e parë të Grupit 3 me 13 pikë të fituara në pesë ndeshje të zhvilluara deri tani. Sllovakia gjendet në vendin e dytë vetëm tre pikë larg skuadrës së Skolarit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›