E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, Nishani: Shumë shpejt zbardhim vrasjen e deputetit Xhindi



Ministri i Brendshëm Bujar Nishani deklaroi dje në Kuvend se zbardhja e vrasjes së deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, do të bëhet së shpejti. Duke iu përgjigjur interesit të deputetëve në seancën e djeshme parlamentare, Nishani tha se hetimet e kësaj ngjarjeje kanë arritur në një pikë esenciale, të cilat do të çojnë së shpejti në zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë. Ky deklarim i ministrit Nishani erdhi pasi deputetët mbajtën 1 minutë heshtje në fillim të nisjes së seancës parlamentare për vdekjen e deputetit. “Grupi i hetimit po punon ngushtë me Prokurorinë. Më lejoni të them se hetimet kanë avancuar në mënyrë esenciale dhe dua të garantoj edhe familjarët se shumë shpejt do të zbardhet vrasja e deputetit”, - deklaroi Nishani. Ministri i Brendshëm garantoi siguri të plotë në zbardhjen e së vërtetës. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, kërkoi llogari për këtë ngjarje. Sipas saj, ka një javë që ngjarja e rëndë ka ndodhur, ndërsa shteti ende nuk po nxjerr përballë drejtësisë autorët. “U bë më shumë se një javë nga vrasja e Xhindit. Ngjarja është shumë e rëndë, u vra një politikan i opozitës në prag zgjedhjesh. Ky akt kriminal nuk mund të mbetet në heshtje. Ne, familja, zgjedhësit, presim një përgjigje serioze, që deri më sot nuk e kemi marrë”, - deklaroi Leskaj. Më pas, reagoi ministri i Brendshëm, i cili tha se e vërteta do të publikohet shumë shpejt, ndonëse nuk tha një afat se kur do të ndodhë një gjë e tillë. Ndërkohë, grupi hetimor vazhdon punën për zbardhjen e krimit të rëndë. Hetimet janë duke u thelluar më së shumti në pistën e pronësisë, duke sekuestruar dokumentacion që ka të bëjë me pronat e regjistruara dhe ende të paregjistruara të deputetit dhe familjes së tij. Gjithashtu, nga ana e grupit hetimor janë sekuestruar tabulatet telefonike të bisedave të deputetit në këto dy vitet e fundit, me qëllim nxjerrjen e ndonjë elementi të rëndësishëm në funksion të hetimeve. Grupi hetimor ka qenë mjaft i rezervuar në dhënien e informacionit për këtë ngjarje të rëndë, ndërkohë që bëhet e ditur se për zbardhjen e vrasjes së deputetit Xhindi janë angazhuar specialistët më të mirë kriminalistë, hetues, agjentë të shërbimit sekret SHISH, si dhe prokurorë nga më të mirët në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Nga të dhëna jozyrtare bëhet e ditur se 80% e ngjarjes është gati e zbuluar dhe specialistët janë duke kopsitur faktet dhe provat para arrestimit të autorëve, pasi dyshohet të ketë më tepër se një autor. Gjithashtu, nga grupi hetimor bëhet e ditur se autori ose autorët e vrasjes janë nga zona e Roskovecit, por pa dhënë më tepër detaje rreth hetimeve. Një javë pas krimit, grupi hetimor është duke thelluar intensivisht hetimet në pistën e pronësisë, ndërkohë që nuk janë lënë pas dore edhe pistat e tjera. Deputeti i PS-së, Fatmir Xhindi, u vra në oborrin e shtëpisë, në orën 21:10 të mbrëmjes, teksa po përpiqej të parkonte makinën. Ai sapo ishte kthyer nga fshati i origjinës, Kurjani, ku kishte kaluar pasditen, pasi gjatë paradites kishte qenë për të pirë kafe në qytetin e Fierit. Nga hetimet mësohet se në lagjen “1 Maji’ të këtij qyteti, deputeti në bashkëpunim me ortakun e tij do të ndërtonte një pallat, për të cilin kishte marrë lejen e ndërtimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›