E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pirlo: “Favorite janë Anglia, Brazili dhe Spanja”



Mesfushori i Kombëtares së Italisë, Andrea Pirlo, e konsideron Spanjën si një nga favoritet kryesore për fitimin e Botërorit, ndërsa e konsideron Ksavi Hernandez si një nga lojtarët më të mirë në botë. Pirlo për FIFA.com.: “Do të thosha se Anglia, Brazili por edhe Spanja janë pak më lart se të tjerët në këtë turne. Përsa u përket lojtarëve, unë mendoj se mesfushori i Spanjës, Ksavi, i cili ka luajtur në nivel të lartë për shumë vite, dhe anglezi Uejni Runi, i cili është akoma i ri, por shumë i fuqishëm, kanë gjithçka që duhet për t’i vendosur ekipet e tyre si pretendente”. Duke folur për eksperiencën e tij të parë në kontinentin afrikan, Pirlo shtoi: “Isha në Afrikën e Jugut vitin e kaluar gjatë Kupës së Konfederatave dhe vendi më tërhoqi shumë. Shpresoj se kjo Kupë Bote do të shndërrohet në një forcë tërheqëse për shumë tifozë. Ishte një ide e mirë të luhej në dimër, pasi nuk do të jetë shumë nxehtë”.

Gjermania, Lahm: “Objektivi, gjysmëfinalja”

Kapiteni i Gjermanisë, Filip Lahm, deklaroi se objektivi i Kombëtares së tij ishte mbërritja në gjysmëfinale, por së pari e gjithë vëmendja do të jetë e përqendruar në fazën e grupeve. “Jemi në një grup më të vështirë se në vitin 2006 dhe Botërori na ofron tri ndeshje në të cilat na duhet të japim 100 për qind”, - tha Lahm. Gjermania ndodhet në një grup me Australinë, Serbinë dhe Ganën. “Objektivi ynë është gjysmëfinalja dhe ëndërrojmë të shkojmë atje, por së pari e gjithë vëmendja do të jetë e përqendruar në fazën e grupeve”.

Xhilardino: “Është koha ime”

Sulmuesi i Fiorentinës, Alberto Xhilardino, beson se kësaj herë ka ardhur të shkëlqejë ai me Italinë në Kampionatin Botëror të Afrikës së Jugut. Xhilardino ishte pjesë e skuadrës kampione të botës në “Gjermani 2006” katër vjet më parë, por megjithëse e filloi Botërorin si zgjedhja e parë, ai e humbi vendin e tij duke u nisur nga çerekfinalet dhe nuk luajti në finale. Kësaj radhe ai dëshiron të jetë një nga protagonistët kryesorë të Italisë. “Unë dëshiroj të bëj një Botëror të madh, jam duke punuar në gjëra të vogla, fizike dhe teknike, kështu që unë mund ta filloj në rrugën e duhur”, - tha Xhilardino nga qendra stërvitore e Italisë. “Nuk e di nëse do të jem zgjedhja e parë apo jo, pasi është trajneri Lipi që e vendos, por unë e ndjej se jam në 100 për qind. Jam gati të marrë përgjegjësitë e mia, ky është një moment thelbësor në karrierën time”.

1 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›