E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më e vërtetë se e vërteta, në mbrojtje të ndjesive njerëzore

Regjisorja Rozi Kostani sjell premierë në Teatrin e Metropolit, veprën e autorit francez  Martial Courcier

Teatri i Metropolit vazhdon që të jetë skena, e cila mbledh rreth saj regjisorë dhe aktorë të njohur. Në vijim të aktivitetit të Teatrit të Metropolit vjen dhe komedia e radhës. Regjisorja dhe pedagogia në Akademinë e Arteve, Rozi Kostani, është treguar e kujdesshme në përzgjedhjen e komedisë dhe aktorët që do të interpretojnë. Më e vërtetë se e vërteta është premiera

e fundit e sezonit në Teatrin e Metropolit, që do të shfaqet për publikun në datat 24-27 qershor, ora 21.00 në sallën Çehov. Një komedi e shkruar nga autori francez Martial Courcier, lëvrues i mirënjohur i komedisë jo vetëm në Francë, por edhe në Belgjikë, Itali, Spanjë, etj, na vendos përpara situatave intriguese të një roboti dhe dy qenieve humane-meshkuj, që tentojnë të prekin dashurinë. Me aktorët, Neritan Liçaj, Luli Bitri dhe Lulzim Zeqja, regjisorja tenton të afrojë publikun me një komedi sa interesante, po aq edhe intriguese. Është aq intriguese sa menjëherë të lind pyetja, Çfarë është, çfarë ekziston më e vërtetë se e vërteta. Më e vërtetë se natyra kush është? Asgjë nuk është. Dhe kjo është një thirrje që autori dhe unë dëshiroj të tërheq pak vëmendjen e publikut për të thënë që ne duhet të shkëputemi paksa nga dixhitalizimi i jetës sonë dhe të përqendrohemi te njëri-tjetri, mos të humbasim ndjesitë njerëzore. Unë e kam trajtuar si një iluzion, si një ëndërr që na ndodh shpesh. Ne shpesh herë përhumbemi dhe i realizojmë ato që duam përmes iluzionit tonë, thotë regjisorja Rozi  Kostani. Komedia ka tre personazhe, Xhulion-Lulzim Zeqja  drejtor i një firme të madhe nafte, rreth moshës 35-40 -vjeçare, Françeskon-Neritan Liçaj, shok i Xhulios, menaxher në firmën e tij, i cili bashkëjeton  me një vajzë Suzin (e cila nuk paraqitet asnjëherë fizikisht, por vetëm nëpërmjet telefonatave që i bën Françeskos) dhe Kloe-Luli Bitri, një android të cilën Françesko ia bën dhuratë Xhulios për 35- vjetorin e tij. Është një pjesë moderne, e cila ka një mesazh shumë të qartë, dhe në momentin që e lexova më bëri të ndaloj. Ne rendim, rendim pa e kuptuar vetveten. Më bëri që të ndaloj tek dinjiteti njerëzor, thotë aktorit Lulëzim Zeqja. Ngjarjet zhvillohen në shtëpinë e Xhulios në ditën e ditëlindjes së tij. Në një treshe simpatike ndjesitë e ftohta fillojnë të shkrijnë duke ofruar ngrohtësi, dashuri, jetë të munguar tek Xhuli dhe Françesko. Surpriza, eksplorime në ndjesi dhe marrëdhënie, situata intriguese që nisin që nga pyetjet si mundet të dashurohet një robot e deri tek grahmat e xhelozisë që kapin personazhet janë boshti kryesor i komedisë, ku sillen ngjarjet enigmatike që kërkojnë me patjetër një përfundim. Regjisorja Rozi Kostani ka bashkëpunuar për këtë komedi dhe me skenografen Laedia Hajdari dhe kostumografen Erida Teta. Ky sezon artistik nisi me shumë ambicie dhe energji pozitive për Qendrën Kulturore Tirana. Në pak vite ky institucion ka treguar se po ristrukturohet dhe po kërkon gjithmonë e më shumë të jetë më pranë publikut artdashës me projekte, salla të reja dhe veprimtari gjithëpërfshirëse.


Më e vërtetë se e vërteta, vlerësime dhe në  skenat botërore
Martial Courcier ka lindur në Paris në vitin 1968. Është aktor,regjisor dhe dramaturg francez, autor i shumë komedive të suksesshme, jo vetëm në Francë, por pothuajse në të gjithë Evropën, ku janë vënë në skenë komeditë e tij si në Paris, Belgjikë, Itali e Spanjë. Këtë komedi Courcier e shkroi në vitin 2001. Komedia Më e vërtetë se e vërtetaështë vlerësuar me çmimin  Moliersi komedia dramatike më e mirë në vitin 2002 në Paris. Ka shkruar shumë komedi të cilat janë në skenat e teatrove të Francës e më gjerë si Kriza e mamave, Takim  me të kundërtën, Më e vërtetë se e vërteta,etj. Ka vënë në skenë si regjisor shumë pjese teatrale të autorëve të mëdhenj si Molier, Shekspir, etj. Ka interpretuar në shumë shfaqje teatri duke përfshirë këtu edhe pjesët e tij. Pjesëmarrja e tij në film është përkrah figurave të njohura të ekranit francez si Depardie, etj. A mundet të kthehet në një qenie njerëzore një robot, apo njeriu do të ftohet dhe shuhet si roboti? Autori na tregohet i pakursyer në zgjidhjet e tij të kësaj komedie, madje duket se ngjajnë me ato shtresëzime të ngurta të ndjesive njerëzore, por kjo mbetet për tu parë në atë që ofron regjisorja Kostani dhe aktorët Liçaj, Bitri dhe Zeqja.


Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›