Zorba ngjit në skenën operistike Manjola Nallbanin
Zorba është premiera e fundit që do të ngjisë në skenën operistike emra të talentuar artistësh shqiptarë jo vetëm ata të skenës shqiptare, por dhe ata që kanë korrur sukses në skenat botërore. Muzikë nga kompozitori i njohur grek Mikis Theodorakis, balet shqiptar në një histori tipike ballkanase, këtë ofron baleti Zorba që do të shfaqet premierë
në 25 qershor në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Vepra e rëndësishme e baletit grek, Zorba, ka angazhuar rreth 200 artistë në tërësinë e saj, dhe sipas vetë koreografit Arjan Sukniqi, është një vepër e vështirë, pasi është një vepër kontemporane. Nga TKOB bëhet e ditur se kjo vepër do të ngjisë pas shumë vitesh mungesë edhe këngëtaren e njohur Manjola Nallbani, e cila me zërin e saj potent është dhe e ftuara speciale në këtë opera. Këngëtarja i është përgjigjur me kënaqësi ftesës që i është bërë nga drejtori z. Zhani Ciko, duke e falënderuar për pjesëmarrjen e saj në këtë vepër. E njohur po ashtu, si këngëtare e muzikës së lehtë shqiptare sot ajo është ndër këngëtaret më të preferuara për publikun, por ndërkaq gjithmonë potenciali i saj si soprano ka qenë vlerësuar gjithnjë. Vepra me libret të Nikos Kazanzakis veç koreografit Arjan Sukniqin, si mjeshtër kori vjen Dritan Lumshin dhe dirigjuar nga Edmond Doko, por në listën e të ftuarve për këtë vepër janë dhe dy balerinët e njohur në skenën greke Altin Koruti dhe Blendi Latifaj. Skenografia është realizua nga Platon Bardhi dhe kostumet nga Taulant Pustina. Koreografi Arjan Sukniqi thotë se ky është një balet filozofik, që përcjell antagonizmin mes dy mentaliteteve, që nisen nga një pikënisje. Kjo do të thotë se kjo ka lidhje me jetën, me mënyrën se si e shikojmë jetën, se si e përballojmë atë. Në fund është ideja se kush e shijoi më shumë këtë jetë, ky që e pa me syrin pragmatist apo ky që e pa me syrin idealist, pohon koreografi i njohur. Në rolet kryesore interpretojnë Altin Koruti, Bledi Latifi, Jonida Onuzi, Elona Nallbani, Erisa Gina, Dion Gjinika, Odeta Dishnica. Por para publikut në këtë balet interpreton pas një shkëputje shumë vjeçare në TKOB, edhe këngëtarja Manjola Nallbani. Altin Koruti pohon se personazhi i Zorbas është një personazh karakter. Ai është një i moshuar që në Kretë nuk është nga ata fshatarë, që kanë mbetur, por kanë bredhur botën. Ai është një njeri, që ka dalë në botë dhe atje në Greqi ai është pak ndryshe si rol, por mua më pëlqen se koreografi Arjan Sukniqi e ka bërë pak ndryshe. Zorba është heroi popullor i Kretës, pohon ai. Solisti Bledi Latifi që tek kjo shfaqje baleti ka personazhin e shkrimtarit Xhon, pohon se ky shkrimtar anglez përfaqëson dhe mishëron kureshtjen e perëndimit për të zbuluar traditat dhe vlerat e pasurisë të Kretës, ku zhvillohet e gjithë historia. Aty është dhe njohja e tij me Zorbën dhe kontradiktat që ky shkakton gjatë prezencës së tij në Kretë, sidomos rënia në dashuri me një nga vajzat në fshat. Kështu zhvillohet gjithë historia deri në finale, që ka një fund triumfues. Kjo finale, e cila bazohet dhe në muzikën e njohur të kompozitorit grek është me një fund triumfues, dhe këtë do të arrini që ta kuptoni kur ju të shikoni dhe shfaqjen e baletit Zorba, që do të vijë si premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, pohon Latifi. Personazhi kryesor i baletit, Zorba, një fshatar i pashkolluar, por me një inteligjencë natyrore të lindur, i cili me mençurinë e tij karakterizohet një nga heronjtë popullorë të Greqisë. Zorba e quan jetën dhuratë nga Perëndia dhe në sajë të mençurisë së tij, kërkon që këtë jetë ta shfrytëzojë në të gjitha mënyrat, duke shpalosur një prakticizëm perfekt dhe duke gjetur zgjidhje në favor të tij për çdo situatë të jetës që i krijohet. Emri i koreografit Arjan Sukniqi por dhe të ftuarve specialë si Manjola Nallbani, Akltin Koruti dhe Bledi Latifi premtojnë për disa net të mbushura me emocione në skenën e TKOB, në baletin me dy akte që vjen për herë të parë Zorba, me muzikë të Mikis Theodorakis dhe libret të shkrimtarit të madh grek, Nikos Kazanzakis, emocione që do të merren në datat 25, 26, 28, 29 dhe 30 qershor.
Nga Julia Vrapi