Pirro Mani: Besoj në perëndimin e diellit
Regjisori në një bisedë për teatrin si imazh, censurën, raporti me krijimtarinë e një çerek shekulli, pengu që nuk mundi të regjistrojë "Rrethimin e bardhë". Mani: "Ideologjia komuniste e bënte artin ujë lavamani."
Kjo bisedë me Pirro Manin zhvendoset kryesisht në të shkuarën. Puna e këtij njeriu fillon në vitet gjashtëdhjetë dhe zgjatet deri në nëntëdhjetën e shekullit të kaluar. Pastaj, duket të ketë mbetur pak kohë për të dëshmuar për një brez të cilit Mani i përket. Shtoji kësaj përvojën e pangjashme me arte të tjera që teatri e lë si të ishte gjurmë në rërë.
Çfarë ruajmë nga Pirro Mani? Pothuajse asgjë për ata që nuk kanë qenë kurrë spektatorë në ndonjë shfaqje të tijën. Këta janë jo pak. Sa s'ka dhënë shpirt akoma TVSH, brezin e tridhjetëvjeçarit të sotëm, nëse nuk është helmuar akoma nga nihilizmi, nuk ka për ta lënë indiferentë - megjithëse teatër i filmuar -: Banda e gangsterëve tek "Arturo Ui", në ritmin e një muzike që s'dihet nga ç'stinë, repertor, nanuritje apo ikje vjen, kur horizonti i skenës muzikore të asaj kohe ishin këngët për atdhenë, një pirg i thartuar me gjuhë të prera; deliri i "Gjeneralit të ushtrisë së vdekur" - përfytyroni një njeri, një gjeneral (pa ushtri) që ecën në humnerë sikur kjo të ishte tokë e mbjellë me hije robërish; "Nata e 12-të" me Shkëlqim Bashën, Robert Ndrenikën, Agim Qirjaqin, Yllka Mujon etj. Janë tre vepra që edhe për didaktikë të merreshin, i pashmangshëm është qëndrimi tek spektakli. Pirro Mani ka krijuar jetë në një ishull të vdekur. Regjia e tij është një vallëzim i imazheve. Nuk ka dyshim që këto janë vepra të autorëve Breht, Kadare, Shekspir që e kanë lirinë me vete, por, siç thotë në këtë bisedë, gjatë qëndrimit disajavor në Shqipëri - regjisori që jeton në Nju Jork së bashku me të shoqen, aktoren Pavlina Mani, kishte tetë vjet pa ardhur - propaganda dhe regjimi e dëmtoi artin në atë masë sa të ketë shijen e ujit të lavamanit.
Regjistrimi televiziv, me pak fat, nëse është bërë për të qenë, do të thotë një ditë se cilët ishin, çfarë dhanë, sa mundën dhe çfarë lanë tek të sotmit artistë si Pirro Mani, regjisor i veprave nga Bernard Shou, Aleksandër Ostrovski, Betold Breht, Uiliam Shekspir, Artur Miler, apo i veprave shqiptare "Fytyra e dytë", "Kush e solli Doruntinën", "Epoka përpara gjyqit", "Cuca e Maleve" apo "Rrethimi i bardhë" (1964) i Naum Priftit, një peng në krijimtarinë e tij, vepra e ndaluar që s'i ka mbetur pikë gjurme.
Nuk ka dëshirë të përgjigjet për të shkuarën, megjithatë nuk refuzon. As ne nuk donim të ndaleshim kaq gjatë tek e kaluara, por ja që ndodh kur je para një njeriu me punë intensive afro 30-vjeçare. Pastaj, para atyre mendime për jetën dhe artin, sikur je para një pylli: për thellësinë, lartësinë dhe të gjelbrën e majave.
Ajo mjeshtëri që përpunoi në art Pirro Mani i ka fillimet tek pozitat prej nxënësi në Institutin e teatrit në Moskë në fund të viteve pesëdhjetë (ishte nisur vetëm me katër vepra të lexuara nga Shekspiri) dhe më vonë, për çerek shekulli, ndërmjet dy teatrove "A. Z. Çajupi" në Korçë dhe në Teatrin Popullor në Tiranë, tek arratisja nga turma dhe nga ai burg që ishte Shqipëria komuniste. Jo më kot kjo bisedë nis nga shkolla, nga roli që ka në formimin e një artisti teatri. Biseda është zhvilluar në Tiranë, kryeqyteti i vendit që "është mbushur me ish- pronarë dhe ish- spiunë".
Toka ku jemi tani mund të ishte një ditë vendi i një piccolo teatro, një shkollë. Nuk jeni i vetmi që përsëritni rëndësinë e shkollës, që sot nuk e ka më, për formimin e artistit të skenës.
Ka artistë që kanë lindur artistë. Të tillë kanë qenë Mihal Popi, Sulejman Pitarka, Mihal Stefa, Bexhet Nelku, Ndrek Luca, Marie Logoreci, Sandër Prosi, Viktor Gjoka, Prokop Mima e të tjerë. Ka të tjerë, shumë inteligjentë nga natyra, inteligjencë që u shërben për t'u bërë aktorë. Këta janë njerëz që e zbërthejnë rolin, e bluajnë, janë aktorë të shkoqur, konkretë. Nuk lë dot pa përmendur Esat Oktrovën. Kemi qenë bashkëstudentë në Moskë. Do të ishte nga pedagogët më seriozë që krijoi një sistem të tijin teorik në teatër. Njeri me disiplinë të hekurt. Dua të them që shkolla i konkretizon gjërat, të drejton, të mëson se si të mbështetesh tek talenti, si ta shfrytëzosh dhe ta shprehësh atë. Ne kemi pasur rastin të bëjmë shkollë arti, por nga ana tjetër duhej të bënim dy herë në javë zbërthime ideologjike partiake. Humbisnim kohën me materiale të marksizëm-leninizmit, në një kohë që duhet të zbërtheja monologjet e vargut shekspirian.
E ka dëmtuar ideologjia artin dramatik? Në ç'masë?
E ka dëmtuar mjaft. Kufizimet që krijonte kjo ideologji e ashtuquajtur marksiste- leniniste, nuk i lejonin njeriut të drejtën për të shprehur ndjenjën, emocionet. Ai njeri duhej patjetër të fliste me gjuhën e atij komunistit, që ia thatëzonte, ia hiqte jetën, i hiqte emocionet, e bënte kompesatë. Më falni, a, keni pirë juve ujë lavamani, sa i pashijshëm është? Ideologjia komuniste e bënte artin ujë lavamani. Kurse arti i vërtetë është gjenuin, është ujë i kulluar burimi.
Dhe ju thatë që "reprezaljet" ndodhën kryesisht në teatër dhe kinema.
Arti dramatik ka qenë art propagandë, artistët paguheshin me rrogë, prandaj kontrollohej çdo gjë që vihej në skenë. Edhe kur e aprovonin një dramë kishin frikë se mos e transformonim ne si teatër dhe vinin prapë ta shikonin, bile edhe dy herë, tre herë. Më kujtohet që shokë të mitë dhe njerëz që e donin teatrin thoshin të shohim shfaqjen e Pirros pa ardhur Komisioni. Mbrapa tij ishte komiteti i partisë, ishte punëtori i klasës punëtore. Kishte raste që vinte edhe ndonjë kooperativist. Duhej patjetër që ne artistët të njihnim jetën si punonte ky kooperativisti për të realizuar normën.
Duke gjykuar teatrin e asaj kohe, opinionet janë të ndryshme. Ka ndër ta mohues, apo që shprehen se brezi juaj duhet të kërkojë edhe ndjesë për atë që nuk arriti të bëjë apo për artin e kriposur me propagandë të skajshme.
Unë jam dakord të them që i jemi borxhlinj kohës. Mamasë sime dhe babait tim në këtë kohë të 32-it iu mbush mendja të lindnin Pirro Manin, i cili po vazhdon me vështirësi të shkojë tek të tetëdhjetat. Unë mendoj që nuk duhet shtruar kështu fare çështja. Përndryshe do t'ju thoshja: le të kërkojë ndjesë Ismail Kadareja që është lavdi e letërsisë sonë. Le t'u kërkojë ai ndjesë këtyre djemve dhe vajzave. Nuk ka pse ai të kërkojë ndjesë. Nuk kam pse të kërkoj ndjesë për Arturo Ui-në, nuk kam pse të kërkoj ndjesë për "Rrethimin e bardhë".
Pyetja për "Rrethimin e bardhë" e kishte vendin më pas. Është drama që e njohin edhe ata që nuk e kanë parë. Si është historia e shfaqjes që thuhet se kur e pa në Korçë, e rrëzoi vetë i pari i vendit.
Bëhej fjalë për një grup gjeologësh diku në veri, rrethuar nga bora. Partia dërgon një helikopter dhe i shpëton. Kështu e kishte shkruar Naum Prifti, por në shfaqjen time, helikopteri vjen, nuk i gjen dot dhe ikën. E ky rrethimi i Shqipërisë nga të katër anët, që i vdiste njerëzit. Ishte e rëndë kjo për kohën. Kanë qenë vitet 61-63. Mora një shembull, si dramë më e fuqishme se e Bertold Brehtit për të demaskuar diktaturën, është "Arturo Ui".
Vepra si kjo kundër tiranisë të kujtojnë lojën e Hamletit përballë vrasësit të të atit, Klaudit: "Drama është gracka ku shpirti i mbretit kapet si laraska". Vepra që kalojnë provën e komisioneve të censurës dhe njëherësh lexohen nga njerëzit mes rreshtash.
Unë ju kujtoj deus ex machina-n e famshme të Molierit tek "Tartufi" që ironizonte monarkinë. Molieri bëri atë që donte monarku, por publiku e kuptoi që ishte një deus ex machina, sepse procesi i dramës ishte komplet ndryshe. Ne në Shqipëri kemi bërë shumë deus ex machina.
Në rastin e Arturo Ui-së cilat ishin këto elementë të ndërgjegjshëm regjisorialë për një lexim të dyfishtë.
Unë nuk kam qenë shumë trim, sinqerisht, kisha fëmijë, grua. Kam vuajtur nga ato gjëra që kërcënonin deformimin deri dhe ndalimin e shfaqjeve. Vijmë tek Aurtoro Ui. Fillimi i shfaqjes. Në një ekran të madh janë fytyrat e Hitlerit, Musolinit, Pinoçetit, Frankos, e gjithë diktatorëve. Kam lënë edhe një kornizë bosh që nuk mbeti pa u vënë re. U thashë se dua të shpreh idenë e autorit, se personazhi i gruas që luan Margarita Xhepa thotë që barku nga lindi ky përbindësh, Arturo Ui, nuk është shterpëzuar ende, pra mund të lindë diktatorë të tjerë. Të lutem Pirro, më thanë, gjej një diktator tjetër, po mos ma lë bosh atë aty. Bëra një ndriçim të tillë që të mos dukej tamam bosh. Pastaj ka edhe një gjë tjetër. Kemi shfrytëzuar një çikë edhe injorancën e kësaj kohe. Në komisionet në përgjithësi kishe të bëje me injorantë. Ishim të detyruar të bënim dhe lodra të tilla që të shpëtonim shfaqjen. Më ndaluan për frojdizëm dhe "Pamje nga ura", por u dha ama 400 herë.
E keni takuar Enver Hoxhën?
Ishte në shfaqjen "Rrethimi i bardhë". Me të mbaruar shfaqja u zhduka fare. Enver Hoxhën e kam takuar vetëm një herë, më duket se me rastin e 1 Majit. Për herë të parë i dhashë dorën. Mu duk shumë i dobësuar.
Në gjithë atë vorbull, kur nuk keni qenë i sigurtë?
Vështirë e kemi patur, jo unë por shumë kolegë të mi. Kemi ecur në tel si pelivanë. Duhej të kishe shumë kujdes, të mbaje ekuilibrin, se të bije prej andej bëheshe copë-copë. Nuk kam qenë anëtar partie kurrë në jetën time, sepse sa më shumë zell të tregoje, do të digjeshe edhe nga zelli për të shërbyer. Nuk e di, po unë kalova. Kur një shok shkoi të takonte në burg një të njohurin tonë të përbashkët, një amator i teatrit që u burgos për agjitacion dhe propagandë, ky e kishte pyetur për Pirron. Tjetri ishte përgjigjur: e ke shkëlqyeshëm. I shkreti Pirro, pat thënë i burgosuri. Unë e mblodha mendjen, jam brenda, dhe pres që një ditë të dalë, kurse ai pret me frikën për t'u futur.
Kishte nisur me Revolucionin Kulturor, pastaj gjithçka e mori dreqi me Plenumin IV.
Arrestime, burgosje. Hetuesia bënte të vetën: Me kë ke biseduar? Kush ishte në tavolinë. Me këtë monolg të brendshëm flija. E këto ishin strese, ankthe, të rënda, të vështira.
E kanë pasur shumë të vështirë ata njerëz që vuajtën Spaçin dhe Burrelin. Por edhe ata që ishin jashtë, nuk e kishin pasur të lehtë. Shqipëria ishte një burg e tëra. Diktatura ishte e rëndë për cilindo, mbase edhe për ata që i shërbenin asaj, mbase edhe për vetë shokët e diktatorit të cilët ju e dini si e pësuan.
"Epoka para gjyqit", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Arturo Ui", janë bërë në këtë mungesë pasigurie?
Sidomos "Gjenerali". Pati shumë llafe për të, që shkonin deri në komisionet e repertorit. Vërejtja kryesore qe: Përse Pirro Mani vë në skenë një pjesë ku personazhet kryesorë janë negativë. Kurse parimet e teatrit të realizmit socialist e donin që kryesorët të ishin heronj pozitivë. Ky qe shkaku kryesor. Skena e ëndrrës është hequr fare. Kurse në Prishtinë e kam realizuar, atje nuk e kisha "çizmen" e kontrollit këtu mbrapa (bën me dorë nga qafa).
Realizimi në teatër i "Gjeneralit" përcjell emocione shumë të forta, sidomos skena e ëndrrës së gjeneralit, është e gjitha një marramendje, një delir i ankshëm.
Në Prishtinë është realizuar komplet. Gjenerali ëndërron dhe njerëzit dalin pothuajse nudo. Kam bashkëpunuar me një baletmaestër të talentuar. Kur shfaqja do të vinte në Shqipëri, në kufi i kam thënë përgjegjësit të grupit, që skena e ëndrrës të hiqet.
Me "Epokën para gjyqit" të Ekrem Kryeziut, nuk ka ndodhur asgjë. Është dhënë ashtu siç e kam vënë. Kurse "Cuca e maleve" ka kaluar me sukses shumë të madh. Më kujtohet që Kadare ka shkruar një artikull me titull "Poema regjisoriale".
Ato shfaqje që kemi parë deri vonë në TV kanë një të përbashkët: dinamikën, ritmin.
Gjithnjë kam qenë i shqetësuar për regjistrimet në TV: si mund të kalonte imazhi im skenik në celuloid, a mund të futej dot kamera në mizanskena, a mund të përcillej ai temporitëm që kisha në spektakle? Ende nuk kishim arritur tek regjia televizive e teatrit. Prandaj unë e ndjej që shfaqjet kanë mbetur shumë herë më të dobëta nga ç'ishin në të vërtetë në teatër, unë e ndjej që ritmi është ndryshe.
Ndjej atë që ndodh nganjëherë me teatrin shqiptar që duke u përpjekur për të qenë virtuozë, mbetet mobilizimi. Ne mobilizohemi më tepër se ç'duhet. Por virtuoze është edhe pauza. Kjo ndodh sidomos në ato raste kur personazhet janë mbështetur në rërë. Atëherë humbet procesi. Për shembull Çehov, Ibsen, janë dramaturgë që e kanë jashtëzakonisht të qartë procesin e brendshëm të personazheve.
Nuk mund të ketë teatër në botë pa proces psikologjik, pa veprim aktoresk. Aty ku mungon ky proces interpretativ, ka boshllëk, ato janë shfaqje komerciale, janë poza për të thënë më shihni mua çfarë kam bërë.
Aktorët tanë nën drejtimin e regjisorëve të sotëm lëvizin shumë pak nga një rol në tjetrin. Janë thuajse të njëjtët në çdo rol.
Aktori duhet të mbështetet gjithnjë tek vetja për të krijuar rolin. Aktori i mirë dhe i talentuar është gjenuin. Krijimi i karakterit duhet bërë në veten tënde, në shpirtin tënd, ndryshe do të jetë banal, i jashtëm, i pabesueshëm. Nuk mund të ketë teatër pa karaktere.
Cilët do të veçonit nga aktorët që kishin këtë proces të brendshëm?
Ka shumë. Po përmend disa të viteve të fundit. Psh, ka proces më të bukur se krijon Sulejman Pitarka në rolet e tija, apo proces si Ndriçim Xhepës dhe Yllka Mujos tek "Fernando Krafi", një mrekulli e krijimit të karaktereve. Një përsosmëri dëgjimi e partnerit. Me dëgju partnerin është sekreti i mjeshtërisë së aktorit. Veç kësaj aktori nuk mund të jetë vetëm, por duhet të jetë në unitet artistik dhe filozofik me të përbashkëtën, të përgjithshmen e secilit. Nëse nuk arrihet kjo, nuk ka vepër.
Shekspiri, Molieri, Ostrovski, Brehti, Shou, autorë veprat e të cilëve ju jepnin lirinë e padukshme që ju vetë në atë kohë nuk e kishit.
Ju përmendët Bernard Shoun i cili ka një vepër të quajtur "Demaskimi i Blanko Posnet", e padëgjuar në Tiranë. Është punuar në Korçë, dhe mbeti atje, atje u vu, u pa dhe u ndalua. Fabula është shumë e thjeshtë. Në një qytet të Meksikës ai që vjedh një kalë dënohet me vdekje. Dhe ky Blanko niset, poshtë në qytet. Rrugës shikon një femër që i kanë filluar dhimbjet e lindjes që duhet çuar në spital të lindë. Diku sheh që po kullot një kalë dhe duke e ditur çfarë e pret po ta marrë atë kalë, e merr kafshën dhe e çon gruan në spital. Fëmija vjen në jetë, ndërsa atë e arrestojnë dhe në fund e pushkatojnë. Tek ne ka pasur njerëz, si Jusuf Vrioni, që kanë bërë vepra të mrekullueshme dhe janë kalbur nëpër burgje. Nuk e di, bëra një paralelizëm, por të tillë paralelizma ka plot.
Çfarë do kujtonit nga përvoja në Opera?
"Cavalleria Rusticana" e Mascagni-t, një kryevepër, një dramë e fuqishme italiane. Ka një skenë aty e quajtur "Preghiera", ku fshati i gjithë me portretet dhe pikturat e Shën Mërisë, me qiri tek muret e kishës, falet. Është një rit. Mbase muzika më e bukur e gjithë kësaj opere është pikërisht kjo skenë. Na thërrasin në ministri dhe na thonë se duhet hequr. Tani po shemben kisha e Xhamia, kurse Pirro Mani vë "Preghierën" në skenë? Imagjinoni me çfarë dhimbje e kam hequr, sikur këputa një copë mish nga vetja ime. Unë nuk jam muzikant, po kisha jetuar 2 muaj me atë muzikë. Shikoni masakrën që ka bërë diktatura, ishte lufta kundër fesë.
Ju jeni besimtar zoti Mani?
Diku thellë në shpirt, jam sigurisht, por nuk jam fanatik. Besoj, besoj, besoj në të mirën, besoj në lindjen e diellit, ose besoj më shumë në perëndimin e diellit. Nuk ka gjë më të bukur, nuk ka perëndi më të bukur se perëndimi i diellit. A e keni parë? Provoni të ndjeni edhe ju këtë, kur perëndon dielli, kur futet poshtë në det, ai është zoti më i madh. Unë atë besoj.
Donim të dinim diçka për origjinën tuaj, për babain, Kosta Mani. Ka qenë edhe arkitekt. Ai ka ndërtuar rrugë, ura, kurse ju keni rikrijuar...
Shpirtra njerëzish...Babai im ka qenë deputet në asamblenë kushtetuese, deputet i Korçës. Arkitektura me artin. Të dyja lidhin njerëzit me njëri-tjetrin, të lidhin me idetë humane, me dashurinë, me besimin e pastër. Nuk më vijnë në mend shumë gjëra. Për këtë besoj se kam investuar unë dhe koleget e mi. Pastaj, jam shumë dakord me Mihal Luarasin kur thotë se duhet të na mbushet mendja top që nuk mund të ketë kurrë teatër pa politikë.
Thonë se keni shkruar shumë ndërkohë. Çfarë janë?
Jam përpjekur të shkruaj. Unë nuk jam shkrimtar, por jam përpjekur të jap imazhin. Imazhi nuk mund të shkruhet. Po unë atë jam përpjekur të shkruaj këto kohë. Kam shkruar një dramë televizive, a më saktë një skenar për një serial televiziv me 33 puntata. Janë afro nëntëqind faqe.
Doja t'ju pyesja për Korçën.
Mbetet qyteti im, edhe pse kam lindur në Tiranë. Babai im ishte korçar. Kam detyrime sidomos ndaj teatrit të Korçës. Aty fillova punën time, nuk them karrierën, por punën time, bashkë me ata aktorë, me ato vështirësi, me atë tavan të teatrit që ishte ende pa u mbuluar, dhe kur luanim "Pamje nga ura" binte flokë dëbore atje brenda. Me atë publik që mirrte tulla të ngrohta nga shtëpia dhe të mbështjella i mbante me vete.
Kur u emërova aty pas studimeve, në vitin 1961, aktorët më pritën mirë. Krijova një ansambël.
Atë merak që kam për Korçën e kam për Prishtinën ku kam punuar "Gjeneralin" e Kadaresë më 1972. Atëkohë ka qenë drejtor i teatrit Azem Shkreli, një njeri i madh, poet i madh. Në rolin e plakës Nicë luante Melihat Ajeti. Do t'i bie shkurt. Unë me Agim Zajmin ndridheshim nga emocionet. Ishte hera e parë që jepnim shfaqje në Kosovë. Nuk kam parë publik më të mrekullueshëm. Të nesërmen në shtyp ka pasur një artikull me titull "Gjeneral, na i nxeve shuplakat".
Kurse sot publiku duartroket për të gjithë njëlloj, është njëlloj sikur të thoshim se teatri nuk ia nxeh më shuplakat publikut.
Po ja "Pamje nga ura" e ka bërë. Unë nuk e kam parë, por kam dëgjuar dhe kam lexuar dhe më bëhet qejfi shumë sepse duhet të ngjallet interes. Dhe interesi ngjallet me punë, me pasion, duke sakrifikuar. Artisti i mirë nuk ka jetë personale. Të bësh teatër të mirë që të vijë publiku dhe të rrijë në rresht për biletë. Por që kjo të ndodhë do duhej që aktori apo regjisori të shkëputet nga shoqëria, nga ai nivel mesatar i realiteteve. Kemi nevojë për njerëz me talent që i njohin aftësitë e tyre dhe shkëputen nga të tjerët, nga turma. Mos rafsh në dorën e turmës, se ajo të bie në ballë, të merr shpirtin.
Ku është sekreti i asaj force që përballon presionet e jashtme, apo turmën siç e quajtët ju?
Tek karakteri, tek kultura, tek formimi psikologjik. Asnjëri nuk është i barabartë me tjetrin, asnjëri nuk është njësoj me të tjerët. Jemi të gjithë të ndryshëm. Ka ca njerëz shumë të fortë, ata edhe e kanë pësuar, edhe janë djegur në turra drush, edhe janë varur, edhe janë persekutuar. Është e veçantë fara e atij njeriu që arrin të shkëputet nga turma për të ndërtuar veten.
Cilin shembull të kësaj psikologjie keni njohur?
Nga bota e madhe? Mos kërkojmë shumë, kemi Dostojevskin. Veprat më të mira i ka shkruar i izoluar, në burg. Ç'mund të thuash për "Idiotin", "Vëllezërit Karamazovë".
Zoti Mani ky vit është jubileu i 20-të i rënies së Murit të Berlinit. Pas tij do të binin dhe muret komuniste në Shqipëri. Duket se u morëm shumë gjatë intervistës me këto mure. Jo pa qëllim. Ju thotë gjë ky përvjetor?
Nuk dua të shaj diktaturën tani a priori, por sot trashëgojmë shumë nga ajo shoqëri, nga ai sistem shoqëror, vërtet trashëgojmë shumë. Dhe kjo na ka kapur, na ka mbërthyer si rrënjët e kavallit. Kavalli është një plep i gjatë që i ka rrënjët si mimoza, mimoza aq e bukur. I ke parë rrënjët? Edhe varrin e nënës sime e ka ngritur lart. Pagova për ta rregulluar dhe blemë edhe një varr për veten tonë. Kur u kthyem pamë që e kishin zënë...
Ne akoma kemi mure nëpër kokat tona, akoma kemi në shpinë peshën e atyre mureve. Duhet ta shkundim, duhet ta perceptojmë më mirë njëri-tjetrin.