E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë të PS-së



Përzgjedhja e kandidaturave potenciale të kandidatëve të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit do të bëhet pas finalizimit të procesit konsultues me strukturat partiake të PS-së. Sipas strategjisë së selisë rozë, takimet dhe konsultimet për tërheqjen e mendimit të strukturave të partisë për kandidaturat potenciale do të organizohen në bazë rrethi. Në këto takime dhe konsultime do të marrin pjesë delegatët e kongresit, anëtarët e asamblesë kombëtare në rrethin përkatës dhe anëtarët e kryesisë së rrethit. Këto takime do të zhvillohen në drejtimin e anëtarit të Kryesisë qendrore të PS-së, që është ngarkuar për qarkun përkatës. Si rregull nuk mund të jenë kandidatë për deputetë kryetarët e njësive të qeverisjes vendore, përfaqësues të Partisë Socialiste. Gjithashtu nuk mund të propozohen nga strukturat e partisë si kandidatë të listës së kandidatëve për deputetë, deputetët aktuale të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ngarkon kryetarin e PS-së që të finalizojë konsultimet me drejtuesit e strukturave të partisë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Këto konsultime do të zhvillohen sipas një grafiku të caktuar brenda periudhës 9 – 14 maj. Në strategjinë e Partisë Socialiste përcaktohet gjithashtu edhe procedura për përmbylljen e procesit për identifikimin e kandidaturave potenciale nga shoqëria civile, të cilat do të përfaqësojnë PS-në në zgjedhjet e 28 qershorit. Për këtë, kryetari dhe anëtari i Kryesisë së PS-së, i ngarkuar për qarkun, zhvillojnë konsultime të veçanta për tërheqjen e mendimit për kandidaturat për deputetë për qarkun përkatës me bordet e dialogut qytetar të qarkut, me grupe interesi si dhe me organizatat e shoqatat me afërsi programore me partinë. Takimet dhe konsultat me bordet e dialogut qytetar, me organizatat e shoqatat afër partisë, me grupet e interesit, zhvillohen nga data 9 deri më 14 maj 2009. Në përfundim të konsultimeve me strukturat e partisë, me bordet e dialogut qytetar, me shoqatat e organizatat afër partisë, me grupet e interesit, anëtari i Kryesisë së PSSH-së i ngarkuar për qarkun, harton listën e propozimeve të kandidaturave potenciale me vlerësimet përkatëse dhe ia paraqet kryetarit të PS-së. Miratimi i kandidaturave përfundimtare do të jetë një kompetencë e Kryesisë qendrore të Partisë Socialiste. Kryesia qendrore, pasi bën vlerësimin e listës së kandidaturave të paraqitur nga kryetari i PS-së për secilin qark, mbështetur në plotësimin e kritereve për të dhënat individuale, në propozimet e strukturave të partisë dhe të organizmave të shoqërisë civile si dhe në sondazhet e kryera, miraton listat përfaqësuese përfundimtare për deputetë.

9 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›