E Diel, 1 Nëntor 2026

Pisha nuk sheh më rivalë në kampionat

Fakti që Dinamo e ka "vrarë" këtë kampionat, bëhet edhe më i besueshëm nga vetë dinamovitët. Edhe pse Besa e Kavajës këtë javë ka ruajtur hapin e kryesuesve, duke mos lejuar të rritet diferenca 10 pikëshe ndaj bluve, djemtë e Shkëlqim Muçës, e injorojnë këtë fakt, pasi, sipas tyre, verdhezinjtë nuk janë rivali, i cili ua rrezikon atyre objektivin: titullin kampion. Kundërshtari më i rrezikshëm në këtë rrugë për ta shihej Tirana. Por bardheblutë, të cilët, pas një fillimi jo të mirë të sezonit, krijuan iluzionin e rikthimit mes pretendetëve, me një humbje në Laç dhe një barazim të dielën në Korçë në tri javët e fundit, duket se kanë mbetur shumë larg dhe tashmë nuk besojmë më se mund të luftojnë për titull. Kjo i ka lehtësuar disi blutë, të cilët tashmë e shikojnë si të mundshëm arritjen e titullit kampion, që do të ishte i dyti në tre sezonet e fundit, pas atij të fituar në sezonin 2007-2008. Këtë e ka konfirmuar kapiteni i Dinamos, Arjan Pisha. Për mbrojtësin 32-vjeçar, i cili numëron vetëm një ndeshje zyrtare me bluzën e Kombëtares kuqezi, polemikat e fundit në kampionat nuk duhet të ndikojnë aspak në performancën e skuadrës së tij, e cila përditë e më shumë po i bind të gjithë se është ekipi më i mirë i këtij edicioni dhe se shanset që ajo të fitojë titullin janë gjithnjë edhe më të mëdha. Ai, siç duket, u referohet debateve të fundit, ku disa nga kundërshtarët e Dinamos, në përballjet direkte me blutë, kanë ngritur kontestime për favorizimin e bluve nga gjyqtarët. "Kundërshtarët le të vazhdojnë të flasin, ne do të vazhdojmë rrugën tonë, nënvizon kapiteni Pisha në lidhje me këtë çështje. Ne kemi treguar në fushë se e meritojmë fitoren, pavarësisht se ka pasur polemika". Edhe pse është ende herët për të folur për titullin kampion, Dinamo, nga java në javë, por demonstron bindshëm se janë të pakët rivalët, që mund t‘i fusin shkopinjtë nën rrota në këtë rrugë të nisur me shumë vrull. Pas 13 ndeshjeve, kur ende nuk ka kaluar as gjysma e sezonit, blutë në kuotën e 35 pikëve, numërojnë 10 pikë diferencë nga vendi i dytë, Besa e Kavajës, ndërsa 14 pikë nga Tirana dhe Apolonia, që ndajnë vendin e tretë me pikë të barabarta, por ku bardheblutë kanë avantazhin e golavarazhit më të mirë. Me gjithë respektin që ka për Besën e drejtuar nga Shpëtim Duro, Pisha pohon se frikën më të madhe në luftën për titull ia kishte Tiranës, e cila gjithsesi, me rezultatet e fundit, nuk duket se ka shumë mundësi për të qenë kërcënuese për Dinamon. "Jemi më të lehtësuar tani, me që Tirana u frenua në Korçë nga Skënderbeu", thekson kapiteni i bluve, i cili lë kështu të nënkuptohet se në këtë edicion, Dinamo e tij nuk shikon më rivalë në luftën për trofeun më prestigjioz të futbollit shqiptar. Pisha, i cili në karrierën e tij ka luajtur me tri skuadra: Elbasani (1993-1999, 192 ndeshje, 3 gola), Dinamo (1999-2005, 158 ndeshje, 8 gola), Tirana (2005-2007, 54 ndeshje, 0 gola) dhe sërish Dinamo (2007 e në vazhdim, 61 ndeshje, 1 gol), do të mungojë në ndeshjen e radhës ndaj Bylisit, për shkak të një dëmtimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›