E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombëtaret U-17 dhe U-15 hedhin "grepat" në Greqi

Rezultatet e dobëta të skuadrave të moshave gjatë edicionit të kaluar eliminator kanë mobilizuar Federatën Shqiptare të Futbollit. Trajnerët e përfaqësueseve të moshave kanë filluar një "gjueti" të vërtetë talentesh në vendet fqinje, atje ku familje të shumta shqiptare jetojnë dhe punojnë prej vitesh. Për të evidentuar sa më shumë lojtarë që mund t‘i shërbejnë ngjyrave kuqezi është vendosur që për herë të parë, grumbullimet të zhvillohen jashtë Shqipërisë. Gjithçka do të nisë me vëzhgimet në Greqi, ku gjatë muajit dhjetor, trajneri i U-17, Ardian Mema dhe ai i U-15, Sulejman Demollari do të testojnë futbollistët që aktivizohen në akademitë e klubeve helene. Për tri ditë (nga 21 deri më 23 dhjetor), kandidatët për dy përfaqësueset e moshave do të grumbullohen në Athinë dhe do të shpalosin aftësitë e tyre. Dyert do të jenë të hapura për të gjithë ata lojtarë që mendojnë se janë të vlefshëm dhe jo vetëm për sportistët të sinjalizuar dhe të kontaktuar nëpërmjet zyrës së talenteve të stacionuar në Greqi. Prej kohësh institucioni që drejton sportin më popullor në vend ka organizuar grumbullime stërvitore me lojtarët e moshave, por ato nuk kanë qenë gjithmonë efektive. Kjo edhe për faktin se një numër i madh sportistësh e kanë të vështirë që të sigurojnë leje nga klubet për t‘u paraqitur, apo edhe për shkak të problemeve me udhëtimin. Me shpërnguljen e vëzhgimeve në vendet ku shqiptarët jetojnë me shumicë, synohet që të përmirësohet edhe ky handikap, e nuk përjashtohet që grumbullime të tilla të zhvillohen edhe në Itali e Gjermani.

Shortet
Dje pasdite, Kombëtarja U-19 ka njohur kundërshtarët e saj në grupet eliminatore për Europianin 2011 të kësaj moshe, i cili do të zhvillohet në Rumani. Goglat e shortit të hedhur në Nion të Zvicrës nuk kanë qenë "bujare" me skuadrën e drejtuar nga trajneri Ramadan Shehu. 19-vjeçarët kuqezinj do të luajnë në Grupin 8, ku kanë si kundërshtarë Belgjikën, Anglinë dhe Qipron. Në 13 grupet me nga katër skuadra, dy të parat dhe dy skuadrat e treta më të mira kualifikohen në fazën "Elite raund". I vështirë ka qenë edhe shorti për Kombëtaren U-17. Skuadra e Ardian Memës ndodhet në Grupin 4, së bashku me Norvegjinë, Republikën e Irlandës dhe Maltën. Edhe në këtë aktivitet, dy të parat e secilit prej 13 grupeve dhe dy të tretat më të mira do të kualifikohen në "Elite raund", ndërsa faza finale e Europianit U-17 do të zhvillohet në verën e vitit 2011 në Serbi.

e. kodheli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›