E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, mesi i sezonit turistik 2009 shënon 40% më pak pushues se vjet

Moti i keq por edhe mungesa e energjisë elektrike në qytetin e Vlorës për rreth 3 ditë ka bërë që shumë pushues të mos vijnë apo të largohen nga qyteti këtë sezon veror. Ndonëse duhet theksuar se puna sensibilizuese e bashkisë dhe drejtorisë së turizmit në këtë bashki këtë vit ka qenë në nivel më të lartë se çdo vit tjetër, ardhja e pushuesve vendas dhe të huaj këtu nuk ka qenë në nivelin që pritej. Ndërsa duhet theksuar se pushuesit vendas në përgjithësi vazhdojnë ta frekuentojnë qytetin dhe plazhet e tij, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për pushuesit e huaj. Ata priteshin më shumë këtë verë por realisht kanë munguar. Më shumë priteshin turistë maqedonas meqenëse ata vjet patën një përvojë pozitive në qytetin bregdetar qoftë nga mikpritja por edhe nga çmimet që hasën gjatë ditëve që qëndruan aty. Mirëpo sivjet nëpër rrugët e qytetit shikohen shumë pak makina me targa maqedonase për të mos thënë se numërohen lehtë por edhe pronarë hotelesh dhe ata që tashmë janë veteranë në turizmin familjar tregojnë se nuk kanë ardhur fare turistë maqedonas. Askush nuk mund të thotë të saktë shkakun por duket fushata e zgjedhjeve bërë ditët e fundit por edhe moti i keq i ka detyruar pushuesit të mos e rrahin shumë sivjet Vlorën dhe plazhet e saj. Jo vetëm në qytet dhe në rrethinat e saj por edhe më në periferi si në Dhërmi dhe deri në Himarë ka pak pushues nga vendi fqinjë kur shpresat ishin shumë më të mëdha. Sipas statistikave të deritanishme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, në qytetin e Vlorës kanë ardhur rreth 40 % pushues më pak, çka do të thotë një krizë e vërtetë për pronarët e hoteleve buzë detit dhe familjet që tashmë turizmin familjar kanë të vetmin burim financiar. Shpresa e tyre mbeten ditët në vazhdim kur mesa duket edhe moti po kthjellohet dhe ata presin dyndje këto ditë megjithëse duhet thënë se humbjet e deritanishme është vështirë të kompensohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›