E Diel, 1 Nëntor 2026

Shëndetësia dorëzohet para gripit të derrave, specialistët fokusohen në identifikimin e rasteve

Asgjë nuk mund ta ndalë gripin e derrave ose të ashtuquajturin virusin A H1N1 në vendin tonë. Madje ky është një fakt që u konfirmua edhe nga specialistët e shëndetësisë si dhe ato të Institutit të Shëndetit Publik. Dje ata e thanë më të sigurt se asnjëherë më parë se ky virus i rrezikshëm së shpejti do të jetë edhe në Shqipëri. Sipas tyre çdo ditë që kalon na e sjell më afër këtë virus. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, ndonëse pranon se shërbimet shëndetësore nëpër pikat kufitare mund të neglizhojnë, ai thekson se duhet të jetë në ndërgjegjen e qytetarëve që të njoftuar nëpërmjet posterave të paraqiten pranë këtij shërbimi për të kapur sa me shpejt rastin e parë.Është e sigurt hyrja e virusit të gripit në Shqipëri. Përpjekjet tona janë përqendruar në kapjen e rasteve sa më parë dhe parandalimin e komplikacioneve, u shpreh Ylli. Më tej ai theksoi se, në të gjitha pikat kufitare janë ngritur struktura të posaçme për të identifikuar rastet e mundshme me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit A H1 N1. Madje inspektorët paguhen me orë shtesë me qëllim që ky shërbim të ofrohet 24 orë.
3 shqiptarët e parë të infektuar nga virusi A H1N1
Tre shtetasit e parë me kombësi shqiptare të infektuar me gripin e derrave janë evidentuar në shtetin fqinj, Greqi. Kohët e fundit numri i të prekurve nga ky grip në këtë shtet po shtohet për ditë e më shumë ndaj edhe ministria e shëndetësisë atje ka shpallur gjendjen e një pandemie. Në mëngjesin e ditës së mërkurë, laboratori i Greqisë së jugut ka deklaruar 22 raste të reja dhe numri i përgjithshëm i pacientëve me gripin A ka shkuar në 187, prej të cilëve 87 janë shëruar plotësisht. Shumica e personave të prekur janë turistë të huaj që vizitojnë Greqinë, por midis tyre janë edhe dy shtetas shqiptarë. Sipas listës që publikon Ministria greke e Shëndetësisë, bëhet fjalë për një grua 36 vjeçe dhe një djalë 17 vjeç të cilët ende nuk dihet se si e kanë marrë virusin. Kështu numri i shtetasve shqiptarë të infektuar me virusin H1N1 ka shkuar në tre brenda vetëm një jave. Me gjithë masat e marra, duket se gjendja po ikën nga kontrolli dhe kjo ka vënë në lëvizje, organet greke të shëndetësisë që vlerësojnë se ndoshta ka shumë pacientë të infektuar të cilët kalojnë gripin me simptoma të lehta dhe nuk kërkojnë ndihmë pranë qendrave spitalore, por bëhen burim infeksioni për dhjetëra të tjerë dhe si rezultat, shtohet numri i rasteve me virusin H1N1.
Njerëzit me probleme të paraqiten vetë në Inspektoratin Sanitar
Çdo udhëtar që ka qenë në një zonë të prekur, ose ka pasur kontakt me persona me probleme respiratore, duhet të vetëparaqitet pranë Inspektorit Sanitar, i cili duhet të bëjë vlerësimin e tyre. Trajtimi i të gjithë udhëtarëve bëhet nga inspektorët sanitarë, sipas Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit. OBSH rekomandon që çdo nëntip i ri i virusit të influencës dhe grupime të sëmundjeve të pazakonta dhe të panjohura, duhet patjetër të raportohen pranë saj. Simptomat e gripit A (H1N1) janë të ngjashme me ato të gripit sezonal të zakonshëm, si fillimi i menjëhershëm i temperaturës, dobësia, dhimbje fyti, kolla, por vihet re dhe diarre. Pavarësisht formave të lehta të virusit, OBSH thekson se gratë shtatzëna dhe personat me probleme kronike shëndetësore janë më të rrezikuar për shkak të ndërlikimeve nga virusi dhe kanë nevojë për vëzhgim konstant nëse preken nga kjo sëmundje.

*******************************************
Nuk gjejnë zbatim masat në kufi
Megjithëse jemi në sezonin e verës periudhë në të cilën vijnë shumë emigrantë dhe turistë pikat kufitare nuk kontrollohen për persona që mund të mbartin virusin e rrezikshëm A H1N1. Nga ministria e Shëndetësisë është bërë e ditur se janë marrë të gjitha masat dhe se në pikat kufitare ka ekipe mjekësh të posaçëm që do të jenë vigjilent në 24 orë kjo gjë nuk është realizuar ende. Krerët e shëndetësisë në vendin tonë kanë deklaruar se grupet e mjekëve të posaçëm të vendosur në pikat kufitare, në porte e në aeroport po paguhen me orë shtesë në mënyrë që kontrolli të jetë i pranishëm gjatë gjithë 24 orëshit. Pavarësisht deklaratave për marrjen e masave, në kufi duket se mungojnë kontrollet. Në Rinas, pasagjerët, pavarësisht se mbërrijnë nga vende të ndryshme, disa prej të cilave të prekur nga virusi nuk kontrollohen as formalisht. Në aeroport vijnë pasagjerë nga vende të ndryshme të botës ndaj dhe survejanca kërkohet të jetë e lartë. Alarmi për përhapjen e virusit A H1N1 është në nivelin e gjashtë ndaj të gjitha vendet kanë ngritur struktura të posaçme për të frenuar përhapjen e shpejtë të këtij virusi si në aeroporte ashtu edhe në pika të tjera kufitare. Në vendin tonë Ministria e Shëndetësisë i ka ngritur këto struktura por ato nuk respektojnë urdhrin e Ministrisë duke qëndruar pasiv ndaj hyrjeve dhe daljeve të pasagjerëve në pikat kufitare. Ministria e Shëndetësisë ka çelur një fond të posaçëm për të siguruar sasi të mjaftueshme Tamiflu në rast se në vendin tonë do të hyjnë persona të prekur nga ky virus. Por në fakt edhe përdorimi i Tamiflu është në diskutim pasi ende edhe në vende të tjera nuk është specifikuar nëse ai duhet përdorur dhe sjell efekte ndaj gripit, pasi ka disa hipoteza se ilaçi mund ta bëjë virusin rezistent.

Last Updated on Thursday, 09 July 2009 17:33

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›