EKOLËVIZJA, në ndihmë të qytetarëve për informacion mjedisor
Një telefon i gjelbër për mjedisin për dhënien e informacionit mjedisor për të gjithë qyetarët e interesuar, është gjetja e grupimit mjedisor Ekolëvizja. Ky telefon synon më tepër informimin dhe sensibilizimin e publikut të gjerë, sidomos grave shtëpiake, pensionistëve, fëmijëve, etj.
Këto grupe mund të marrin këtu informacione, sesi të mbrohen nga ndotësit shtëpiakë, apo si të ndryshojnë sjelljen në mbrojtjen e mjedisit edhe me veprimet brenda dhe rrotull shtëpisë së tyre, pohuan burime nga grupimi Ekolëvizja, pjesë e Milieukontakt International. Grupimi Ekolëvizja vazhdon zbatimin e programit të nisur vitin e kaluar "Forcimi i shoqërisë civile shqiptare për një mjedis më të mirë". Fillimi i këtij projekti dhe administrimi i këtij telefoni pati zanafillën nga situatat mjedisore të krijuara vitet e fundit në Shqipëri, nga ndryshimet mjedisore që rrezikojnë shëndetin e njerëzve, katastrofat natyrore që lidhen me të, ndryshimin global të klimës, por dhe mungesën e ndërgjegjësimit të publikut të gjerë për mjedisin në tërësi. Sipas specialistëve, nga njëra anë, qytetarët mund të telefonojnë në këtë numër për të marrë informacion dhe përgjigje të pyetjeve të ndryshme në lidhje me situatat dhe problematikat mjedisore. Por, nga ana tjetër shoqatat dhe gjithë qytetarët mund të sigurojnë informacion mbi situatat mjedisore që kërkojnë vëmendje urgjente, të japin këshilla, sesi të zgjidhen probleme të ndryshme mjedisore, duke sjellë kontakte me aktorë të ndryshëm, dhe shpreson të rrisë përfshirjen e publikut në çështjet mjedisore. Informacioni, i mbledhur nëpërmjet telefonit të gjelbër, do të përpunohet dhe do të shërbejë si bazë për studime dhe programe mjedisore, të cilat do t'u sugjerohen politikëbërësve dhe vendimmarrësve në programet dhe politikat e tyre për parandalimin e rrezikut mjedisor dhe mbrojtjen e mjedisit në përgjithësi.