Pishinat, jo të gjitha kanë personel mjekësor
Pishinat që ndodhen në kryeqytet veç kushteve të klorinimit, pastrimit, si dhe respektimit të numrit të pushuesve që paraqitet çdo ditë me hapësirën që disponon duhet të kujdeset dhe për “këndin” e shëndetësisë. Deri vitin e kaluar një pjesë e mirë e pishinave përreth kryeqytet nuk kanë pasur të punësuar në stafin e tyre një mjek apo ndihmësmjek. Ndërsa këtë vit një rregull i ri është vendosur për resortet e këtij lloji. Sipas Drejtorisë së Higjienës këtë vit është kërkuar që punonjësit që ofrojnë shërbime në resort, të kenë kryer edhe kursin e ndihmës së shpejtë. Në këtë mënyrë në rast aksidentesh në pishinë, të paktën nuk do të mungojë dhënia e ndihmës së shpejtë. Sipas Drejtorisë së Higjienës, kjo është realizuar, të paktën në resortet e licencuara nga kjo strukturë. Sakaq, sipas kritereve të vendosura nga Drejtoria e Higjienës, punonjësit përgjegjës në pishina duhet të jenë të mirinformuar për shërbimet që kryejnë, për pastërtinë e ujit të pishinave, si për sa i përket klorinimit, por edhe të mbajtjes së vlerës së duhur të aciditetit, pehazhi në vlerat 6.5 deri në 8.3. Në raportin mujor të kontrollit të pishinave, Drejtoria e Higjienës shqyrton numrin e pushuesve të pranuar në pishina të vogla, që sipas rregullit nuk duhet t’i kalojnë 50 pushues në ditë. Në resortet që ofrojnë një hapësirë më të madhe lejojnë nga 100-150 pushues në ditë. Ndërsa pishinat që janë brenda Tiranës, ose jo shumë larg me kryeqytetin, rezultojnë të jenë më të frekuentuarat. Në raportin e Drejtorisë së Higjienës thuhej se në një nga blloqet e pishinave çdo ditë priteshin nga 300-350 pushues. E frekuentuar mbetet edhe pishina e notarëve.
Kushtet e ujit, dezinfektimit të mjediseve, klorinimit dhe pastërtisë duhet të jenë sipas normave të përcaktuara, pavarësisht se lejet e pishinave janë dhënë para çeljes së sezonit turistik, atëherë kur janë zhvilluar edhe kontrollet, kontrollet e Higjienës në të gjithë resortet e pushimit janë periodike, jo vetëm për klorin e ujit, por edhe për ushqimin, tregtimin e produkteve ushqimore.
#