E Diel, 1 Nëntor 2026

Ceremonia, përkujtohen katër policët e vrarë nga Dritan Dajti

Homazhet

Homazhe në Varrezat e Dëshmorëve për nder të katër oficerëve të lartë të Policisë së Shtetit të vrarë më 7 gusht 2009 në përpjekje për arrestimin e të shumëkërkuarit Dritan Dajti. Nën tingujt e muzikës funebër, mes heshtjes dhe dhimbjes në shpirt, autoritetet më të larta të policisë, miq, kolegë dhe familjarë, kanë nderuar dje kujtimin e komandantit të skuadrës, Fatos Xhani, e tre kryeinspektorëve Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Saimir Duçkollari. Ceremonia ishte njoftuar pak ditë më parë nga Drejtoria e Policisë së Shtetit. Por, veç ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, në ceremoni nuk ishin të pranishëm zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit, përveç atyre të policisë. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, vlerësoi se këta Dëshmorë të Atdheut sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të vlerave me të larta që qëndrojnë në themel të një shoqërie demokratike. Basha siguroi se Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme dhe qeveria kanë marrë dhe do të marrin të gjitha masat e përkujdesjes për familjarët dhe fëmijët e tyre. “Kuvendi i Shqipërisë, me propozimin e Kryeministrit Berisha ngurtësoi njëherë e mirë në ligj të gjitha detyrimet që shteti mbart për katër “Dëshmorët e Atdheut” dhe të gjithë të rënët në krye të detyrës të Policisë së Shtetit”, u shpreh ministri Basha. Një vëmendje të veçantë në fjalën e tij, ministri Basha i kushtoi edhe sfidave e rreziqeve me të cilat përballet Policia e Shtetit në përpjekje për zbatimin e ligjit dhe garantimin e lirive të çdo qytetari para ligjit. “Përgatitja e kuadrit nënligjor dhe stërvitja operacionale taktike që ju keni ndërmarrë, si dhe mësimet e nxjerra nga këto ngjarje, do të shërbejnë në mënyrë që kurrë më, kush guxon t’i drejtojë armën Policisë së Shtetit, mos të ketë shansin ta shkrepë atë”, deklaroi ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Ceremonia përkujtimore vijoi me vendosjen e kurorave me lule në nderim të katër Dëshmorëve të Atdheut nga ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha, drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, përfaqësuesit e Sindikatës së Policisë dhe familjarët e dëshmorëve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›