Pisllëku, Higjiena i vë drynin dy tregjeve në Tiranë
Ndoshta kilogramët e fruta-perimeve apo produkteve të tjera ushqimore mund të tregtohen me disa lekë më pak, por vendi ku ato shiten mund të na rrezikojë me të vërtetë shëndetin.
Këto produkte, duke përfshirë zarzavatet, bulmetet, frutat, perimet, bimët aromatike e gjithçka tjetër që përdorim çdo ditë për të përgatitur vaktet në tryezat tona, shpesh tregtohen në mënyrë tërësisht antihigjienike. Ndonjëherë ulja e çmimit mund të na tundojë, por inspektorët e Higjienës, mbrojnë mendimin se aty ku blihet duhet më parë të sigurohesh se vendi ku tregtohen produktet është i pastruar, i larë dhe në standarde normale higjjeno-sanitare. Nisur nga këto kushte të nevojshme, Drejtoria e Shëndetit Publik në Tiranë, konkretisht Shërbimi i Higjienës dhe Inspektorati Sanitar, ka marrë vendimin për të mbyllur dy nga tregjet e mëdha të fruta-perimeve në kryeqytet, pikërisht sepse nuk i përmbushnin standardet e kërkuara të pastërtisë dhe higjienës.
Standardet dhe konkurrenca“Nga muaji janar deri në fund të marsit janë kontrolluar mbi pesë mijë subjekte, nga të cilat rreth tre mijë kanë qenë në fushën e ushqimit. Subjektet e kontrolluara janë bare, restorante, minimarkete, pika tregtimi ushqimesh, tregje ushqimore, thertore”, sqaroi shefi i Shërbimit të Higjienës dhe Inspektoratit Sanitar pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik, Sazan Skuka. Sipas tij, problem mbeten tregjet e pakontrolluara ushqimore, të cilat nuk i përmbushin kushtet për të tregtuar produkte konsumi. Nisur nga kontrollet e këtyre viteve, dy tregjet, përkatësisht ai me vendndodhje në zonën e Porcelanit, si dhe ai në zonën e njohur si Uzina Dinamo, janë mbyllur për shkak të papastërtive, kushteve dhe problemeve me higjienën.
Sipas inspektorëve, edhe vetë qytetarët, para se të blejnë duhet të bëjnë një vëzhgim të shpejtë, për të parë papastërtitë në të cilat tregtohen mallrat e konsumit. Nga ana tjetër, problematike mbeten edhe thertoret, që kryesisht ndodhen të futura brenda lagjeve e zonave të banimit. “Ka thertore, të cilat ushtrojnë veprimtarinë edhe pa pasur asnjë leje higjiene, në këto kushte këshillohet që edhe qytetarët të ndërgjegjësohen për të blerë produkte, në vende ku plotësohen kushtet e higjienës, e jo në pluhur, në mes të rrugës, apo aty ku konstatohen kushte jo të mira tregtimi”, sqaroi Skuka. Deri tani, gjatë tre muajve të vitit 2010, inspektorët e Higjienës, veç urdhrit për mbylljen e dy tregjeve dhe mbi pesë mijë inspektimeve, kanë kryer edhe mbi 500 analiza të ambienteve dhe produkteve ushqimore, ku paraqiten konsumatorët kryeqytetas.
Kontrollet dhe inspektorëtInspektorët e Drejtorisë së Higjienës, çdo ditë kontrollojnë subjektet private për sa u takon kushteve të higjienës, sipërfaqes, punonjësve, pastërtisë së ambientit, ushqimeve si dhe hapësirës ku iu serviret klientëve, qytetarëve. Sipas shefit të Shërbimit të Higjienës dhe Inspektoratit Sanitar, Sazan Skuka, deri tani ka rezultuar që në pikat ku është ushtruar kontrolli të jenë plotësuar kushtet e higjienës. Por nuk përjashtohen ato subjekte, të cilat mund të mos i plotësojnë kushtet e pastërtisë. Drejtoria e Shëndetit Publik ka rreth 15 inspektorë higjiene, të cilët dalin çdo ditë për kontrolle, verifikime dhe marrje kampionësh për ekzaminim.
#