E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, Shqipëria i ka Plotësuar të gjitha kushtet

Ministria e Brendshme

Ministria e Brendshme hodhi poshtë dje ato çka i cilësoi dezinformime të paraqitura në disa media të shtypit të përditshëm. “Sipas të cilave, Shqipëria rrezikon liberalizimin e vizave për shkak të mosplotësimit të kritereve dhe është pas Bosnjës në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin për shtyp të ministrisë. Tashmë që e ka të qartë se nuk mundet më të pengojë procesin e liberalizimit të vizave, vijon njoftimi, zoti Rama përdor mediat e kontrolluara prej tij për të sulmuar progresin e shpejtë e të plotë të Shqipërisë në plotësimin e kritereve, vlerësuar nga të gjithë ekspertët dhe aktorët vendimmarrës europianë si progres që ka prodhuar standarde jo vetëm nga më të lartat në rajon, por të krahasueshme me standardet e vendeve të hapësirës ‘Schengen’. “Me këtë rast, Ministria e Brendshme garanton edhe një herë qytetarët shqiptarë, se në sajë të përkushtimit të plotë për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, Shqipëria demonstron sot para partnerëve europianë, jo vetëm plotësimin e detyrave të kërkuara, por edhe zbatimin efikas të praktikave më të mira europiane në fushën e rendit e sigurisë, kontrollit kufitar dhe dokumenteve të sigurta të identitetit”, thuhet në këtë njoftim. Një ditë më parë, mediat botuan një artikull të publikuar në “Euobserver” që citonte burime nga Komisioni Europian, që thonin se Bosnjë- Hercegovina është përpara Shqipërisë sa i takon standardeve në procesin e liberalizimit të vizave.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›