Opozita duhet ti rikthehet jetës institucionale
Vendimi i Partisë Socialiste për të kaluar në protesta të përditshme, edhe pse një e drejtë kushtetuese, mbetet një politikë që sfidon institucionet. Për shumicën në pushtet, vijimi i këtij qëndrimi nuk i ndihmon imazhit të Shqipërisë si në drejtim të lëvizjes së lirë, ashtu edhe të perceptimit si një vend me normalitet të jetës politike. Sipas zëvendëskryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, kostoja e këtyre veprimeve do të verifikohet në elektorat. Ai ka ftuar PS-në që të adresojë të gjitha shqetësimet e veta për zgjedhjet në kuadër të një reforme elektorale, ku të përfshihen të gjitha palët. “Unë mendoj se PS duhet t’i kthehet jetës institucionale dhe dialogut parlamentar...Mendoj se PS, pavarësisht së drejtës kushtetuese për protestat, duhet që të adresojë shqetësimet e veta për zgjedhjet në kuadër të një reforme zgjedhore që të përfshijë të gjitha palët”, u shpreh Haxhinasto. Të njëjtin mendim ka ndarë për këtë çështje edhe deputeti demokrat, Aldo Bumçi, i cili duke iu referuar vendimeve të fundit të Asamblesë Kombëtare të PS, ka nënvizuar se protesta mbetet një mjet legjitim, por që politikisht i nënrenditet jetës institucionale. “Protestat janë një mjet demokratik, që mund t’i përdorë një parti politike, por Parlamenti është vendi më i rëndësishëm...Protestat duhen parë si një alternativë dytësore dhe jo si një aksion politik parësor. PS nuk mund të mbushë vakumin e komunikimit parlamentar me protesta”, u shpreh Bumçi.
#