E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pitela: “Vlerësoj kërkesën e PS-së për transparencën e zgjedhjeve”



Zv.presidenti i Parlamentit Europian, Xhani Pitela, dje, në një konferencë të përbashkët me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, vlerësoi kërkesën e ligjshme të socialistëve për transparencën e zgjedhjeve. Gjithashtu, numri dy i PE-së garantoi mbështetjen e tij për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave. Pitela tha se për transparencën e zgjedhjeve askush nuk do të vërë në diskutim rezultatin e zgjedhjeve të kaluara. Ai nënvizoi se një klasë politike inteligjente që shikon nga Europa dhe që ka për zemër interesin e komunitetit të vet duhet të dijë të gjejë një pikë ekuilibri mes kësaj nevoje për transparencë dhe nevojës për qetësim të përgjithshëm të klimës politike. Ndërsa kreu i selisë rozë, nga ana e tij, e ka informuar Pitelën mbi situatën politike në vend dhe krizën ekonomike. Rama, me optimizëm u shpreh se grupi i socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Europian do të vazhdojnë të gjitha përpjekjet për të finalizuar procesin e liberalizimit të vizave.
Rama
“Shkëmbyem pikëpamjet tona lidhur me krizën në Shqipëri, me faktin se kjo krizë është rënduar, në vend që të zgjidhej dhe, pa dyshim, edhe me shqetësimin e madh që kjo krizë po ndikon jashtëzakonisht në mbarëvajtjen jo vetëm të punëve të vendit, por edhe të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, - u shpreh Rama, duke shtuar se “e informova gjithashtu mikun tonë për gjendjen e rëndë ekonomike të vendit, për vështirësinë e madhe ku gjenden çdo ditë e më shumë familjet shqiptare, për humbjen e përditshme të vendeve të punës dhe për domosdoshmërinë e marrjes të një sërë masash agresive për të ndalur përshkallëzimin e krizës ekonomike dhe për të ndihmuar njerëzit në kushtet kur të gjesh një vend pune është bërë edhe më e vështirë se të gjeje një vizë në kohët më të vështira.
Pitela
“Unë pata në Shqipëri një vizitë zyrtare, në cilësinë e zëvendëspresidentit të Parlamentit Europian dhe takova autoritetet më të larta. Natyrisht, nga ana ime institucionale mora detyrën për të çuar përpara dy procese shumë të rëndësishme, të cilat i shtruam që në fillim, siç është liberalizimi i vizave dhe integrimi dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Menjëherë pas festimeve të Pashkëve, kur të hapet Parlamenti Europian, do të takoj komisioneren e sektorit, zonjën e nderuar Cecilia Malstrom, së cilës do t’i shpreh nevojën për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave”, - u shpreh Pitela, duke shtuar se “dua të ndaj shqetësimet e shprehura nga Edi Rama rreth krizës ekonomike dhe sociale që mund të godasë edhe më ashpër Shqipërinë. Cikloni që plasi nga Amerika dhe që pushtoi më pas Europën, botën, ende nuk e ka shterur ngarkesën e tij toksike. Dhe do të ishte shumë sipërfaqësore të mendosh që efektet negative që solli, u kaluan. Për fat të keq nuk është kështu dhe duhet të përgatitemi për kohë të vështira krize ekonomike, krize financiare dhe krizë shoqërore”.

Protestat e popullit të opozitës nisin me qytetin e Lushnjës

Ashtu siç u mor vendimi në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, opozita nisi dje protestat në orën 19:00 në qytetin e Lushnjës. Kjo protestë organizohet nga dega e PS-së së këtij qyteti. Kështu, PS-ja do të vijojë protestat në çdo qytet të vendit, duke e finalizuar atë me protestën më të madhe më 30 prill në Tiranë, ku do të marrin pjesë edhe militantë nga rrethet. Sipas burimeve, protestat e socialistëve gjatë muajit prill nuk do të përqendrohen në sheshet kryesore të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë. Protestat nuk do të shoqërohen si zakonisht, me sloganet për hapjen e kutive, apo me fjalimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Ndryshe nga nëntori i vitit të kaluar, çdo protestë do të jetë ndryshe, në bazë të problemeve apo konfliktit që një shtresë e qytetarëve kanë me qeverinë. Zyrtarët socialistë në të gjithë Shqipërinë kanë për detyrë të nxisin dhe më pas të mbështesin qytetarët, të cilët do të protestojnë.
Megjithatë, forma e re e protestës ndaj qeverisë “Berisha” nuk do të lërë në hije hapjen e kutive dhe transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Axhenda përfundimtare e protestave ende nuk është gati, por burime në selinë rozë bëjnë të ditur se qëndrimi përpara Kryeministrisë do të zgjasë për disa ditë, duke nisur nga e premtja e 30 prillit. Nuk është e qartë nëse projekti i socialistëve për të qëndruar në protestë edhe në 1 apo 2 maj, pasi do të ndikohet nga festa e demokratëve e planifikuar më 1 Maj.

2 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›