E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafaj: “Topalli të pranojë se ka shkelur rregulloren me komisionin hetimor”



Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, kërkoi gjatë fjalës së tij të mbajtur në seancën e djeshme parlamentare që kryetarja e Kuvendit të pranojë se ka shkelur Rregulloren e Kuvendit për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar me votat e PD-së. Sipas Xhafajt, maxhoranca, me forcën e kartonëve vodhi nismën ligjore të Partisë Socialiste. “Ju dhunuat Kuvendin. Kërkoj nga kryetarja që të pranojë shkeljen e ligjit dhe të Rregullores për ngritjen e komisionit hetimor dhe pikërisht nenet 5, 7, 8 dhe 9 të ligjit për ngritjen dhe funksionimin e komisioneve hetimore. Ju keni shkelur në mënyrë të turpshme Rregulloren dhe pikërisht kjo ishte përgjigjja se maxhoranca nuk ka vullnet politik për të bërë transparencë. Opozita ka ofruar më shumë se një shteg për kompromis. Ne kemi dhënë zgjidhje konkrete për transparencën e zgjedhjeve dhe kushtetutshmërinë e tyre. Situata është shumë e rëndë. Vendi është në krizë politike, ekonomike dhe sociale. Është në të mirën tuaj që të dëgjoni zërin e arsyes së opozitës dhe thirrjet e ndërkombëtarëve. Ne jemi sot në Kuvend për të rikonfirmuar se jemi të gatshëm për kompromis dhe nuk kërkojmë më shumë se respektimin e ligjeve të vendit dhe Kushtetutës”, - është shprehur Xhafaj.
Menjëherë ka ardhur reagimi i Topallit, e cila, nga ana e saj, i kërkoi Xhafajt që të kërkojë ndjesë për një deklaratë publike që sipas saj nuk është e vërtetë, për emrat e anëtarëve të komisionit hetimor, të cilët janë lexuar në seancën e kaluar parlamentare dhe nuk janë shtuar mbrapa, ashtu sikurse ka deklaruar deputeti socialist. Madje Topalli transmetoi gjatë seancës së djeshme dhe sekuencën filmike të seancës kur është miratuar ngritja e komisionit hetimor. Deputetët socialistë, gjatë fjalës së tyre, kanë kërkuar transparencën e procesit zgjedhor duke theksuar se kjo kërkesë është në përputhje me Kushtetutën. Ndërsa deputetët demokratë janë shprehur kundër kësaj kërkese.

2 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›