Socialistët bllokojnë votimin e drafteve, në Kuvend vetëm për zgjidhjen e krizës
Partia Socialiste vazhdon të marrë pjesë në seancat plenare, por vetëm gjatë diskutimit të lirë prej 60 minutash. Edhe në seancën e sotme plenare, Grupi Parlamentar socialist i mbledhur mesditën e djeshme vendosi pjesëmarrjen në Parlament, por vetëm për transparencën e zgjedhjeve, duke kërkuar një zgjidhje për kauzën politike. Marrëdhënia e kushtëzuar me Parlamentin nga deputetët e Partisë Socialiste duke mos marrë pjesë në votimin e projektligjeve më të rëndësishme që kërkojnë shumicën e votave bllokon aktivitetin e Kuvendit. Opozita merr pjesë në Parlament vetëm për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Disa prej projektligjeve që kërkojnë 84 vota për t’u miratuar, janë: ai i Gjykatës Administrative, i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe i Policisë Gjyqësore. Këto drafte vazhdojnë të qëndrojnë pezull për shkak të mungesës së kartonëve në Parlament. Përsa i përket krizës politike, ndërkombëtarët vazhdojnë të sensibilizojnë palët për bashkëpunim politik lidhur me kauzën që është krijuar për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërkohë duket se ata po vazhdojnë përpjekjet e tyre për t’i dhënë zgjidhje sa më të shpejtë krizës.
2 Prill 2010