Ushtarakët që do të rrëfehen për tragjedinë e Gërdecit
Laureta Rryçi
Procesi për tragjedinë e Gërdecit pritet të përfshihet në një tjetër vorbull rrëfimesh. Ndryshe nga dëshmitë që kemi dëgjuar gjatë këtyre seancave, pritet që shumë shpjet të nisin dëshmitë në radhët e ish-ushtarakëve të akuzuar ose jo për të zbardhur shumë detaje apo përgjegjësi mbi tragjedinë e dy viteve më parë. Ish-gjeneralë e deri te ish-ministra pritet të vijnë në sallën e gjyqit për të shpjeguar se përse e hodhën firmën për ngritjen e fabrikës e deri te lejimin e vazhdimit të demontimit për më shumë se një vit jashtë çdo norme sigurie. Gjashtë prej këtyre ish-ushtarakëve pritej që të dëshmonin në seancën e djeshme, mirëpo mungesa e pesë avokatëve ka çuar në shtyrjen e seancës. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado, u detyrua të shtynte seancën për të hënën, për të vijuar me dëshmitë e radhës.
Faza e re
Se procesi po hyn në një fazë të re, kjo u tregua më së miri edhe kur në seancën e kaluar u paraqit në sallë Shpëtim Spahiu, ish-ushtarak i lartë i Forcave të Armatosura që humbi gradën dhe pozicionin pikërisht për tragjedinë. Ndërsa kanë të drejtë të japin deklarime të gjithë ish-ushtarakët që janë në bankën e të pandehurve në këtë proces, lista me dëshmitarët e Akuzës vijon edhe më tej. Ish-ushtarakëve, të cilët i kanë shpëtuar statusit të të pandehurit, tashmë u është renditur emri në listën e dëshmitarëve. Sipas institucionit të Akuzës, këta ish-ushtarakë kanë dijeni për fakte të rëndësishme që provojnë fajësinë e ish-kolegëve të tyre. Ndërkohë, një tjetër betejë që pritet të nisë në sallën e gjyqit do të jetë dhe qëndrimi i ish-kreut të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha dhe shumë gjeneralëve të tjerë. Kur dosja ndodhej në fazën e hetimeve, shumë prej tyre kanë mohuar të kishin dijeni për ekzistencën e një fabrike demontimi vetëm pak kilometra larg metropolit.
Përplasjet
Ndërsa prokuroria hetonte mbi tragjedinë e Gërdecit, mes Shtabit të Përgjithshëm dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu ishte e lehtë të kuptohej marrëdhënia e ftohtë mes tyre. Në dukje konflikti filloi atëherë kur ish-ministri Mediu deklaroi publikisht se ushtria nuk e kishte paralajmëruar për rrezikun dhe problematikën e Gërdecit. Një qëndrim i tillë publik i ish-ministrit është bërë kur Mediu ishte ende në detyrë dhe në zyrën e tij u mor në pyetje nga prokurorët Petrit Bici dhe Genci Qano. Shtabi i Përgjithshëm u kundërpërgjigj publikisht duke akuzuar se Ministria e Mbrojtjes i kishte dhënë atributet ndërmarrjes “MEICO” për gjithçka që ndodhte në Gërdec. Detyra e ushtrisë përfundonte me transportimin dhe dorëzimin e municioneve. Në këtë linjë dhanë deklarime në Prokurorinë e Tiranës e më pas në Prokurorinë e Përgjithshme të gjithë gjeneralët e thirrur nga grupi i hetimit. Ata janë shprehur se kishin zbatuar urdhrin e ministrit të Mbrojtjes, i cili pronësinë dhe administrimin e ndërmarrjes së çmontimit në Gërdec ia kishte deleguar ndërmarrjes “MEICO” bashkë me mbikëqyrjen e procesit të çmontimit. Në këtë kohë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, u pyet fillimisht në zyrën e tij dhe më pas u thirr dy herë në Prokurorinë e Tiranës. Dëshmitë e tij para prokurorëve të kryeqytetit ishin diametralisht të kundërta me qëndrimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, i cili, sipas burimeve nga dikasteri përkatës, po kalonte një marrëdhënie e komunikim “të ftohtë” me shefin e Shtabit të Përgjithshëm kohë para tragjedisë së Gërdecit.
Trafikuan 17 kg heroinë, gjykata i dënon me 37 vjet burgim
Tentuan të trafikonin 17 kilogramë heroinë drejt Greqisë, Gjykata e Krimeve të Rënda i dënoi dje me 37 vjet burgim. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Etleva Deda shpalli fajtor dhe dënoi me 11 vjet burg Ardian Rexhepin dhe me nga 13 vjet secili të pandehurit Erion Voda dhe Julian Gega. Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria, i pandehuri Ardian Rexhepi kryente vetëm transportin e drogës kundrejt pagesës prej 2500 eurosh, ndërsa pronari i saj është shtetasi i shpallur në kërkim Erion Voda dhe pritësi i kësaj sasie prej 17.5 kg heroinë në Greqi është i pandehuri Julian Gega. Nga hetimet dhe gjykimi rezultoi se më datë 6 maj 2008, korrieri Ardian Rexhepi do të kalonte një sasi prej 17.5 kg heroinë për në Greqi, nëpërmjet pikëkalimin kufitar të Tre Urave në Përmet. Pas kontrollit të automjetit policia gjeti dhe sekuestroi në bagazhin e makinës, konkretisht në gomën rezervë të saj, 15 kg heroinë e mbështjellë me letër natriban dhe 2.5 kg heroinë e ndarë në pako 500 gramë secila poshtë ndenjëses së shoferit. Nga dëshmia e dhënë nga i pandehuri Rexhepi gjatë marrjes në pyetje dhe para gjykatës ka rezultuar se i pandehuri Voda i kishte ofruar 2500 euro për të transportuar në Greqi 2.5 kg heroinë që kishte pranuar, por që vetë pronari i drogës ta fshihte brenda makinës. Për këtë shkak, emigranti Rexhepi ia ka dhënë makinën e tipit “TOYOTA” me targë greke YBM 3042 pronarit të drogës Voda, i cili pa dijeninë e shoferit i ka futur në gomën rezervë të makinës 15 kg heroinë dhe më pas i ka dorëzuar makinën vetëm me 2.5 kg heroinë, të cilën nuk e kishte fshehur. Me të marrë drogën Rexhepi e kishte futur poshtë ndenjëses pa ditur që në bagazhin e makinës kishte edhe 15 kg të tjera, që u zbuluan dhe u sekuestruan në pikën e kalimit kufitar të Tre Urave në Përmet.
Vendimi
Ardian Rexhep, 11 vjet
Erion (Roni) Voda, 13 vjet
Julian (Xulja) Gega, 13 vjet
20 Mars 2010