E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pjerin Ndreu, kreu i PS për Tiranën

Ish-zv.drejtori i Policisë zgjidhet në krye të degës që përfshin fshatrat

Ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Pjerin Ndreu, u zgjodh dje si kryetar i Partisë Socialiste për degën e Tiranës, dhe automatikisht do të jetë edhe anëtar i Asamblesë së Përgjithshme të socialistëve. Zgjedhja e Ndreut në krye të socialistëve të kryeqytetit erdhi pas zgjedhjeve të mbajtura dje, mes tij dhe kandidatit Bledar Doracaj. Pas procesit të votimit të 280 anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të PS-së, Ndreu rezultoi fitues me 116 vota pro, ndaj 39 votave që mori konkurrenti i tij, Doraci. Votimi i cili zgjati paraditen e djeshme plot pesë orë u karakterizua nga qetësia dhe një proces i shpejtë i numërimit të votave për të nxjerrë rezultatin e votimit. Dy kandidatët e kësaj gare, Ndreu dhe Doraci patën mundësinë që fillimisht të shprehnin vizionin e tyre në lidhje me çfarë do të bënin në degën e Tiranës dhe si e shikonin këtë mundësi që njërit prej tyre do t’ju jepej. Socialisti Ndreu theksoi se rëndësi të veçantë për të kishte përgjegjësia dhe gjetja e urave të komunikimit mes socialistëve. Sipas tij, PS kishte një mision të madh përpara saj, atë të kthimit në pushtet. “Synoj për një bashkim njerëzish me ideale që punojnë pa kushte, me pastërti, pa paragjykime dhe që kanë kurajën për t’u përballur e për të marrë përgjegjësi. Të gjithë ne e duam PS, por nuk mjafton vetëm kjo. Na duhet të gjejmë urat e takimit, jo të përçarjes, sepse kemi një mision të rëndësishëm, rikthimin e PS në pushtet”, theksoi Ndreu në fjalën e tij. Në këtë pozicion Ndreu zëvendësoi deputetin aktual të Partisë Socialiste, Besnik Baraj. Përfshirja e ish-drejtorit të policisë në këtë garë, lidhet me filozofinë e re të PS-së, e cila lidhet me moskandidimin e deputetëve dhe drejtueseve të tjerë të lartë të PS-së në këto gara. Kjo lëvizje duket se po përdoret nga PS-ja edhe për të hapur sa më shumë partinë drejt figurave të reja dhe ndarjen e qartë të kompetencave për përfaqësuesit e PS-së. Dega e socialistëve në kryeqytet, me këtë zgjedhjeve të re pritet të nisë edhe punën intensive për zgjedhjet e ardhshme lokale në rrethin e Tiranës, të cilat kanë një rëndësi të veçantë për rezultatin e përgjithshëm të PS-së në zgjedhje. Vetë Pjerin Ndreu gjatë viteve të fundit të pushtetit të socialistëve, vendosi të largohej drejt Lëvizjes Socialiste për Integrim, të drejtuar nga zëvendëskryeministri aktual, Ilir Meta. Në këtë kuadër, Ndreu kandididoi në zgjedhjet e vitit 2005 për deputet nën siglën e LSI-së në Pukë, sfidë të cilën nuk arriti ta fitonte. Më pas Pjerin Ndreu nuk ka qenë aktiv në politikën brenda të majtëve dhe kandidimi për kryetar të PS-së në Tiranë, erdhi pas vite shkëputjesh nga aderimi në forcat e majta. Socialistët me zgjedhjet e reja po synojnë ripërtëritjen e bazës së partisë së tyre dhe përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat pritet të mbahen në pranverën e vitit 2011.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›