Vrasja e bujshme në mes të Tiranës, pyeten 65 persona
Që nga momenti kur ndodhi vrasja, e deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, policia ka pyetur mbi 65 persona, të cilët mendohet se kanë dijeni për ngjarjen. Policia ka ngritur një grup pune, duke filluar që nga ekspertët e hetimit të krimeve të rënda, deri tek ata të krimit të organizuar. Në këto kushte, dosja për ngjarjen mafioze zë fill që në vitet ‘90. Grupi hetimor u është rikthyer nga e para dyshimeve, duke pyetur edhe të gjithë miqtë e Konomit, për të cilët mendohet se dinë shumë të dhëna. Veç fakteve të dala gjatë ditëve të tjera, policia ka zbardhur edhe disa dyshime të reja, që kanë të bëjnë me vrasjen në Greqi. Sipas të dhënave hetimore, në fillimet e viteve ‘90, Franc Konomi është arrestuar në Greqi për një vrasje. Në atë kohë ai arriti të arratiset nga burgu i Greqisë, kur ishte ende djalë i ri dhe emigroi në Gjermani. Por, meqë ishte skeduar nga drejtësia helene, shumë shpejt u bë identifikimi i tij në Gjermani dhe u arrestua për llogari të shtetit grek. Ai u ekstradua nga autoritetet gjermane dhe për një kohë qëndroi në paraburgim, derisa u shpall i pafajshëm. Me marrjen e këtij vendimi, Konomi u largua sërish drejt Gjermanisë.
#