Radha e Drishtit
Në fshatin me dhjetë familje të rrethit të Shkodrës mbahet në këmbë një nga monumentet më të rëndësishme të kulturës: Kalaja e Drishtit. Nuk mund të vizitohet për pak kilometër rrugë të pakalueshme edhe nga këmbësorët. Ja projekti. SHKODËR- Kalaja e Drishtit, ose ajo çfarë ka mbetur nga kjo kështjellë e ngritur në shekullin e XIII nga romakët, dhe që mban statusin "Monument Kulture" që nga viti 1948, është një nga monumentet e rëndësishme të Shkodrës i piketuar për t'u pasur në konsideratë nga politikat për turizëm kulturor në këtë zonë. bëhet fjalë për një projekt që financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që do të bëjë të mundur rehabilitimin e rrugës drejt këtij objekti, e cila në gjendjen aktuale është thuajse e pakalueshme edhe nga këmbësorët, pa folur për automjete. Në qarkun e Shkodrës janë dy komuna të përzgjedhura nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, mes të cilave është dhe Komuna Postribë, ku ndodhet fshati Drisht dhe monumenti i kulturës që njihet me emrin Kalaja e Drishtit. Ky objekt gjendet në një distancë prej 6 km nga Ura e Mesit mbi lumin Kir. Fshati i sotëm ndodhet poshtë kodrës ku ndodhet kalaja. Ajo u ngrit në periudhën romake si një vendbanim në rrugën Shkodër – Kosovë dhe në antikitetin e vonë ishte njëra prej fortesave zinxhir, të cilat mbronin Shkodrën. Në shek IX Drishti u kthye në një fortifikim të rëndësishëm të mbretërisë së Zetës dhe varej nga Dioqeza e Tivarit. Kalaja e Drishtit u ngrit në shek XIII si një fortesë bizantine. Qyteti arriti kulmin e zhvillimit në shek XIV derisa arriti edhe pavarësi nga Shkodra. Në vitin 1442 Drishti ra në duar të Venedikut, më pas u mor nga Skënderbeu dhe më në fund u pushtua nga osmanët në 1478. Kalaja gjendet në një kodër 800 metra të lartë. Brenda mureve të saj gjenden 11 shtëpi të fshatit të cilat formojnë një lagje. Por objekti, edhe pse paraqet vlera studimore dhe turistike, nuk është i mundur të vizitohet për shkak të rrugës tepër të ngushtë e të dëmtuar, e cila bën të vështirë lëvizjen vetëm të këmbësorëve nëpër terrenin e pjerrët malor, ndërsa për mjetet as që bëhet fjalë. Sipas kreut të komunës Postribë, Faz Shabaj, rehabilitimi i rrugës Drisht –Kala është përcaktuar si përparësi, pasi komuna Postribë ka objekte monumente kulture të rëndësishme, siç është Ura e Mesit, por dhe Kalaja e Drishtit. Por, ndërsa Ura e Mesit vizitohet nga turistët, pasi është vetëm rreth 8 km larg qytetit të Shkodrës, kalaja e Drishtit edhe pse paraqet interes për të huajt është e pamundur të vizitohet prej tyre për shkak të rrugës. Kjo ka bërë që rehabilitimi i kësaj rruge të jetë përparësi dhe të miratohet financimi i saj nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Shabaj shton se aktualisht po përgatitet projekti nga një grup specialistësh nga Tirana. Kjo do të bëjë të mundur që kalaja e Drishtit të jetë e vizitueshme dhe të përfshihet në guidat turistike të turistëve të huaj dhe agjencive turistike, klientët e të cilave vijnë deri në Mes, tek ura e Mesit. Në afërsi të këtij objektijetojnë aktualisht rreth 10 familje, pasi të tjerat janë shpërngulur duke u ulur më poshtë në fshatin Drisht e në fshatra të tjerë.