Pjesëmarrësit e "Euro-biker 2007" falënderojnë Kryeministrin Berisha për mikpritjen e popullit shqiptar
Kryeministri Berisha mirëpriti sot në mbrëmje një grup pjesëmarrësish në garën ndërkombëtare të motoçiklistëve "Euro Tour 2007", që mbërriti sot për herë të parë në Shqipëri. Në përbërje të këtij grupi ishin ndër të tjerë Andreas Kimmel, President i Klubit "Euro-biker", Klaus Peter Willsch, anëtar i parlamentit gjerman, Dieter Asbach, drejtues i një kompanie gjermane.
Pjesëmarrësit në këtë garë falënderuan Kryeministrin për pritjen shumë të ngrohtë të popullit shqiptar. Ata shprehën mirënjohjen për bashkëpromovimin e këtij evenimenti, që këtë vit zhvillohet me moton "Lëvizja e lirë lidh kulturat". Ata shprehën gjithashtu besimin se një vend si Shqipëria do të arrijë të bëjë reformat e nevojshme për të hyrë sa më shpejt në Bashkimin Europian.
Kryeministri Berisha falënderoi përfaqësinë e Euro-biker dhe shprehu mirënjohjen e popullit shqiptar për kontributin e tyre të bamirësisë në dobi të spitaleve në Shkodër dhe Vlorë si dhe për misionin Don Bosco. Kryeministri tha se ky aktivitet ndihmon në përçimin e kulturës shqiptare dhe shërben si urë komunikimi mes popujve.
"Euro-biker 2007" ka në datat 29-31 maj ndalesën e tij në Shqipëri. Evenimenti sportiv zhvillohet nën kujdesin e Kancelares gjermane Angela Merkel, njëkohësisht Presidente e radhës e Bashkimit Europian, Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe Kryeministrit të Kroacisë, Ivo Sanader. "Euro Tour" ka si mision të vetin integrimin europian përmes integrimit të kulturave. Pjesëmarrësit e kësaj gare janë njerëz të njohur të politikës, të biznesit, artit, kulturës dhe sportit. Turi në Shqipëri vazhdon nesër me vizitat në qendrat e rëndësishme historike të vendit Berat, Apolloni, më pas në Vlorë dhe të enjten në Butrint.