E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zëvendëskryeministri Oketa vlerëson mbështetjen e reformave nga donatorët

Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa deklaroi sot se qeveria shqiptare është e vendosur të çojë përpara reformat e ndërmarra, ndërsa vlerësoi mbështetjen e komunitetit të donatorëve ndaj këtyre nismave. Zëvendëskryeministri Oketa mori pjesë në Tavolinën e Rrumbullakët të radhës Qeveri-Donatorë.
Gjatë fjalës së tij zëvendëskryeministri trajtoi elementë të rëndësishëm të procesit të integrimit europian si dhe progresin në reformat e planifikimit të integruar, sistemit fiskal, nxitjes së investimeve dhe klimës së biznesit, zhvillimit të turizmit, decentralizimit, reformës arsimore, reformës së pronësisë, eleminimit të informalitetit, investimeve publike dhe antikorrupsionit."Ne e dimë se ende mbetet shumë për të bërë dhe ne ju jemi mirënjohës dhe vlerësojmë rolin tuaj, mbështetjen dhe kontributin e donatorëve në këtë përpjekje të përbashkët", iu drejtua zëvendëskryeministri Oketa përfaqësuesve diplomatikë të vendeve donatore. Ai theksoi se në linjë të sinkronizuar qeveria shqiptare është angazhuar në mënyrë të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit. "Objektivi ynë madhor ka qenë largimi i Shqipërisë nga harta e korrupsionit. Përpjekjet e Qeverisë janë përqëndruar në përmirësimin e administratës publike. Ne ia dolëm të çlirojmë administratën publike nga konflikti i interesave. Po kështu mund të përmendet edhe rasti i prokurimeve publike ku rezultatet e vrojtimeve të fundit tregojnë uljen e incidencës së korrupsionit. Këto tregues janë provë e sukseseve në luftën kundër korrupsionit", vijoi më tej zëvendëskryeministri.
Ai u shpreh se në harkun kohor 2-vjeçar krahas reformave në fusha të ndryshme Qeveria ka ndërmarrë iniciativa konkrete të përgjithshme në aspektin fiskal përmes një programi të qartë të reformës fiskale, e cila është përqëndruar kryesisht në reformën e normës së kontributit të sigurimeve shoqëore të tatimit mbi të ardhurat peërsonale tatimit mbi fitimin dhe forcimit të administrimit fiskal. Ai theksoi se reformat e ndërmarra synojnë përshpejtimin e integrimit të vendit në familjen e madhe europiane. Nga ana tyre donatorët shprehën mbështetjen e plotë ndaj vijimit të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Drejtoresha e Departamentit të Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj Znj. Albana Vokshi prezantoi progresin e bërë nga qeveria shqiptare në zbatimin e Sistemit të Planifikimit të Integruar. Sekretari i Pëërgjithshëm i Ministrisë së Integrimit. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Integrimit prezantoi hapat që po ndërmerren për rishikimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Më pas pjesëmarrësit diskutuan rreth çështjeve më thelbësore në të cilat duhet të orientohen donacionet e huaja.

Komuniteti i donatorëve mbështetje reformave të Qeverisë

Donatorët e huaj shprehën sot gatishmërinë për të vijuar mbështetjen e qeverisë shqiptare në çuarjen më tej të reformave, angazhimeve dhe ambicjeve të deklaruara. Në Tavolinën e Rrumbullakët Qeveri-Donatorë, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së Pavel Vaçek, përfaqësuesi i Bankës Botërore, Nadir Muhammed dhe Drejtoresha e PNUD në Shqipëri Gulden Turkoz-Cosslett, vlerësuan reformat ambicioze të qeverisë shqiptare duke i konsideruar ato si një hap në rrugën e duhur. Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Pavel Vaçek, u shpreh se çështja e regjistrimit të popullsisë, sistemi I adresave dhe legalizimet mbeten ndër prioritetet kryesore që duhet të diskutohen mes donatorëve dhe qeverisë. "Ne kemi ndjekur dhe mbështetur përpjekjet e mëdha të qeverisë në çuarjen më tej të reformave dhe angazhimeve të ambicieve të deklaruara përfshirë edhe marrjen përsipër të dialogut me donatorët", tha Vaçek. Ai theksoi se ekziston një mbështetje e fortë e donatorëve për përfundimin e një kuadri strategjik bazuar në konsultimet me aktorët kryesorë, i cili sipas tij do të jetë shumë i rëndësishëm për reformat e qeverisë. "Fondi i besimit është një shprehje materiale e vendosmërisë së donatorëve për të ndihmuar qeverinë", theksoi Vaçek. Ndërsa Drejtoresha e PNUD në Shqipëri Gulden Turkoz-Cosslett theksoi se qeveria e Shqipërisë është përpjekur të bëjë një plan të integruar të planifikimit në kuadër të integrimit në NATO dhe kjo siç tha ajo është shumë e lavdërueshme. "Ne i vlerësojmë reformat ambicioze të qeverisë të cilat janë në drejtimin e duhur. Ne e dimë që këto gjëra nuk ndodhin brenda një kohe të shkurtër pasi kërkojnë këmbëngulje, angazhim dhe kohë", tha Cosslet. Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri Nadir Muhammed u shpreh se deri tani një sërë projektesh janw ndërmarrë në sajë të Sistemit të Planifikimit të Integruar. "Ne shikojmë se ka një mbështetje bujare nga donatorët të cilët po mbështesin këto projekte jo vetëm financiare në kuadër të Sistemit të Planfikimit të Integruar", u shpreh Muhamed. Ai kërkoi organizimin e takimeve të tjera informale mes grupeve të donatorëve dhe qeverisë. Pjesa e dytë e takimit u përqëndrua në prezantimin për prioritetet e qeverisë në luftën kundër informalitetit, zhvillimit ekonomik dhe social të zonave rurale si dhe reformës së thellë që është marrë në sektorin e arsimit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›