Plagët e Gjergj Elez Berishës
E kërkova dhe e gjeta, ashtu shtrirë në byth’ të pishës
Lëngonte me plagë të shumta, trup’ i Gjergj Elez Berishës.
- Eh, si qenke katandisur, komandanti legjendar.
- I kam marr’ do plagë të rënda, në beteja me… shqiptarë!
- Pa m’trego plagët e tua, o ti Gjergj Elez Berisha!
Se ti dhe llafos pa fund, po dhe hije na bën pisha.
- Kjo këtu është plag’ e parë, që e kam në këtë këmbë
Ish në zgjedhjet ‘92, sa më dhembi o moj nënë...!
...Kjo plaga të këmba tjetër, është nga referendumi
Kur Kushtetutën që bëra, vajti dhe e mori lumi.
Kjo plaga këtu te barku, që dhe zorrët m’i tregon
Është që nga ‘97-a, e shikon a s’e shikon…!
- Paska qenë luft’ e madhe, kush o Salë qe kundërshtari?
- Ku di unë? U ngrit mileti, s’merrej vesh kush ish i pari.
- Po kjo tjetra, si me shpatë, që ka dalë brinjë më brinjë?
- Është e tenderit të rrugës, që nga Durrësi në Morinë...
- Po ti paske dhe një plagë, që dhe veshët t’i ka shpuar.
- Është nga lufta e Gërdecit, nuk e di o i uruar?
- Obobo si të ka marrë, çdo hero do kishte vdekur.
- Mua jo, unë jam Berisha, nuk kam kokë, po kam një hekur.
- Po ti ke dhe dekorata. Një nga një, a s’mi tregon?
- Janë t’fitoreve të tua, apo dhe t’popullit tonë?
- Dekoratat i kam vetë, nuk i ndaj, është me zarar.
Vazhdojmë shpejt, ku e lamë, se një këmbë e kam në varr...
...Kjo është për zgjedhjet e para, që fitoi Demokracia
Është e 22 Marsit, ku gëzoi tërë Shqipëria
Tjetra është 26 Maji, qind’ për qind kur fituam
Ku nga rezultati ynë, gjithë armiqtë u tërbuan...!
- Kjo ftesa që ke në qafë, nga NATO qenka nënshkruar.
- Mos të ishte kjo mor djalë, do më kishin përvëluar!
Kjo ishte zjarrfikësja ime, që ma fiku shpejt Gërdecin
Se do më kishin vënë poshtë, e do më fusnin bodecin...
- Po kjo lista plot me shifra, që ke varur në kurriz?
- Ah, po, ky është formulari, deklarim’ i pasurisë
Bëjmë biznes brenda familjes, mbahemi me lekë hua
Unë i jap para vajzës, pastaj vajza m’i kthen mua.
- Epo mirë, o Gjergj i madh, tash më thuaj në ke nge`
Ty në krye do të kemi, përgjithmonë këtej nga ne?
- Po nuk erdhi vetë balozi, të më rrafi me topuz.
Mue në krye do më keni, vidh e hidh ndonjë romuz.