E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagos aksidentalisht të bijën 15-vjeçare

Nga Express më 18 maj 2011 në ora 11:50

Një vajzë e mitur, 15-vjeçare, ka mbetur e plagosur në të dyja këmbët si rezultat i shkrepjes aksidentale të armës nga babai i saj. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zabërgjë të Mitrovicës, njofton policia.

Autoritetet policore të stacionit jugu në Mitrovicë, rreth orës 19:50min, përmes një telefonate të pranuar nga shtëpia e shëndetit në Mitrovicë, janë informuar për praninë e një personi, femër, të përkatësisë etnike shqiptare, me plagë në të dyja këmbët e saja, të shkaktuar nga arma e zjarrit.

Në bazë të raporteve policore mësohet se deri te plagosja e viktimës ka ardhur si rezultat i manipulimit të panevojshëm dhe në të pasigurt nga ana e të dyshuarit, babi i vajzës, një 52 vjeçar, i cili, në dhomën e ndejës, në të cilën gjendeshin së paku pesë anëtarë të familjes duke dashur që të siguroj armën pas pastrimit të saj, aksidentalisht ka zbrazur të njëjtën në pozitë horizontale ndërsa dy plumba janë shkrepur gjatë manipulimit.

Një predhë e plumbit të shkrepur, ka goditur shtratin ndërsa një predhë tjetër ka kapur këmbën e djathtë të vajzës 15 vjeçare. Plumbi i cili fillimisht ka depërtuar në këmbën e djathtë të viktimës, ka depërtuar tërësisht përmes këmbës duke përfunduar në këmbën e majtë të saj, diku në pjesën e epërme mbi gju.

Viktima është dërguar urgjentisht në shtëpinë e shëndetit në Mitrovicë, nga ana e familjarëve të saj ndërsa pas intervenimit të parë mjekësor, viktima është transferuar në QKUK Prishtinë, për trajtim të mëtejmë të plagëve të marra.

Hetuesit rajonalë të Policisë së Kosovës, të cilët janë duke zhvilluar hetimet lidhur me rastin së bashku me teknikët e kriminalistikës kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes.

Personi i dyshuar i përfshirë në rast për zbrazje aksidentale të armës dhe shkaktim të plagosjes, është arrestuar nga hetuesit policor, ndërsa arma, një revole e tipit “EU” e kalibrit 7.65mm, e cila besohet të ketë qenë e përfshirë në rast, është sekuestruar nga policia e Kosovës si pjesë e provave materiale.

Incidenti është regjistruar si “plagosje dhe mbajtje në pronësi, kontroll dhe shfrytëzim të paautorizuar të armës”.

Ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor të paraparë në bazë kodit të procedurës penale, deri në përgatitjen e paraqitjes penale, njofton Besim Hoti, zyrtar për informim publik i policisë në Mitrovicë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›