E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagos me thikë shokun e klasës

Thikat dhe mjetet e mprehat kthehen në modë në shkollat e kryeqytetit, duke shkaktuar panik për nxënës e prindër


Nxënësi i plagosur përfundon në spital, policia ndalon të dyshuarin si autor të ngjarjes në shkollën Bajram Curri


TIRANË- Thikat, sendet e mprehta e emjete të tjera të rrezikshme, po kthehen në një fenomen të rrezikshëm në shkollat e ndryshme të kryeqytetit, duke vënë në rrezik jetën e nxënësve të shkollave nëntë vjeçare apo të mesme në vend.


Dje në paradite është shënuar një rast i tillë kur dy nxënës të shkollës 9- vjeçare "Bajram Curri", në lagjen Allias të kryeqytetit, pas një sharjeje në kohën e pushimit. Një prej nxënësve mbeti i plagosur lehtë në kraharor, ndërsa policia ndaloi autorin e krimit, shok klase me të dëmtuarin.


Sipas të dhënave të policisë, mësohet se nxënësi E. P, 14 vjeç, u godit nga një mjet i mprehtë thikë nga bashkëmoshatari i tij me inicialet R. E, 14 vjeç, njëkohësisht shok klase me të.


Ngjarja ndodhi dje rreth orës 10:30, kur dy adoleshentët janë grindur për motive banale në oborrin e shkollës, gjatë kohës së pushimit midis orëve.
Sipas dëshmive që ka dhënë i plagosuri në polici, mësohet se gjithçka ka nisur si një shaka, duke shkëmbyer fjalë dhe më pas ata janë fyer rëndë mes tyre.


Nga hetimi i kryer mësohet se konflikti është shkaktuar nga shkaqe banale, pas një fyerje të shkëmbyer mes fëmijëve. Pas shkëmbimit të fjalëve, nxënësi i identifikuar si autori i krimit ka goditur shokun e tij të klasës në të majtën e kraharorit. Sherri midis dy adoleshentëve nuk është vënë re nga mësuesit e shkollës apo dhe nga roja e godinës.


I plagosuri, 14 vjeçari, E P, nxënës i klasës së nëntë, është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, nga vetë drejtoresha e shkollës, Marije Korriku, ku pas ndërhyrjes mjekësore ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Vetë Drejtoresha Marije Korriku, pohoi se të dy fëmijët ishin shokë me njëri tjetrin. Sipas saj, fëmija nuk ka mbetur i plagosur por ka pasur një gërvishtje të lehtë dhe pas qepjes së kryer prej mjekëve fëmija i plagosur nuk kishte pasur probleme serioze për jetën.


Pas ngjarjes, në ambientet e shkollës 9- vjeçare kanë mbërritur efektivat e Komisariatit të Policisë nr. 2, ku kanë bërë shoqërimin e nxënësit që plagosi me thikë bashkëmoshatarin e tij. Ky i fundit, pas shoqërimit në komisariat, është marrë në pyetje në prani të psikologes, mësuesve dhe prindërve.


Mbajtja e armëve të ftohta si nga nxënësit e shkollave 9- vjeçare ashtu dhe nga ato të mesme, mbetet një kërcënim serioz për jetën e çdo nxënësi, pasi prania e këtyre sendeve që hyjnë në mënyrë të pa kontrolluar, bëhet shkak që sherret midis nxënësve të përfundojnë në viktima. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur sherret midis gjimnazistëve apo dhe nxënësve të shkollave 9- vjeçare kanë përfunduar në përdorimin e thikave.


Precedentët e plagosjes në shkollë, nuk kanë ndodhur vetëm në kryeqytet, por edhe në zona të tjera të vendit, ku vetëm gjatë vitit 2009 janë shënuar më shumë se tre raste të plagosjes së nxënësve nga shokët e tyre në ambientet e shkollave. Rasti i fundit është ai i regjistruar në shkollën 9 -vjeçare "Andon Xoxa" në Fier, ku një 13- vjeçar, u qëllua me thikë nga bashkëmoshatari i tij.

Dëshmia e Rojes

Me drejtoreshën dërguam në spital të plagosurin
Dy protagonistët e ngjarjes së djeshme nuk njiheshin si nxënës problematikë të shkollës, përkundrazi si nxënës të sjellshëm dhe me rezultate të mira. Roja i shkollës "Bajram Curri" rrëfen për "Shekullin", se ngjarja ka ndodhur në një kohë të shkurtër, ku sherri midis dy adoleshenteve nuk është vënë re nga ai.


Liman Pula tregon se ka qenë ora 10 e 30 minuta kur nxënësi me inicialet E. P është plagosur nga bashkëmoshatari i tij, ndërsa tregon se ai nuk ka dëgjuar konfliktin me fjalë midis dy 14- vjeçarëve. "Dy nxënësit që u konfliktuan dje, ku njëri mbeti i plagosur, njihen si të rregullt në shkollë si nga mësuesit ashtu dhe nga nxënësit e tjerë.


Kur pamë atë çfarë kishte ndodhur mbetëm të befasuar dhe me plot bindjen them që thikën nxënësi që ka bërë plagosjen e ka marrë jashtë ambienteve të shkollës. Unë e kam dërguar në spital të plagosurin bashkë me drejtoreshën e shkollës dhe gjendja e tij nuk përbën rrezik për jetën",- tregon roja i shkollës 9- vjeçare Liman Pula.


Sipas tij, shkolla nuk ka polic që të ruajë qetësinë brenda ambienteve të shkollës dhe kjo ia vështirëson punën që bën, pasi duhet të merret me kontrollin e hyrjeve dhe daljeve të nxënësve nga shkolla.


Policia, pa plan masash


Policia e kryeqytetit ka premtuar që në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale, ka marrë masa për elimenimin e ngjarjeve të tilla të rrezikshme. Ndërkohë që më parë në fakt duket se nuk ka pasur një plan të tillë.


Sipas burimeve zyrtare të Policisë, për mbarëvajtjen e procesit mësimor, janë ngarkuar me detyra, Patrulla e Përgjithshme e Policisë, strukturat e Hetimit të Krimit, Shërbimet e Qarkullimit Rrugor, të cilët do të bashkëpunojnë me drejtuesit e shkollave, për të parandaluar çdo ngjarje në ambientet e shkollave. Bashkëpunimi midis bluve dhe Drejtorisë Arsimore do të shtrihet dhe në kontrollin që do t'iu bëhet nxënësve për të parandaluar futjen e sendeve të palejueshme në shkollë.


Sipas policisë, gjatë vitit shkollor është parashikuar dhe marrja e një sërë masash të tjera si: nuk do të lejohet parkimi i automjeteve apo prania e shitësve ambulantë pranë shkollave, do të mbahen kontakte të vazhdueshme me mësuesit për të identifikuar nxënësit problematike dhe do të ketë bashkëpunim me rojet e shkollave private për të parandaluar çdo konflikt midis nxënësve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›