Burrel, nxënësit protestë pas transferimit të mësueses
Rreth 80 nxënës të vitit të tretë dhe të katërt kanë kërkuar rikthimin e mësueses së tyre të matematikës
BURREL - Edhe pse një mësuese e lëndës së matematikës nuk e ka kundërshtuar lëvizjen e saj nga një shkollë në tjetrën brenda qytetit të Burrelit, duket se kanë qenë nxënësit që kanë dyshuar "prapavijë" tjetër në largimin që i është bërë mësueses së tyre kujdestare ndaj janë hedhur në mbrojtje të saj përmes një proteste të organizuar para zyrës arsimore të këtij rrethi.
"Ne duam të na kthehet mësuesja jonë e matematikës në shkollën ku jemi, - kanë theksuar në protestën e tyre rreth 80 nxënës të vitit të tretë dhe të katërt të shkollës së mesme "P.Budi" në Burrel. - Nuk ka asnjë arsye të justifikueshme që mësuesja jonë Arjana Rami të lëvizë nga shkolla", - thanë ata.
Për nxënësit, mësuesja e tyre është shumë e mirë dhe e përgatitur për lëndën dhe e komunikueshme, ndaj nuk ka përse të bëhen lëvizje të tilla. Mësuesja në fjalë u lëviz nga shkolla "P.Budi", për në shkollën e mesme "28 Nëntori" të këtij qyteti, dhe kjo sipas sqarimeve të bëra mësueses në fjalë nga drejtoria arsimore nuk ka ndonjë prapavijë, ashtu sikundër janë bërë dhe lëvizje të tjera të tilla.
Por kjo nuk i ka bindur nxënësit, të cilët kanë protestuar duke kërkuar motivin e saktë të largimit të mësueses së tyre, dhe jo fshehjen "pas gishtit", siç bëhet në raste të tilla.
Mësohet se mësuesja ka qenë e përfshirë në fushatën elektorale për opozitën më 28 qershor të këtij viti, por nuk është e qartë se sa lidhje ka kjo me transferimin e saj nga njëra shkollë në shkollën tjetër të mesme brenda të njëjtit qytet.
Burime nga Partia Socialiste e Matit thonë se jo vetëm mësuesja në fjalë, që është anëtare e kryesisë rozë dhe anëtare komisioni, por dhe të tjerë mësues që kanë qenë anëtarë të komisionit me Partinë Socialiste janë lëvizur sa nga një shkollë në tjetrën krejt pa kuptim. Sipas tyre, në njëfarë mënyre "më të trëndafiltë" duket se ka filluar si "gjueti shtrigash" ndaj atyre që kanë guxuar të jenë me këtë parti.
Vetë mësuesja ka qenë në zyrën arsimore në momentin që po bëhej protesta dhe ka kërkuar motivin e transferimit të saj, ndërsa është prononcuar për median se kërkon të jetë në vendin ku ka qenë tek ata nxënës dhe ajo shkollë që ka dhënë maksimumin e mundshëm.