E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosen 2 ushtarë të forcave speciale, ranë nga helikopteri

Incidenti ndodhi të martën gjatë një stërvitjeje të forcave speciale në Zall- Herr, para përfaqësuesve të vendeve të NATO-s


TIRANË- Bien nga helikopteri dhe plagosen gjatë stërvitjes dy ushtarë të Forcave Speciale të Zall- Herrit, kandidatë për misionet ushtarake paqeruajtëse jashtë vendit.


Ngjarja ndodhi të martën në mesditë në repartin e forcave "Komando", në Zall- Herr, gjatë një stërvitjeje demonstruese përpara atasheve ushtarakë të vendeve të NATO-s në vendin tonë. Incidenti ndodhi gjatë demonstrimit të një veprimi stërvitor kur dy ushtarët po kryenin në veprimet e tyre me helikopter.


Dy të dëmtuarit Alban Kurti dhe Albert Kuçi, pësuan dëmtime serioze. Pas dërgimit në spital dhe pas mjekimti të marrë, Albert Kuçi ka mundur të kalojë rrezikun vetëm me probleme të lehta shëndetësore, si shembje apo gërvishtje, duke qenë në gjendje shëndetësore të mirë.


Ndërkohë ushtari tjetër, Alban Kurti, sipas burimeve, ka marrë plagë të rënda, për shkak se ka thyer krahun, këmbën dhe se ka dëmtime në shtyllën kurrizore. Incidenti ndodhi kur ushtarët po bënin veprime me helikopter, ndërsa ata ranë nga helikopteri në një lartësi prej dy deri në tri metra, gjatë kryerjes së një manovre ushtarake. Lidhur me këtë incident, zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes pohoi ngjarjen ndërsa tha se bëhet fjalë për një ngjarje të zakonshme, ndërsa fillimisht u mohua si fakt.


"Ata kanë qenë në një stërvitje rutinë demonstrimi dhe dëmtime të tilla ndodhin shpesh gjatë stërvitjeve të Forcave Speciale. Ushtarët nuk kanë pësuar dëmtime serioze dhe ngjarje të tilla ndodhin shpesh gjatë stërvitjeve, pasi bëhet fjalë për demonstrime të vështira"- pohoi një zë anonim nga zyra e Shtypit. Në të kundërt të pohimit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjendja e njërit prej të dëmtuarve në spitalin ushtarak, ku ata po qëndrojnë nuk ishte e mirë.


Ndërkaq i njëjti burim, mohoi që incidenti të kishte ndodhur gjatë një stërvitjeje demonstruese para përfaqësuesve të NATO-s, por si një stërvitje përgatitjeje rutinë. Ndërkaq, sipas burimeve të spitalit ushtarak, gjendja e ushtarit Alban Kurti është e rëndë, për shkak se ai ka marrë plagë me thyerje në krah, në këmbë dhe dëmtime serioze të shtyllës kurrizore.

Po kështu burimet pohuan se pavarësisht dëmtimit në shtyllën kurrizore të Kurtit, ai nuk ka rrezik paralize dhe ka shpëtuar mrekullisht nga një paralizë e mundshme. Aktualisht gjendja e tij, po mbahet nën vëzhgim. Të dy ushtarët nuk pranuan të flasin për "Shekulli", gjatë një vizite të kryer në spitalin ushtarak, në dhomën nr.4, të ortopedisë, ku ata po trajtoheshin.


Mësohet se dy ushtarakët duhet të bënin një demonstrim të ndërhyrjes nga ajri në një objekt. Më pas zyra e shtypit, pohoi se Ministri urdhëroi drejtuesit e spitalit ushtarak, të kujdeseshin në mënyrë të veçantë për dy të plagosurit, dhe të shihej mundësia e dërgimit të tyre jashtë vendit.

*******************

Incidenti, kur ushtarët po zbrisnin në tarracën e një ndërtese

Këtë demonstrim ata duhet ta kryenin duke u zvarritur nëpërmjet litarëve nga helikopteri në një ndërtesë, por në momentet që dy ushtarët duhet të hidheshin, platforma ku fiksohen litarët është hapur para kohë dhe ata kanë rënë më pas nga një lartësia prej dy metrash.


Njëri prej ushtarëve, Alban Kurti, ka pësuar dëmtime serioze, duke pësuar fraktura në dorën e djathtë dhe dëmtuar shtyllën kurrizore, ndërsa Albert Kuço nuk ka pësuar dëmtime serioze gjatë incidentit që ndodhi të martën paradite në repartin e Forcave Speciale Komando në Zall-Herr.


Ushtarët e dëmtuar gjatë stërvitjes janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, për të marrë ndihmën mjekësore dhe sipas mjekëve që i kanë mbajtur nën vëzhgim ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Atij i është kryer një ndërhyrje kirurgjikale dhe ndodhet ende në spital nën kujdesin e mjekëve.


Dy komandot e plagosur ishin pjesë e skuadrës ushtarake që po kryente stërvitje në kuadër të nisjes në një mision paqeruajtës për në Afganistan. Stërvitja po kryhej edhe në prani të atasheve ushtarakë të vendeve të NATO-s të akredituar në vendin tonë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›