E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosen me granatë 3 të rinj, pranga njërit prej autorëve

Nga një debat banal me fjalë,
grindja mes dy grupeve të rinjsh
ka degjeneruar në plagosjen e 3
prej tyre, si pasojë e shpërthimit të një
granate ofensive. Ngjarja ka ndodhur
mbrëmjen e së premtes, në qytezën e
Selenicës. Burime zyrtare nga policia
bëjnë të ditur se dy grupe të rinjsh kanë
qenë duke pirë në një prej lokaleve në
qendër të qytezës, kur kanë nisur të
debatojnë me fjalë. Pas grindjes me
fjalë, sherri ka degjeneruar në konflikt
fizik. Në momentin kur "fitimtarët"
kanë qenë duke dalë nga lokali, një nga
"humbësit" ka hedhur në drejtim të tyre
një granatë. Nga shpërthimi i saj kanë
mbetur të plagosur Ervis Alushi, Gentian
Abazi dhe Edison Ademi. Pas kësaj,
autorët mësohet se janë: Mikel Harizaj,
i vëllai Agim Harizaj dhe Romeo Rustemi,
të cilët janë larguar menjëherë nga
vendngjarja. Të rinjtë e plagosur janë
transportuar për në spitalin e Vlorës,
ku pas mjekimeve të marra tashmë
janë jashtë rrezikut për jetën. Blutë
kanë mundur të arrestojnë njërin prej
vëllezërve Harizaj, Agim Harizaj, ndërsa
për vëllain tjetër dhe të afërmin e tyre
Romeo Rustemi nisi kërkimi në të gjithë
zonën. Mëngjesin e së shtunës, policia
ka gjetur të braktisur automjetin e të
arratisurve, tip "Mercedes Benz 200"
pa targa në fshatin Rroms, vetëm pak
kilometra ku ndodhi ngjarja. Nuk dihet
ende se kush ka qenë personi që ka
hedhur granatën, por mësohet se të
rinjtë kanë qenë shokë të ngushtë me
njëri-tjetrin. Sipas policisë, ata kanë
qenë emigrantë në Greqi dhe atje janë
konfliktuar për "motive banale". Kjo
mendohet të jetë shkaku i ngjarjes të
së premtes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›