Plagosën me thikë, prangosen babë e bir
Ndalohen tre të kërkuarit për tentativë vrasjeje. Një sherr mes pjesëtarëve të fisit për motive pronësie ka çuar në pranga tre shtetas, të cilët ishin shpallur në kërkim tri ditë më parë. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës bënë të ditur se u ndaluan Ymer dhe Klodian Myftari, babë e bir, përkatësisht 60 dhe 25 vjeç, banorë të lagjes 16 të qytetit bregdetar, si edhe Bledi Cerri, 30 vjeç, banor i së njëjtës lagje. Ndalimi i tyre u bë pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës kishte nxjerrë urdhër-ndalimi për ta bazuar në ngjarjen e ndodhur natën e së shtunës në lagjen 16 të Durrësit. Të tre këta persona, në bashkëpunim edhe me shtetasin Armand Myftarin, vëllain dhe djalin e dy prej të ndaluarve të ditës së djeshme, kanë plagosur me thikë shtetasit Xhaferr Neli, Agim Myftari dhe Fatmir Myftari. Ndërsa Armandi ishte arrestuar nga policia po natën e ngjarjes, babai dhe vëllai i tij u shpallën në kërkim një ditë më pas. Ndaj Myftarëve dhe Cerrit rëndojnë akuzat e vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë dhe të kryer në bashkëpunim. Tentativa për vrasje ndodhi rreth orës 20.00 të së shtunës së kaluar në lagjen ku palët banojnë. Sherri me thika erdhi pas një konflikti për motive pronësie. Dy vëllezërit Armand dhe Klodjan Myftari, së bashku me babanë kanë tentuar të vrasin me thikë Xhaferr Nelin, 23 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Durrës, si edhe shtetasin Agim Myftari, 26 vjeç nga Durrësi. Për pasojë Neli ka marrë goditje në pjesën e kraharorit, duke i shkaktuar dëmtime të rënda për jetën, ndërsa Agim Myftari pati marrë goditje jo të rënda në sup.